E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ngre Institutin e Studimeve Evropiane

04/12/2009  Integrimi në BE

Qeveria ka miratuar vendimin për ngritjen e Institutit të Studimeve Evropiane pranë Universitetit të Tiranës. Gjatë prezantimit të kësaj nisme kryeministri Sali Berisha ka theksuar se ky institucion është i domosdoshëm dhe do të ketë një rol të rëndësishëm në përgatitjen dhe kualifikimin e ekspertëve shqiptarë në fushën e integrimit europian. Sipas tij, ngritja e Institutit përbën një arritje të madhe në përpjekjen tonë në përgatitjen dhe kualifikimin e specialistëve, ekspertëve të nevojshëm, që t’i përgjigjen me efiçencë të plotë, zotësi e kompetencë problematikës universale që del nga procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai bëri me dije se modeli i përzgjedhur është ai i adaptuar nga Spanja dhe i sugjeruar po nga ky vend, që merr kryesinë e radhës së BE-së. Ky institut do të funksionojë si një qendër ndëruniversitare, i cili do të asistohet edhe nga institutet analoge të vendeve anëtare të BE-së. Gjithashtu gjatë mbledhjes së qeverisë është miratuar edhe vendimi që përcakton procedurat e përkthimit të pyetësorit të Komisionit Europian në kuadër të anëtarësimit të vendit në BE. Në vendim thuhet se Ministria e Integrimit organizon procesin e përzgjedhjes së përkthyesve për përkthimin dhe rishikimin e përkthimit të pyetësorit të BE-së. Vlerësimi i kandidaturave bëhet nga një komision vlerësimi, i ngritur me urdhër të ministres së Integrimit. Në vendim thuhet se tarifa e shpërblimit për përkthimin dhe rishikimin e përkthimit për një faqe kompjuterike është 2 mijë lekë, sipas standardeve të miratuara nga ministrja e Integrimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›