E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gati të presim të burgosurit e Guantanamos”

03/12/2009  Berisha takim kokë më kokë me ambasadorin Uidhers dhe Daniel Fried

Shefi i ekzekutivit thotë se nuk do të merren ujgurë

Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar dje një takim të veçantë me ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, dhe të dërguarin special të Uashingtonit, Daniel Fried. Pas këtij takimi kreu i qeverisë ka sqaruar gjatë një konference për shtyp se ka diskutuar mbi rritjen e pjesëmarrjes së vendit tonë në trupat paqeruajtëse në Afganistan. Kryeministri deklaroi se me shtimin e trupave të saj Shqipëria jep kontributin edhe mbi proporcionin e saj në këtë çështje të madhe të paqes botërore, siç është paqja, stabiliteti dhe siguria e Afganistanit. Ndërkohë, i pyetur në lidhje me mundësinë për pritjen në vendin tonë të të burgosurve nga burgu i Guantanamos, kryeministri Berisha tha se qeveria shqiptare është shprehur e gatshme për t’i pritur ata. Ai tha se këtë ia ka bërë të ditur edhe sekretares amerikane të Shtetit Hilari Klinton, duke iu përgjigjur pozitivisht një kërkese të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të marrë të tjerë ish-të burgosur nga burgu i Guantanamos, por ai shtoi se nuk do të pranohet që të strehohen të burgosur me origjinë ujgure. “Kam deklaruar se nuk mund të jenë ujgurë, sepse, për arsye tashmë të njohura, unë jam transparent, i hapur, marrëdhëniet me Kinën kanë për Shqipërinë një rëndësi të veçantë. Kina është një vend mik, ndaj dhe nuk mund të komplikohet”, - theksoi ai. Berisha theksoi se mbi këtë pikë ka pasur mirëkuptim.

Trupat shtesë

Kryeministri Berisha ka bërë me dije se Shqipëria do të dërgojë trupa shtesë në Afganistan. Ai tha se qeveria shqiptare, si vend anëtar i NATO-s, mik e aleat i SHBA-ve dhe i Afganistanit, vendos t’i përgjigjet nismës së re të Presidentit Obama me një shtim të ri të forcave tona në Afganistan, duke dërguar përveç dy kompanive që veprojnë në Herat edhe 85 trupa shtesë, nga këto rreth 35 do të jenë trupa luftimi. Sipas tij, 25 do të jenë oficerë për stërvitjen e ushtrisë afgane dhe 20 të tjerë do të jenë ekip mjekësor, mjekë e infermierë. Berisha tha se kontributi jepet mbi proporcionin e saj. Ai tha se vendimi është marrë pas konsultave që ka pasur para tri ditësh me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Rasmusen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›