E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultati i zgjedhjeve “në dorën” e Kolegjit Zgjedhor

Çështjet kyçe mbeten për t’u shqyrtuar nga Kolegji Zgjedhor

Eljona Ballhysa
Disa nga çështjet më të nxehta përsa i përket rezultatit të zgjedhjeve në të paktën 4 qarqe të vendit janë ankimuar pranë Kolegjit Zgjedhor. Kjo për faktin se KQZ-ja, në shumicën e rasteve, ka rrëzuar kërkesat e Partisë Socialiste dhe të partive të vogla përsa i përket rinumërimit të votave në disa KZAZ që kanë paraqitur probleme gjatë procesit të numërimit. Por, rezultati i këtyre qarqeve që janë ankimuar në Kolegjin Zgjedhor është përcaktues përsa i përket rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve dhe shpalljes së koalicionit fitues. Kështu, socialistët kanë vendosur të ankimojnë pranë Kolegjit Zgjedhor rezultatin e qarkut të Beratit, të disa KZAZ-ve në qarkun e Tiranës si dhe të disa KZAZ-ve në qarkun e Shkodrës. Socialistët pretendojnë së vota për PS-në është tjetërsuar gjatë procesit të numërimit të votave, ndaj kërkuan rinumërim të disa kutive. Por kërkesa e tyre është rrëzuar me shumicën e votave të komisionerëve të PD-së në KQZ. Për këtë arsye PS-ja do ta ankimojë këtë vendim të KQZ-së pranë Kolegjit Zgjedhor, pasi pretendon në fitoren e mandateve të deputetëve në të tria qarqet e lartpërmendura në rast se rinumërohen kutitë e votimit.
Edhe Partia Demokratike ka vendosur të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor rezultatin e qarkut të Fierit, ku PS-ja, nga numërimi i 9 kutive të votimit, fitoi mandatin e 9-të të deputetit në këtë qark. Sipas PD-së, këtë mandat socialistët ia kanë marrë partisë së çamëve, ndaj do ta ankimojnë në Kolegjin Zgjedhor. Edhe partitë e tjera, kryesisht PDK-ja dhe LZHK-ja, do të ankimojnë rezultatin e disa KZAZ-ve në qarkun e Shkodrës dhe të Tiranës. Të gjithë këto ankimime vendosin në peshore rezultatin e dy koalicioneve të mëdha dhe përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve.
Kolegji Zgjedhore
Sipas Kodit, subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankimim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshme. Ankimimet e subjekteve politike duhet të paraqiten në Gjykatën e Apelit, Tiranë, e cila ia kalon ato Kolegjit Zgjedhor. Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankimim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja. Në këtë rast Kolegji Zgjedhor nuk e gjykon çështjen në themel dhe, kur pranon kërkesën, vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim. Subjektet zgjedhore duhet të paraqesin ankesën e tyre pranë Kolegjit Zgjedhor në formën e kërkesëpadisë, e cila duhet të përmbajë: të dhënat për identitetin e paditësit, tregimin e palës së paditur, tregimin e palëve të interesuara (palë të interesuara janë palët pjesëmarrëse në shqyrtimin administrativ pranë KQZ-së), objektin e kërkimit, bazën ligjore, përshkrimin e shkeljes së pretenduar dhe pikat e vendimit të KQZ-së, të cilat ankuesi kundërshton si dhe faktet, argumentet dhe dispozitat ligjore ku mbështetet ankimimi. Sipas Kodit, kërkesëpadia duhet të depozitohet në aq kopje sa është numri i palëve në proces, si dhe shoqërohet me kopjen e vendimit të KQZ-së dhe, sipas rastit, me kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit. “Palët në procesin e shqyrtimit gjyqësor të kërkesëpadisë kanë të gjitha të drejtat procedurale që parashikohen në Kodin e Procedurës Civile, përveç rastit kur parashikohet ndryshe në këtë Kod. Provat e administruara nga KQZ-ja gjatë shqyrtimit administrativ sillen prej saj në gjykim, pavarësisht nga kërkesat e palëve për to. Mungesa e njërës palë gjatë procesit nuk përbën pengesë për vazhdimin e gjykimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor, përveç rastit kur Kolegji vendos ndryshe”, - shkruhet në Kodin Zgjedhor.
Vendimet
Në varësi nga çështjet në shqyrtim, Kolegji Zgjedhor vendos për pushimin e gjykimit, për gjykimin e çështjes në themel ose detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim. Pushimi i gjykimit vendoset kur Kolegji Zgjedhor konstaton se ankimimi është paraqitur jashtë afateve të përcaktuara në këtë Kod ose për mungesë kompetence. Kur Kolegji Zgjedhor vendos mungesën e kompetencës, ia dërgon çështjen organit kompetent. Me gjykimin e çështjes në themel, Kolegji Zgjedhor vendos pranimin e plotë apo të pjesshëm të padisë ose rrëzimin e plotë apo të pjesshëm të saj. Kolegji Zgjedhor vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim, në zbatim të pikës 2 të Nenit 145 të Kodit. Në këtë rast, Kolegji Zgjedhor cakton afat të prerë për marrjen e vendimit jo më të gjatë se 10 ditë. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë. Ndaj tij nuk bëhet ankimim. Kolegji Zgjedhor është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tri ditë nga data e dhënies së tij.

8 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor

Astrit Kalaja
Dhurata Haveri
Entela Prifti
Marie Qirjazi
Meriban Mullaj
Petraq Koço
Sashenka Jonuzi
Tom Ndreca

Ankimimet
Partia Demokratike do të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor rezultatin e qarkut të Fierit
Partia Socialiste do të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor rezultatin e qarkut të Beratit
Partia Demokristiane do të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor rezultatin e qarkut të Shkodrës
Partia Socialiste do të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor rezultatin e disa KZAZ-ve në qarkun e Tiranës
Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, G99-a dhe PDK do të ankimojnë në Kolegjin Zgjedhor rezultatin e disa KZAZ-ve në qarkun e Tiranës

Topi-Hughes vlerësojnë binjakëzimin e forcave të Policisë të Shqipërisë dhe Britanisë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje në Presidencë një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kundër Krimit të Organizuar dhe të Rëndë të Mbretërisë së Bashkuar, Bill Hughes. Në takim ishin të pranishëm edhe ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Mekiluam, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.
Pasi u uroi mirëseardhjen, kreu i shtetit bëri një përshkrim të reformave të ndërmarra në vendin tonë si ajo zgjedhore dhe reforma në Drejtësi, me qëllim përmbushjen e standardeve integruese duke vënë në dukje edhe reformat e transformimin e forcave të Policisë shqiptare, “të cilat luajtën dhe përmbushën me shumë profesionalizëm dhe efektshmëri rolin e tyre ligjor e të paanshëm gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare të 28 qershorit 2009”. Presidenti Topi vlerësoi me këtë rast përkrahjen e gjithanshme dhe bashkëpunimin shumë të mirë me Mbretërinë e Bashkuar në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, duke nënvizuar se “pas anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë, në NATO, shkëmbimi i përvojës pozitive mes strukturave të policisë dhe atyre të sigurisë, marrja dhe administrimi i informacioneve, kontrolli i kufijve dhe lufta kundër trafiqeve të paligjshme marrin një rëndësi të veçantë strategjike”. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kundër Krimit të Organizuar dhe të Rëndë (SOCA) të Mbretërisë së Bashkuar, Bill Hughes, vlerësoi arritjet e shënuar në Shqipëri përsa u përket luftës së suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformës në drejtësi, ndërtimit dhe forcimit të shtetit të së drejtës, duke theksuar “bashkëpunimin e frytshëm dhe serioz mes dy vendeve tona dhe institucioneve përkatëse të sigurisë dhe të rendit” dhe duke e cilësuar atë “një shembull pozitiv për t’u përhapur në mbarë rajonin ballkanik”. Në këtë drejtim u nënvizua rëndësia e projektit të binjakëzimit mes forcave homologe të Policisë së dy vendeve “mike dhe aleate”, siç e theksoi edhe presidenti Topi.

15 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›