E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takon para dhe tetraplegjikët në grevë

Ilir Meta, së bashku me nënkryetaren Filloreta Kodra dhe deputetin Ndre Legisi, vizituan dje grevistët para dhe tetraplegjikët, që prej pesë ditësh janë të ngujuar në grevë urie në ambientet e shoqatës së tyre. Në bisedën e zhvilluar, grevistët i bënë një pasqyrim të gjithë situatës së krijuar që nga dita e ngujimit të tyre. Gjatë bashkëbisedimit me grevistët, Meta u informua gjithashtu se gjendja e tyre shëndetësore dita-ditës po keqësohet, si dhe që nga dita e sotme 20 invalidët kanë ndërprerë edhe ujin e pijshëm. Më pas duke u solidarizuar me grevistët dhe me kërkesat e tyre, Meta hoqi një vijë paralele mes kësaj greve dhe grevës së familjarëve të 9 janarit që kërkojnë drejtësi, që është një grevë e pa precedent, sepse kërkojnë vetëm vëmendjen e shtetit dhe të shoqërisë për t‘u integruar në jetën sociale të vendit. "Kjo është greva e dytë e rëndë dhe e paprecedentë që shikoj, ku duket qartë një pjesë e mirë e kolegëve tuaj që janë në një gjendje tepër të rënduar", u shpreh Meta. Ndaj, duke u bërë thirrje përfaqësuesve të qeverisë që të vijnë dhe të negociojnë me këtë grevistë, Meta tha se, dua të ftoj përfaqësuesit e qeverisë që të vijnë këtu, të dialogojnë me ju për të gjitha kërkesat tuaja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›