E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në universitetet evropiane, skema për të marrë fonde nga programet e BE-së

Përcaktohen 36 kuota për studentët apo për ata që duan të marrin titull. Kostoja financiare dhe afatet e aplikimit. Emrat e universiteteve europiane

Çdo person që dëshiron të bëjë një master në universitetet europiane, mund të përfitojë nga financimet e Bashkimit Europian. Vetëm pak kohë më parë është njoftuar zyrtarisht nga Brukseli rritja e fondeve për të rinjtë që duan të studiojnë në universitetet e BE-së. Një program i përbashkët mes universiteteve europiane dhe atyre ballkanike, i financuar nga Komisioni Europian në kuadër të programit Erasmus Mundus, ofron mundësi për të gjitha nivelet e sistemit akademik në Shqipëri. Gazeta bën të ditur kuotat, universitetet dhe çmimet për të marrë një titull në universitetet evropiane. Projekti organizohet nga universiteti i Gracit në Austri dhe përfshin 9 universitete të njohura të vendeve të BE-së dhe 10 universitete të vendeve të rajonit.
Kuotat dhe afatet
Të paktën 36 studentë dhe pedagogë shqiptarë mund të përfitojnë të drejtën për të marrë një titull në universitetet evropiane apo edhe ato ballkanike. Kuotat janë të përcaktuara për studentët, për master, doktoraturë, post-doktoraturë, apo edhe për stafet pedagogjike të universiteteve shqiptare. Aplikimet e para mund të bëhen nga data 19 korrik deri më 1 shtator. Ndërsa periudha e dytë e aplikimeve nis më15 shtator dhe përfundon më 29 tetor të këtij viti. Rezultatet e fazës së parë të aplikimeve shpallen deri më 21 shtator ndërsa ato të fazës së dytë deri në fund të nëntorit.
Qëllimi i këtij projekti të titulluar “Join EU-SEE” është që të shkëmbejë përvojat e institucioneve universitare dhe akademike në kuadër të Procesit të Bolonjës. Synimi i projektit të financuare nga Komisioni Europian është për të zhvilluar eksperiencat universitare mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.
Çmimet dhe financimet
Për studentët shqiptarë që duan të studiojnë në universitetet evropiane, afati maksimal është 10 muaj dhe shuma mujore arrin deri në 1000 euro. Ndërsa për të marrë një master, kohëzgjatja shkon deri në 22 muaj dhe ka të njëjtën tarifë. Ndërsa për të marrë një doktoraturë, e cila zgjat deri në një vit, kostoja arrin deri në 1500 euro në muaj. Tarifat arrijnë deri në 1800 euro për të përfunduar një post-doktoraturë në një nga universitetet evropiane. Ndërsa trajnimet për stafet universitare janë 1 muaj dhe shuma që duhet të paguhet arrin deri në 2500 euro. Kostoja nuk përfshinë biletat e udhëtimit apo edhe shumat që do të përdoren për sigurimin e jetës, të cilat arrijnë deri në 75 euro në muaj. Të gjitha financimet bëhen pasi të përzgjidhen aplikimet e bëra në universitetin e Gracit në Austri, i cili përcakton edhe fituesit e programit të financuar nga BE-ja.
Degët dhe universitetet
Aplikimet bëhen thuajse në të gjitha fushat. Çdo kush mund të aplikojë një universitete të njohura evropiane si ai i Bolonjës, Lëvenit në Belgjikë, Granadës në Spanjë, apo Groningenit në Hollandë. Po ashtu, një ofertë pozitive është edhe për studentët e vendeve anëtare të BE-së, të cilët mund të studiojnë në universitetet e rajonit, përfshirë edhe në Universitetin e Tiranës. Për të garantuar të drejtën e studimit, përcaktohen një sërë kriteresh si performanca akademike; konkretisht për studentët kërkohen rezultatet, ndërsa për stafet akademike, ose jo, janë të rëndësishme eksperiencat e punës dhe publikimet shkencore. Po ashtu, në konsideratë merren edhe letra e motivacionit, niveli i gjuhës, aktivitetet shtesë, etj..
Për secilin nga kriteret e përcaktuar ka një vlerësim që shkon nga 1 – 5 dhe që bëhet nga institucioni pritës, që është në rastin konkret Universiteti i Gracit në Austri, vend ku bëhet edhe aplikimi. Për çdo rast, të dhënat gjenden në faqen e internetit: joineusee.eu.
Programi Erasmus Mundus i BE-së po zgjeron gjithnjë e më shumë mundësitë për të rinjtë nga vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, që të studiojnë apo marrin tituj akademikë në universitetet evropiane.

UNIVERSITETET E BE-SË

Universiti i Gracit Austri
Universiteti Katolik i Luvenit Belgjikë
Universiteti Masaryk, Brno, Çeki
Universiteti i Bolonjës Itali
Universiteti i Granadës Spanjë
Universiteti i Groningenit Hollandë
Universiteti i Lativas Latvia
Universiteti i Turkut Finlandë
Universiteti i Vilniusit Lituani

UNIVERSITETET E RAJONIT

Universiteti Teknik i Lindjes së Mesme Turqi
Universiteti i Shkupit Maqedoni
Universiteti i Beogradit Serbi
Universiteti i Malit të Zi Mali i Zi
Universiteti i Mostarit Bosnje
Universiteti i Novi Sadit Serbi
Universiteti i Prishtinës Kosovë
Universiteti i Sarajevës Bosnjë
Universiteti i Tiranës Shqipëri
Universiteti i Tuzlës Bosnjë

KUOTAT PËR SHQIPËRINË
Për studentë 19 (për dy kategori)
Për Master 9 (për tri kategori)
Për Doktoraturë 2
Për post-doktoraturë 3
Për stafet pedagogjike 3

Tipi i studimeve Kohëzgjatja Shuma mujore
Studime 1 simestër - 10 muaj 1000 euro
Master 1 simestër – 22 muaj 1000 euro
Doktoraturë 6-12 muaj 1500 euro
Post-doktoraturë 6 muaj 1800 euro
Stafet 1 muaj 2500 euro

Erasmus Mundus, 10 000 bursa për periudhën 2009-2010

Komisioni Evropian sapo ka miratuar pothuajse 10, 000 grante të reja për vitin akademik 2009-2010 të cilat do të financohen nga programi Erasmus Mundus. 8,385 studentë dhe akademikë do të vijnë të mësojnë apo japin mësim në Evropë, dhe 1,561 evropianë do të shkojnë në institucione partnere të vendeve jashtë BE-së. Që prej fillimit të tij në vitin 2004, programi ka qenë në gjendje ta vendose veten në pararojë të programeve ndërkombëtare të lëvizshmërisë në botë. Me rëndësinë që i jep cilësisë, ai po i shërben shkëlqyeshëm promovimit të arsimit të lartë evropian në rang botëror.”
Erasmus Mundus është një program bashkëpunimi dhe lëvizshmërie në fushën e arsimit të lartë dhe synon të rrisë cilësinë e arsimit të lartë evropian dhe të promovojë dialog dhe mirëkuptim mes popujve e kulturave nëpërmjet bashkëpunimit me vende jashtë BE-së.
Erasmus Mundus ofron kurse master dhe bursa
Gjatë vitit 2009, një radhë e re studentësh dhe akademikësh nga e gjithë bota do të marrin bursa për të mësuar ose dhënë mësim në një nga 103 kurset master të Erasmus Mundus. Këto kurse jepen nga partneritete të institucioneve më të mira evropiane të arsimit të lartë, dhe përfundojnë me marrjen e gradave të njohura masteri të dyfishtë/shumëfishtë ose të bashkuar. Së bashku, kurset dhe bursat arrijnë objektivat e përgjithshëm të Erasmus Mundus – rritjen e cilësisë së arsimit të lartë evropian dhe promovimin e tij në botë.
Duke filluar në vitin akademik 2009-2010, 1,833 studentë do të përftojnë bursa për të studjuar për një ose dy vjet në një kurs masteri të zgjedhur nga ata, përkrahë studenteve nga Evropa. Studentët i ndjekin studimet e tyre master në dy ose më shumë universitete Brenda partneritetit te atij masteri. 489 akademikë me arritje të shkëlqyera akademike do të vijnë në Evropë për periudha më të shkurtra kohore për të dhënë mësim, për punë kërkimore ose për mësimdhënie individuale në një nga programet e masterit të Erasmus Mundus.
Fituesit e bursave vijnë nga 105 vende: Kina është vendi me përfaqësinë më të madhe, e pasuar nga India, Brazili, Meksika, Bangladeshi, SHBA, Etiopia, Rusia dhe Indonezia. Akademikët vijnë nga 75 vende; ato më të përfaqësuarat në këtë kategori janë SHBA, Kina, India, Australia dhe Kanada-ja. Në të përfshihet edhe Shqipëria. Erasmus Mundus mbështet partneritete institucionale ndërkombëtare për lëvizshmërinë e arsimit të lartë Për periudhën 2009-2010 Erasmus Mundus do të financojë edhe 39 partneritete mes institucioneve evropiane të arsimit të lartë dhe ato që janë pjesë e politikës së jashtme të bashkëpunimi të BE-së. Ajo që synohet është rritja e burimeve njerëzore dhe kapaciteteve për bashkëpunim ndërkombëtar të vendeve jo-evropiane nëpërmjet lëvizshmërisë mes Bashkimit Evropian dhe këtyre vendeve. Gjithsej, këto partneritete përfshijnë 735 institucione të arsimit të lartë – 349 nga BE-ja dhe 386 nga vende të tjera – dhe përqendrohen te bashkëpunimi akademik dhe shkëmbimet e studentëve dhe akademikëve.
Për periudhën 2009-2010, do të jepen 7,624 grante lëvizshmërie për vizita studimore, pune kërkimore dhe mësimdhënie me kohëzgjatje nga tre muaj deri në tre vjet për nivelet akademike universitare, pasuniversitare (master), doktorature dhe pas-doktorature, dhe për stafin akademik. Përfshihet këtu mundësia për 1,561 evropianë të vizitojnë institucionet partnere në vendet jashtë Evropës dhe për 6,063 studentë dhe akademikë nga jashtë Evropës të vizitojnë institucionet partnere evropiane.
2009 shënon fillimin e fazës së dytë të programit Erasmus Mundus, i cili do të vazhdojë deri në vitin 2013. Viti akademik 2010-2011 ka elementë të rinj, përfshirë bursa për një sërë programesh doktorature të sapo përzgjedhura dhe grante që studentë evropianë të udhëtojnë drejt universiteteve pjesëmarrëse jashtë BE-së.

Kush mund të aplikojë

Studentët apo pedagogët e universiteteve partnere në Ballkan

Shtetasit e rajonit të regjistruar në universitetet e një prej 6 vendeve partnere, por që nuk janë përfshirë në programin “Join EU-SEE”

Shtetasit e rajonit që kanë mbaruar studimet në këto universitete dhe punojnë në sektorin privat apo administratën publike

Shtetasit e vendeve të rajonit që kanë mbaruar studimet dhe përfshihen në kategori të tilla; si janë minoritarë, refugjatë, azil-kërkues, janë të sëmurë, apo kanë probleme ekonomike.

31 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›