E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Detyrim transparenca e vendimeve dhe lidhjeve të politikanëve”

04/12/2009  Kryetarja e Kuvendit drejtoi seminarin mes sekretarëve ballkanas

Topalli: Së shpejti seancat parlamentare do të transmetohen online

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka përsëritur dje idenë për domosdoshmërinë e bërjes publike të çdo shkeljeje të politikanëve. Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën për dixhitalizimin e pushtetit legjislativ me sekretarët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor ajo e ka argumentuar një gjë të tillë me transparencën e politikës ndaj qytetarëve shqiptarë. Ajo premtoi gjithashtu se së shpejti të gjitha seancat parlamentare do të transmetohen on-line. “Transmetimi on-line i seancave të Kuvendit në internet do të bëhet i mundur brenda një kohe të shkurtër, duke i shtuar një shërbim tjetër faqes www.parlament.al.”, - tha Topalli. Në hapje të diskutimeve Kryetarja e Kuvendit vlerësoi si shumë të rëndësishëm ndikimin që ka përdorimimi i teknologjisë së komunikimit dhe informacionit në forcimin dhe përtëritjen e demokracisë. “Detyra jonë si kryetarë të parlamenteve apo deputetë është të ushtrojmë vullnetin tonë politik për të promovuar e inkurajuar e-parliament në nivel kombëtar e ndërkombëtar, me qëllim përmirësimin e cilësisë së demokracisë dhe evoluimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike në vitet që vijnë”, - theksoi ajo. Duke theksuar se ky aktivitet zhvillohet në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë po përjeton një revolucion të vërtetë të zhvillimit teknologjik dhe të informacionit, Kryetarja e Kuvendit përmendi disa nga investimet që po bëhen aktualisht për të transformuar Kuvendin e Shqipërisë në një e-parliament të kohës. Në këtë pikë kryeparlamentarja veçoi dhe krijimin e një database të ligjeve, projekt i cili do të vendosë Parlamentin e Shqipërisë në të njëjtin nivel me parlamentet e Evropës. Në seminar morën pjesë përfaqësues të lartë të administratës të parlamenteve të Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë. Të pranishëm për të ndarë përvojën e tyre me kolegët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jenë gjatë punimeve edhe ekspertë nga parlamenti i Sllovenisë, i Austrisë dhe i Estonisë.

Detyrimi politik

“S’ka detyrim më të madh për politikën sesa të bëjë transparencë për çdo gjë: për jetën e politikanëve, për vendimet e tyre, për veprimet e tyre, për lidhjet e tyre. Sfida jonë është se si parlamenti mund të zhvillojë një rrjet komunikimi me qytetarët për të komunikuar me ta politikat apo problemet, si mund të nxisë dialogun dhe përfshirjen qytetare në debate apo çështje legjislative”, - tha Kryetarja e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›