E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe socialistet të dënojnë dhunën e Ramës

04/12/2009  Forumi i Gruas së PD-së

Kryetarja e Forumit të Gruas në Partinë Demokratike, deputetja Albana Vokshi, ka kërkuar dje nga koleget e saj të Partisë Socialiste të dënojnë aktet e dhunës që kryetari i PS-së Edi Rama ka ushtruar ndaj grave. Ajo theksoi se iniciativa e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara “Thuaj STOP dhunës” ka gjeneruar një momentum, që gjatë fazës së parë ka mbledhur mbi 5 milionë firma, që i janë bashkuar thirrjes globale për t’i dhënë fund dhunës në familje dhe ndaj grave. “Për këtë arsye, i bëj thirrje edhe një herë Forumit të Gruas të Partisë Socialiste dhe deputeteve të opozitës të firmosin këtë peticion ndërkombëtar e të distancohen nga fenomenet e shëmtuara të keqtrajtimit dhe ushtrimit të dhunës nga lideri i opozitës, i cili po mbyt çdo zë të qenësishëm gruaje në parti dhe jashtë saj”, - deklaroi Vokshi. Ajo u shpreh se dhuna në familje dhe ndaj grave dëmton humanizmin njerëzor, rrezikon të drejtat themelore si dhe integritetin moral të tërë shoqërisë shqiptare. “Prandaj për PD-në eliminimi i dhunës ndaj gruas është një domosdoshmëri morale, civile dhe sociale”, - deklaroi deputetja demokrate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›