E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet rinumërimi i 6 KZAZ-ve në Tiranë, demokratët në KQZ vendosin sërish kundër PS-së

Rrëzohet kërkesa e PS-së, PBDNJ-së dhe LZHK-së për rinumërim në Tiranë

Eljona Ballhysa
Forca e kartonit ka mbizotëruar sërish dje në Komisionin Qendror Zgjedhor. Komisionerët demokratë kanë vendosur rrëzimin e kërkesës së Partisë Socialiste për rinumërim të votave në 6 KZAZ të qarkut të Tiranës, që përfshinin një të dhjetën e kutive në kryeqytet. KQZ-ja vendosi të rrëzojë edhe kërkesën e dy partive të tjera, Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, të cilët, ashtu sikurse dhe PS-ja, kërkojnë rivlerësim të votave në disa KZAZ në Tiranë. Tre subjektet politike kundërshtojnë vendimet për tabelat e rezultateve në KZAZ-të me numër 45, 49, 54, 55, 58, 59 dhe 60, duke pretenduar se votat e tyre nuk janë vlerësuar drejt dhe duke kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të tyre për disa qendra votimi në qarkun më të madh të vendit. Por kërkesa e tyre është rrëzuar nga anëtarët demokratë të KQZ-së, të cilët e cilësuan kërkesën të pabazuar në prova dhe në ligj. Mbledhja e djeshme e KQZ-së ka zgjatur mbi 4 orë dhe është karakterizuar nga debate midis nënkryetares së KQZ-së Dëshira Subashi dhe përfaqësuesit ligjor të PD-së, Njazi Kosovrasti. Që të dy kanë lëshuar akuza të ndërsjella për ndikim politik.
Debati
Pas dëgjimit të pretendimit të palëve, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, duke mbështetur ankesat në fjalë, kërkoi nga Komisioni që të zbatojë Nenin 138 (pika 3), për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërim të votave. Ajo, duke iu referuar Nenit 136, kërkoi përdorimin në cilësinë e provës të materialeve filmike që kanë regjistruar procesin e numërimit të votave në KZAZ-të e kontestuara të Tiranës. Argumenti i saj u kundërshtua nga përfaqësuesi ligjor i PD-së pranë Komisionit, Njazi Kosovrasti, i cili, sikurse dhe në mbledhjen e një dite më parë, e akuzoi atë për mungesë profesionalizmi dhe tentativë për të turbulluar opinionin publik. “Shifrat janë thuajse të shpallura, rezultati thuajse i mbyllur, të mos i japin shou njerëzve. Pa prova nuk mund të shkojmë drejt hapjes së kutive të votimit, vetëm me pretendime të pambështetura në ligj”, - tha Kosovrasti. Kundër tij janë shprehur përfaqësuesit e PS-së në Komision. Sipas juristëve, në qendrat ku kontestohet rezultati ka pasur presion mbi numëruesit dhe për pasojë është shkelur fshehtësia e votës. “Hapini kutitë dhe certifikoni rezultatin në sytë e gjithë shqiptarëve. Përse keni frikë t’i hapni kutitë? Pse nuk na i vini në dispozicion sipas Kodit materialet filmike. Çfarë ka ndodhur me materialet filmike që kanë kushtuar 1 milion e gjysmë euro. Pse nuk vihen në dispozicion ashtu sikurse parashikohet në Kod?” - është shprehur dje gjatë debatit në KQZ përfaqësuesi ligjor i PS-së, Damian Gjiknuri.
Ndërsa Subashi akuzoi si përfaqësuesin e PD-së, Kosovrastin, ashtu dhe kryetarin e KQZ-së, Ristanin, se po mbajnë qëndrim në favor të Partisë Demokratike duke shkelur Kodin Zgjedhor. “Ristani po i shërben PD-së, ndërsa anëtari Kosovrasti shkel vazhdimisht Kodin Zgjedhor dhe sulmon për të disatën herë”, - është shprehur Subashi.
Vendimi
Pas një mbledhjeje maratonë komisionerët e PD-së nuk i morën në konsideratë pretendimet e palëve duke rrëzuar kërkesën për rinumërim të votave në qarkun e Tiranës. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, e cilësoi kërkesën e palëve të orientuar politikisht. Ai tha se nuk mund të kërkohet rinumërim votash pasi në këtë mënyrë procesi zvarritet pafundësisht. Në përfundim nënkryetarja Subashi bëri të ditur se PS-ja do ta ankimojë vendimin e KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor.

Berisha kërkon studim për ndikimin në mjedis të fabrikave të çimentos

Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje në mbledhjen e KRRTRSH-së që të bëhet një studim për efektin që shkaktojnë fabrikat e çimentove në mjedis. Duke e cilësuar këtë studim si tepër të rëndësishëm, kryeministri kërkoi që brenda kësaj jave të merren të gjitha masat për shpalljen e tenderit për të kontraktuar një nga kompanitë më të mira për të bërë studimin kumulativ në një kohë sa më të shkurtër. "Zoti ministër i Mjedisit, Lufter Xhuveli, në një mbledhje të është kërkuar dhe sërish të kërkoj që të bëhet studimi i efektit kumulativ të çimenterive mbi mjedisin. Ky studim është i domosdoshëm sepse mjedisi duhet të mbrohet dhe të zhvillohet si përparësi madhore e jona", - u shpreh kryeministri Berisha. Sipas tij "individë apo grupe të caktuara kanë shprehur shqetësim për ndërtimin e tyre dhe përgjigjja më e mirë është studimi i efektit kumulativ të këtyre çimenterive".
"Mbi këtë bazë ne marrim të gjitha vendimet, pasi për ne mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i tij janë përparësi absolute", - tha kryeministri Berisha.

KRRTRSH-ja miraton zonën energjetike dhe industriale të Porto Romanos

Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi dje masterplanin për zhvillimin e integruar të zonës energjetike dhe industriale të Porto Romanos, në Durrës, infrastrukturën dhe konturet e saj. Gjatë mbledhjes kryeministri Sali Berisha deklaroi se "kjo do të jetë zona më e fuqishme industriale e vendit, e cila do të gërshetojë një nga nyjat energjetike më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Ballkanit dhe do të shtrihet në një sipërfaqe prej 810 ha". Në këtë drejtim, kryeministri Berisha kërkoi që të kontraktohet një kompani serioze, e cila të përcaktojë qartësisht se cilat do të jenë kapacitetet energjetike të termocentraleve që do të ngrihen në atë zonë, pa cenuar aspak standardet mjedisore. "Ka një studim paraprak që bën një farë vlerësimi dhe përcaktimi se çfarë kapacitetesh mund të kenë TEC-et që do të ndërtohen aty. TEC-et mund të jenë me gaz, biomasë, naftë, qymyr dhe mbi bazën e këtyre kapaciteteve prodhojnë edhe një ndotje që duhet të jetë nën kufijtë e lejuar", - tha kryeministri Berisha. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha vuri në dukje se "TEC-i i ndërtuar në Vlorë prodhon një ndotje dy herë nën standardin europian". Sipas tij "në zbatimin e këtij studimi duhet marrë parasysh se përreth ka një zonë turistike shumë të rëndësishme dhe një qytet kryesor të vendit”.

15 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›