E Diel, 1 Nëntor 2026

Besimet fetare dhe Kodi i Familjes, pengesë për nismën e Berishës pro-gejve

Komunitetet fetare dhe partitë kundërshtojnë ligjërimin e martesave të tilla. Flasin ekspertët ligjorë. Shoqata e homoseksualëve vlerëson Berishën

Martesa mes personave të të njëjtit seks, e paralajmëruar në projektligjin kundër diskriminimit, ka hasur në kundërshtimin e ashpër të komuniteteve fetare, por kërkon edhe ndryshimin e paketës ligjore që bëhet e mundur vetëm me 84 vota në Kuvendin e Shqipërisë. Por, nisma që ka ndërmarrë kryeministri Berisha, me propozimin e organizatave jo-qeveritare ka hasur në rezistencën e komuniteteve fetare apo disa partive politike. Përfaqësuesit e komuniteteve fetare, si ai mysliman, katolik, ortodoks, apo edhe bektashinj, e kanë konsideruar të pamoralshme dhe të papranueshme nismën e propozuar nga Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të mbështetur nga qeveria. Brenda një kohe të shkurtër, kjo çështje ka pushtuar të gjithë hapësirën e debateve politike në këto ditë vere, kur të gjithë presin mbledhjen e parlamentit të dalë nga zgjedhjet dhe krijimin e qeverisë së re. Ndërkaq, hartuesit dhe mbështetësit e projektligjit kundër Diskriminimit, në ndryshim nga zoti Berisha, kanë pohuar se nuk përmendet askund në draft martesa mes personave të të njëjtit seks.
Problemet ligjore
Martesat brenda gjinisë në Shqipëri nuk mund të kryhen pa ndryshuar Kodin e Familjes. Kështu është shprehur dje për mediat konstitucionalistja e njohur Aurela Anastasi, e cila drejton edhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit. “Nuk ka një pikë në draftin e përgatitur nga organizatat për të drejtat e njeriut në vend, ku të kërkohet legjitimimi i martesave mes homoseksualëve meshkuj apo femra, por edhe nëse do të kishte një të tillë, ky ligj nuk do të mund të kalonte për miratim në Parlament, pasi më parë, do të duhej të ndryshohej Kodi i Familjes”, - tha zonja Anastasi. Sipas saj, Kodi përcakton se martesë konsiderohet ai veprim që kryhet mes mashkullit dhe femrës. Në këtë mënyrë, përjashtohet ligjërisht që të funksionojnë qoftë dhe me një ligj shtesë, martesat brenda të njëjtës gjini.
Në fakt, një projektligj si ai i përgatitur nga Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, që ka si emërtesë dhe si objekt, luftën ndaj diskriminimit të minoriteteve, mund të kalohet në Parlament për votim, vetëm nëse nuk ka të përfshirë si nen, martesën brenda gjinisë dhe mund të ligjërohet thjeshtë duke marrë 36 vota ose 50 për qind + 1 të deputetëve të pranishëm në sallë, që në rast votim projektligjesh duhet të jenë jo më pak se 71, pra pak më shumë se gjysma e deputetëve.
Zonja Elsa Ballauri, drejtoresha e GSHDNJ, e cila është nismëtare e draftit ligjor, ka vlerësuar mbështetjen e ofruar nga kryeministri Berisha, duke e konsideruar një “politikan të mençur dhe pragmatik”. Ajo ka pohuar se politika shqiptare do të tregohet mendjehapur me miratimin e këtij projektligji. Për ndryshimin e Kodit të Familjes duhen të paktën 3/5 e votave të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.
Besimet dalin kundër
Propozimi i Berishës për lejimin e martesave mes personave të të njëjtit seks ka hasur në kundërshtimin e menjëhershëm dhe të ashpër të të gjitha komuniteteve fetare në vend. Selim Muça, kryetar i Bashkësisë Islame – Komuniteti Mysliman Shqiptar, tha se një iniciativë e tillë, është e papranueshme dhe ajo nuk duhet të kalojë për ligjërim në Parlament. “Kurani e ndalon në mënyrë kategorike mundësinë e martesave homoseksuale, jo më kot janë krijuar femra dhe mashkulli, për t’u bashkuar mes tyre dhe për të siguruar vazhdimësinë e njerëzimit”, ka pohuar Selim Muça. “Martesa është bashkim i burrit dhe i gruas. Ne nuk kemi asnjë aftësi të dënojmë ose të gjykojmë homoseksualët, megjithatë nuk mund të injorojmë faktin që sipas planit të zotit se martesa është bashkim i dy sekseve të ndryshme. Fatkeqësisht sot ligje të tilla konsiderohen si shenja përparimi, por në të vërtet nuk është ashtu, përkundrazi është detyrë e çdo shteti të mbroj martesën, - u shpreh At Gjergj Frendo, i cili i ka bërë apel shtetit që të mbrojë shenjtërinë e familjes. Edhe përfaqësues të besimit ortodoks janë në të njëjtën linjë. Peshkopi Andon Merdani, ka theksuar se kjo martesë nuk mund të aprovohet nga ana fetare. “Për Kishën Ortodokse, ashtu edhe si për shumë Kisha të tjera, veprimi dhe akti që kryhet mes dy njerëzve të së njëjtës gjini është i dënueshëm”, - ka pohuar përfaqësuesi i komunitetit ortodoks.
Propozimi
Për herë të parë kryeministri Sali Berisha bëri të ditur nismën ligjore dy ditë më parë, gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Integrimin. Ai pohoi se ky draft është përgatitur dhe ofruar nga shoqëria civile dhe ka të bëjë me të drejtat e pakicave të qëndrimeve të caktuara. Berisha tha se mbetet të shihet se cilat do të jenë qëndrimet dhe sa do të mund të favorizohen ato. Berisha dha mendimin personal se “pavarësisht nga debati që mund të ngjallë ky ligj, diskriminimi është i papranueshëm”. Këtu kryeministri “spekuloi”, kur tha se “ky ligj ka të bëjë me të drejtat e martesave brenda gjinisë dhe probleme të tjera të kësaj natyre” dhe shtoi: “Kjo synon thjesht vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese, të një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet evropiane”. Por, sipas drejtoreshës së GSHDNJ, zonjës Elsa Ballauri, nuk përmendet në projektligj martesa mes personave të të njëjtit seks, por synon që të vendosë mbrojtje ligjore për komunitetet e diskriminuara ti homoseksualët, lesbiget, biseksualët, etj..

KODI I FAMILJES

Martesa
Kreu I

KUSHTET THELBËSORE PËR LIDHJEN E MARTESËS

Mosha e lidhjes së martesës
Neni 7
Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç.

Gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe.

31 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›