E Diel, 1 Nëntor 2026

Institucionet më shumë për personat me aftësi të kufizuara

04/12/2009  Konventa

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e djeshme Konventën e Kombeve të Bashkuara “Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”. Duke prezantuar këtë dokument shumë të rëndësishëm pikërisht në ditën botërore të personave me aftësi të kufizuara, kreu i qeverisë, Sali Berisha, theksoi se institucionet shqiptare duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të zgjeruar dhe rritur aftësitë e këtyre personave në dobi të tyre, familjes dhe shoqërisë. “Kjo konventë do të gjejë jetësim të plotë dhe përbën një detyrim madhor për të gjitha institucionet e vendit, në mënyrë që të japin kontributin e tyre me projekte dhe qëndrime konkrete ndaj këtyre qytetarëve me aftësi të kufizuar, por që me një përpjekje të përbashkët aftësitë e tyre mund të zgjerohen, të rriten dhe të bëhen shumë të dobishme për ata vetë, familjet e tyre dhe shoqërinë shqiptare”, - deklaroi kryeministri. Ai theksoi se do të adaptohet një qëndrim i ri ndaj kësaj kategorie shoqërore, që do të përqendrohet jo vetëm në qendrat e kujdesit social, por edhe te riaftësimi, punësimi dhe shkollimi i tyre. Berisha tha se qeveria duhet të thellojë më tej dhe me shpejtësi një qëndrim të ri ndaj personave me aftësi të kufizuara. “Asnjë qeveri në Europë, në një hark kohor të shkurt, nuk ka bërë përpjekje më të mëdha, të njohura tani edhe ndërkombëtarisht, sesa qeveria shqiptare. Mund të them se janë rritur me mbi 50 për qind shpenzimet në këtë sektor, por është jashtëzakonisht e rëndësishme që krahas rritjes së shpenzimeve të gjendet mënyra më efiçente e ndihmës”, - deklaroi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›