E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK: Projektligji për martesat e homoseksualëve, tallje me shqiptarët



TIRANE – Menjëherë pas nismës më të fundit ligjore të kryeministrit Berisha, ka reaguar Partia Demokristiane, e cila e ka konsideruar një hap të tillë, “tallje me shqiptarët”. Përmes një deklarate për mediat, PDK-ja thotë se “propozimi i djeshëm i kryeministrit është një tallje e radhës me qytetaret, një përpjekje djallëzore për të larguar vëmendjen nga problemet kryesore të shoqërisë shqiptare dhe nga problemet e shumta që kryeministri, u ka krijuar qytetarëve shqiptarë gjatë qeverisjes së tij”.
“Nëse flasim për të drejtat njerëzore në Shqipëri, kryeministri shqiptar ka një listë të gjatë shkeljesh dhe dhunimesh të të drejtave themelore që u ka bërë qytetarëve të vendit të tij, duke filluar me të drejtën për të votuar të lirë”, - thuhet në reagimin zyrtar të demokristianëve. Sipas tyre, “nuk janë të drejtat e homoseksualëve që e mbajnë Shqipërinë larg BE-së”. “Partia Demokristiane denoncon këtë ligj si një ligj që vjen në kundërshtim me natyrën e njeriut, si një ligj që vjen në kundërshtim me besimin të Zoti dhe natyrën e shenjtë të familjes dhe u bën thirrje të gjithë faktorëve të shëndoshë të shoqërisë që të kundërshtojnë miratimin e këtij ligji që nxit antivlerat, deformimet dhe degradimin e racës njerëzore”, - përfundon deklarata e PDK-së.

31 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›