E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Rama rritin tonet e akuzave

03/12/2009  Berisha publikon dosjet e biznesmenëve dhe politikanëve që kanë përfituar toje ndërtimi

500 mijë metra katrorë të marra në shkelje të ligjit

“Edi Rama me kupolën punistomafioze më të rrezikshmit në Tiranë dhe Ballkan”

Kryeministri Sali Berisha ka dalë mbrëmjen e djeshme për të bërë publike një dosje, në të cilën gjendeshin emrat e biznesmenëve dhe politikanëve që sipas tij kanë përfituar në mënyrë të paligjshme dhjetëra mijë metra katrorë truall për ndërtim. Kreu i qeverisë ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste Edi Rama, si njeriun që u ka dhënë leje ndërtimi dhe ka ndihmuar këta persona për të përfituar trojet në shkelje flagrante të ligjit, madje edhe duke ua gllabëruar pronarëve të vërtetë. Berisha renditi emra, si Koço Kokëdhima, Ilir Mata, Tom Doshi, Nard Ndoka, Fidel Ylli, Dash Peza, Besnik Sula, Arian Leskaj, Sadri Abazi e Tan Dulaku. Sipas Berishës, të marra së bashku janë rreth 500 mijë metra katrorë truall si brenda, ashtu dhe jashtë unazës së Tiranës, me një vlerë prej rreth 750 milionë euro. Shefi i ekzekutivit ka theksuar se të gjithë këta persona, me në krye Edi Ramën, përbëjnë kupolën punistomafioze më të rrezikshme jo vetëm në Tiranë e Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin. Kryeministri deklaroi se është pikërisht kjo kupolë mafioze që nuk dëshiron të njohë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe shtyn kryesocialistin Rama të lëshojë ultimatume për hapje të kutive të votimit dhe rinumërim të votave. Berisha tha se Rama bashkë me bashkëpunëtorët e tij punistomafiozë kërkon të bllokojë “me një donkishotizëm aventureskt rrugën drejt Bashkimit Europian”. Ai bëri me dije se Rama ka dërguar në Bruksel emisarët e tij për të manipuluar opinionin e institucioneve ndërkombëtare. Madje, kreu i qeverisë tha se në takimet me ndërkombëtarët përfaqësuesit politikë të kësaj kupole të rrezikshme u kanë thënë se “po të liberalizoni vizat me Shqipërinë, do të lëshohen drejt vendeve tuaja kriminelët shqiptarë”. Kryeministri Berisha deklaroi se do të bëjë gjithçka në pushtetin e tij dhe të qeverisë që drejton të dërrmojë këtë mafie. Ai nënvizoi se gjatë mandatit të parë iu dedikua dërrmimit të bandave, ndërsa gjatë këtij mandati do të asgjësojë klanet mafioze. Kryeministri bëri me dije se vetë Rama i ka dërguar mesazhe, në të cilat i ka kërkuar të bjerë dakord për t’i falur atij presidentin e radhës, të bashkëqeverisë vendin dhe favore të tjera.

Tan Dulaku - mbi 145 mijë metra katrorë truall për ndërtim

Arian Leskaj - afro 62 mijë metra katrorë truall për ndërtim

Sadri Abazi - afro 54 mijë metra katrorë truall për ndërtim

Fidel Ylli - mbi 47 mijë metra katrorë truall për ndërtim

Besnik Sula - afro 46 mijë metra katrorë truall për ndërtim

Tom Doshi - mbi 29 mijë metra katrorë truall për ndërtim

Nard Ndoka - mbi 27 mijë metra katrorë truall për ndërtim

Koço Kokëdhima - mbi 24 mijë metra katrorë truall për ndërtim

Ilir Mata - mbi 21 mijë metra katrorë truall për ndërtim

Dosjet në prokurori

Kreu i qeverisë ka deklaruar se dosja e paraqitur nuk është e vetme, por ka edhe të tjera, të cilat gjithashtu do të bëhen publike. I pyetur nëse këto dosje dhe shkeljet e vërejtura në to do t’i kalojnë prokurorisë, Berisha tha se do ta kryente këtë veprim. “Ekzekutivi do të merret me gjithë forcën e tij dhe pa dyshim që do t’i çojë në prokurori”, - tha ai. kryeministri theksoi se gjatë ditëve në vijim do të dalin përfaqësues të tjerë të qeverisë dhe të agjencive të tjera shtetërore për të publikuar fakte të tjera.

Liberalizimi i vizave

Për kryeministrin Berisha kupola punistomafioze është e angazhuar në një kryqëzatë, në thelb të së cilës është qëllimi për të bllokuar procesin e liberalizmit të vizave dhe integrimin evropian të vendit. Berisha tha se Rama ka dërguar emisarë të tij me dosje të manipuluara drejt Brukselit. Por kreu i qeverisë ka deklaruar se ka një dallim të madh mes kësaj kupole dhe opozitës së vërtetë, përfaqësuese të popullit. Ai tha se i ka bërë një ofertë të ndershme opozitës për të bashkëpunuar në Parlament.

Sulmet

PD godet kreun e PS-së, Edi Rama

Partia Demokratike ka vazhduar sulmet kundër kryesocialistit Edi Rama. Anëtari i kryesisë së PD-së Jemin Gjana e ka cilësuar Ramën një person vulgar dhe përdhunues, që tenton të djegë Shqipërinë. “Ne s’jemi marrë më gratë e Ramës, por gjuha e tij na detyron të reagojmë. Rama është përdhunues”, - tha Gjana. Ndërsa zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, deklaroi se sipas disa dokumenteve Rama gjatë procesit të divorcit me bashkëshorten e parë ka mohuar atësinë e fëmijës. Mëhilli tha se “ky njeri, që mohon fëmijën e vet, nuk mund të ndërtojë të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve”.

Peticioni

Ndoka ankohet në Vatikan për votën

Partia Demokristiane i ka dërguar një peticion Selisë së Shenjtë, përmes secilës e ka informuar për qëndrimin e kryeministrit Sali Berisha ndaj komunitetit katolik në Shqipëri dhe në veçanti ndaj partisë së tij, si përfaqësuese e vlerave kristiane dhe europiane. Në peticionin informues të përgatitur për Selinë e Shenjtë në prag të vizitës së kryeministrit Berisha në Vatikan dhe takimit të tij me Papa Benediktin XVI, theksohet se kreu i qeverisë ka ndjekur një strategji eliminuese ndaj PDK-së dhe nëpërmjet aktit të shëmtuar dhe të dënueshëm të vjedhjes së votës pengoi përfaqësimin e kësaj partie në Parlament.

Lidershipi i socialist mbledh grupin e PS-së dhe aleatët e saj për strategjinë

Kupola rozë merr vendimet jashtë forumeve drejtuese

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste mblidhet sot për të thënë fjalën e tij mbi strategjinë e hartuar nga kupola rozë për zhvillimet e mëtejshme që do të ndjekë ky kamp. E paravendosur nga lidershipi socialist, kjo strategji do të parashtrohet gjatë mbledhjes së sotme. Por gjatë këtij takimi është menduar të marrin pjesë veç deputetëve të kësaj partie edhe krerët e PS-së në bashki e komuna si dhe aleatët e socialistëve, përfshirë këtu dhe partnerët më të rinj që i janë bashkuar kampit rozë. Nga ana tjetër, bazuar në vetë librin e rregullave të Partisë Socialiste, është kryesia e kësaj partie ajo që merr vendime dhe ia delegon më pas grupit parlamentar që pas diskutimeve të artikulojë vendimin politik mbi një çështje të caktuar. Ndërkohë që së fundi një forum i tillë është anashkaluar plotësisht, për më tepër tashmë vendimet janë të paravendosura dhe grupi parlamentar vetëm sa njihet me to. Madje, referuar takimit të sotëm, pritet që ligjvënësit socialistë të njihen me hapat që do të ndjekë në vijim partia e tyre në të njëjtën kohë me aleatët e kësaj partie. Megjithatë, ajo që mësohet paraprakisht lidhet me faktin se socialistët do të vijojnë protestat e tyre, por tashmë jo më deri në hapjen e kutive të votimit, por deri në momentin kur do të pranohet një tjetër kërkesë: ajo e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme. E në fakt, gjatë ditëve të fundit, përfshirë edhe ditën e djeshme, ditë e cila përkonte me përfundimin e ultimatumit që PS-ja i kishte vënë mazhorancës për të reflektuar ndaj kërkesës për hapjen e kutive, janë hedhur sinjale të qarta, ku pritet që selia rozë të mos tërhiqet nga përshkallëzimi i protestave me të gjitha grupet e interesit. Por mbetet vetëm pas mbledhjes së sotme të bëhet me dije skema që do të ndjekë Partia Socialiste lidhur me aksionin e saj politik. Ndërkohë pritet që gjatë kësaj mbledhjeje të marrin pjesë dhe deputetët përfaqësues të lëvizjes për mendimin ndryshe në PS. Kështu, krahas mendimeve që shkojnë në një linjë me qëndrimin e lidershipit socialist, në këtë takim pritet të ketë dhe zëra kundër nismave të ndërmarra dhe që pritet të ndërmerren nga Partia Socialiste.

Namik Dokle

“Sot është dita e fundit që opozita ka pritur reflektimin serioz të mazhorancës dhe kryeministrit të saj lidhur me kërkesat tona për hapjen e kutive dhe një sërë elementesh të tjera. Por të paktën deri në këtë moment kërkesat e qarta, demokratike, të drejta e të arsyeshme të opozitës morën si përgjigje një gjuhë agresive dhe të çoroditur nga kryeministrit, qeveritarët dhe orkestra e çakorduar parlamentare.”

Armela Imeraj

“Pamë një tjetër paradë të ushtarëve besnike të Sali Berishës, që përdoren sërish gjuhën e urrejtjes. Pamë sërish ministra që vazhdojnë të dhunojnë ekranet e familjeve shqiptare me shpifje dhe gënjeshtra nga më të ndryshmet dhe më monstruozet. Ne i bëjmë edhe një herë thirrje Sali Berishës të gjejë kurajën për të dëgjuar dhe respektuar vullnetin e një populli të tërë, që sot kërkon hapjen e kutive.”

Drejtroresha juridike e Bashkisë akuzon Olldashin, Berishën dhe PD-në

Bashkia e Tiranës 3 padi qeverisë në gjykatë

Subjekti i padisë civile: Shpifja. Kërkesa e bashkisë: dëmshpërblim për pemë

TIRANË - Bashkia e Tiranës dje në orët e paradites ka regjistruar në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë tri padi civile. Njëra prej padive është kundër kryeministrit Sali Berisha, një për ministrin e transporteve Sokol Olldashi dhe e treta për partinë Demokratike. Bashkia kërkon nga tri subjektet e paditura të bëjnë përgënjeshtrimin publik për të gjitha shpifjet e bëra kohët e fundit në adresë të saj. Në emër të Bashkisë padia u regjistrua nga drejtoresha juridike Migena Vishko. Ndërkohë dje menjëherë pas regjistrimit të padisë juristja ka bërë edhe daljen e saj në mendje, duke deklaruar se për institucionin që ajo përfaqëson janë hedhur një lumë me shpifje nga kryeministri, Sokol Olldashi, nga depotë dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike. Por ndërsa ka regjistruar padi për kryeministrin dhe Partinë Demokratike, Migena Vishko nënkupton dy padi për Sali Berishën. Bashkia e Tiranës ka paditur në gjykatën e Tiranës kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Transporteve Sokol Olldashi dhe Partinë Demokratike. Por Vishko nuk ka kërkuar në padinë civile dëmshpërblim financiar. Nga të tria subjektet e paditura Bashkia e Tiranës kërkon një dëmshpërblim në natyrë: kërkon që për secilën padi të blihen 1250 rrënjë pemë dhe të mbillen në të gjithë Tiranën. Pra, për të tria paditë Bashkia kërkon 375 rrënjë pemë. Vishko ka shtuar se këto padi janë bërë nga Bashkia e Tiranës, e cila kërkon nga këto tri subjekte përgënjeshtrim ndaj shpifjeve që i janë drejtuar këtij institucioni. Gjithashtu Bashkia e Tiranës kërkon zhdëmtim për cenimin e dinjitetit. Ajo ka paralajmëruar se do të bëjë edhe padi penale ndaj Berishës dhe Olldashit për akuza të pavërteta, sipas saj, për korrupsion. “Paditë sot ishin kallëzim civil, por jemi gati për kallëzim penal”, - tha Vishko. Padia e regjistruar dje në sekretarinë e gjykatës pritet të hidhet sot në short. Pas hedhjes së shortit gjyqtari që do të caktohet brenda një kohe shumë të shkurtër do të fillojë shqyrtimin e saj. Pas padisë civile juristja deklaroi se do të regjistrojë edhe një padi penale në prokurori për subjektet në fjalë për shpifje. Bashkia e Tiranës shprehet në padi se administrata dhe drejtuesit e saj nuk kanë bërë korrupsion dhe kanë punuar me ndershmëri. Trualli konfliktual në qendër të Tiranës ishte shkaku që ministri i Transporteve Sokol Olldashi paraqiti disa dokumente, të cilat sipas tij dëshmojnë se Bashkia e Tiranës ishte në dijeni kohë më parë për pronësinë e këtij trualli. “Zoti Rama dhe e gjithë Bashkia e Tiranës janë qartësisht në dijeni të faktit se ajo është një pronë publike, e cila është shkelur në mënyrë të parregullt. Se cilat janë shkaqet që e detyrojnë Edi Ramën, Bashkinë e Tiranës dhe deputetët socialistë të dalin dhe të gënjejnë në mënyrën më të pahijshme, kjo merret lehtësisht me mend”, - ka deklaruar Olldashi.

ǒkërkon Bashkia?

Bashkia e Tiranë kërkon që për secilën padi të blihen 1250 rrënjë pemë dhe të mbillen në të gjithë Tiranën. Pra, për të tria paditë bashkia kërkon 375 rrënjë pemë. Vishko ka shtuar se këto padi janë bërë nga Bashkia e Tiranës, e cila kërkon nga këto tri subjekte përgënjeshtrim ndaj shpifjeve që i janë drejtuar këtij institucioni. Gjithashtu Bashkia e Tiranës kërkon zhdëmtim për cenimin e dinjitetit.

Pikënisja e padisë

Ishte debati për truallin konfliktual në qendër të Tiranës që shtyu bashkinë të ngrejë padi. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka thënë: “Rama pranon që vetë prona është publike. Ndërkaq ata befas dalin dhe thonë se kjo pronë nuk është më publike dhe se shteti po cenoka pronën private. Atëherë të gjithëve na lind e drejta të bëjmë pyetjen: kush fshihet pas gënjeshtrave të zotit Rama, interesat e kujt dhe sa vlejnë këto interesa në para?”

Iniciojnë protestat nga Bashkia e Tiranës

Rama: Berisha po shkel hapur Kushtetutën

Thellohet më tej konflikti ndërmjet pushtetit vendor dhe atij qendror. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, së bashku me punonjësit e administratës së këtij institucioni kanë iniciuar gjatë ditës së djeshme serinë e protestave, që do të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme, duke akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Berisha për gjendjen e krijuar. Kryebashkiaku Rama ka pohuar me tone të ashpra se kryeministri Berisha po shkel Kushtetutën, duke paralizuar punën e pushtetit vendor, çka është shoqëruar me nxjerrjen e pengesave në realizimin e projekteve të ndërmarra nga vendorët për të gjithë sektorët, e veçanërisht ato të investimeve për qytetarët. Gjithashtu Rama ka akuzuar dikasterin qeveritar se po bëhet shkak i mbylljes dhe falimentimit të gjysmës së bizneseve të vogla në kryeqytet, në rast se do të zbatohet vendimi i marrë për trajtimin e subjekteve që kanë xhiro nga 5-8 milionë lekë si subjekte të mëdha. Këto të fundit rrezikojnë falimentimin për shkak të detyrimeve të larta që duhet të shlyejnë, çka do t’i kushtojë rëndë të ardhurave që mblidhen nga bashkia. Sipas tij, janë ulur ndjeshëm investimet për Bashkinë e Tiranës dhe të gjitha grandet që pretendon ajo se i ka dhënë kësaj bashkie janë vetëm gënjeshtra. “Kemi kërkuar të aplikojmë taksat e ndara, ashtu sikurse e parashikon ligji. Nuk është faji im që këta njerëz që qeverisin nuk e dinë ligjin, sepse jemi i vetmi vend në Evropë që nuk i kemi taksat të ndara. Buxheti për njësitë vendore të ndahet në bazë të kritereve bashkëkohore. T’i jepet fund kësaj praktike, sepse edhe së fundi qeveria e Sali Berishës gënjen se ka katërfishuar grandet ndaj Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës ka fituar dy herë më pak sesa ka marrë vite më parë”, - ka thënë Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›