Shoqata e homoseksualëve: Nisma e Berishës i shërben emancipimit të shoqërisë
Vetëm disa orë pas deklaratës së kryeministrit Berisha dhe planit për të futur në procedurë parlamentare miratimin e paketës së re ligjore, shoqata që mbron interesat e komunitetit të homoseksualëve ka pohuar se kjo do ti shërbejë emancipimit të shoqërisë. “Aleanca Kundër Diskriminimit të LGBT (lesbike, gay, biseksual, transxhender) e mirëpriti deklaratën e djeshme të Kryeministrit Berisha në mbështetje të Ligjit Kundër Diskriminimit dhe të drejtës së martesës për personat gay në Shqipëri”, - thuhet në deklaratën zyrtare të kësaj organizate. Madje, Aleanca ka kërkuar “mbështetjen e të gjitha palëve dhe miratimin e Ligjit Kundër Diskriminimit sa më shpejt, pas fillimit të sezonit të ri parlamentar”. “Ky nuk është vetëm një hap drejt integrimit Evropian, por i shërben kryesisht emancipimit të shoqërisë shqiptare. Ne jemi krenar që vendi ynë po i bashkohet shumë vendeve të tjera, duke mbështetur barazinë dhe duke refuzuar diskriminimin ndaj personave homoseksualë, biseksualë dhe transxhender”, - thuhet në këtë deklaratë të bërë për shtypin. Aleanca Kundër Diskriminimit të LGBT është një organizatë e ngritur dhe e përbërë nga persona heteroseksualë, homoseksualë, biseksualë dhe transxhender që synon të luftojë diskriminimin e bazuar te orientimi seksual dhe identiteti gjinor.
Vetëm tre vende europiane ligjërojnë martesat mes homoseksualëve
Vetëm tri vende anëtare të Bashkimit Europian kanë ligjëruar martesat mes personave të të njëjtit seks, ndërsa në Itali ka dështuar një nismë e tillë. Ato janë Hollanda
Belgjika dhe Norvegjia, të cilat shërbejnë për “ligjërimin” e martesave të këtij lloji, ndonëse nuk njihen në vende të tjera. Shumë vende europiane kanë pasur presione të forta në lidhje me homoseksualët, martesën e tyre, por edhe kërkesën për të adoptuar një fëmijë. Një zgjidhje racionale është dhënë nga Franca. Në këtë shtet, dy homoseksualë paraqiten në njësinë e qeverisjes vendore, bashkia ose komuna, dhe kërkojnë që të regjistrohen si homoseksualë. Ata pajisen me një dokument "Pacte Civil de Solidarité", që do të thotë se shoqëria i pranon për atë që janë, i njeh për atë që janë dhe i lejon që të bashkëjetojnë lirisht. Kjo zgjidhje ka lënë të kënaqur komunitetin gay dhe pjesën tjetër të personave që ishin kundër martesave të homoseksualëve. Për, në vitin 2004, çifte gay thyen rregullat dhe u martuan. Që nga ajo kohë ka nisur një debat i ashpër ligjor ku gjykatat anulojnë martesat gay. Edhe britanikët kanë gjetur një zgjidhje interesante për martesat gay. Termi që përdoret për çiftet gay që bashkëjetojnë është "Partnership civil". Kjo i jep çifteve gay të gjitha të drejtat e martesës por jo një martesë legale.
31 Korrik 2009