E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama të ikë

Krujë - Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje, gjatë një vizite në Krujë, se "alternativa e djathtë po ndryshon qartësisht vendin dhe ka fituar besim të jashtëzakonshëm jo vetëm në rrafshin politik, por edhe në mbarë botën e biznesit". Në vazhdim të turit "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri Berisha u ndal pasditen e djeshme në qytetin e Krujës, ku inauguroi përfundimin e punimeve të rrugës Krujë - Abazaj me gjatësi 1.1 km, investim me vlerë 38 milionë lekë, si dhe sistemin e ndriçimit të të gjithë rrjetit rrugor të qytetit, investim me vlerë rreth 25 milionë lekë.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha inauguroi dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e sheshit dhe rikonstruksionin e rrugës para Bashkisë së qytetit, investim me vlerë 41 milionë lekë. Gjatë takimit me banorët e zonës, Kryeministri informoi se "në tetë vitet e qeverisë socialiste, në Bashkinë e Krujës janë investuar 180 milionë lekë, ndërsa gjatë këtyre katër viteve nga Partia Demokratike janë investuar 1 miliardë e 550 milionë lekë".

“Në Krujë janë rrënjët e ekzistencës sonë kombëtare, pasi ky është kryeqyteti historik i shqiptarëve. Unë vij sot këtu më krenar se kurrë, sepse ne rikthyem Shqipërinë në gjirin e familjes së kombeve që u përkasim, pra bëmë që lufta e Skënderbeut të ndriçojë më shumë se kurrë në historinë tonë kombëtare", tha Kryeministri. Duke renditur disa nga arritjet e Qeverisë gjatë këtij mandati, Kryeministri u shpreh se "këto katër vite ishin vite të një udhe të suksesshme dhe jo pa vështirësi".

Përballë alternativës së djathtë, sipas Kreut të Qeverisë "qëndron alternativa e nxirjes e damkosjes". "Kreu i PS-së nuk di gjë tjetër përveç se mbi nxirjen dhe mohimin të ngrejë karrigen e tij. Unë jam i bindur se alternativa e mohimit dhe e përçarjes, do të marrë ndëshkimin më të merituar më datë 28 qershor", tha ai. Kryeministri Berisha i bëri gjithashtu apel Edi Ramës që të paraqesë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë.

"Dil në shesh të burrave dhe mos u fshih pas karriges së Bashkisë, sepse ata socialistë të ndershëm që të ndjekin ty duan të të shohin të garosh për Kryeministër dhe jo të fshihesh pas karrigeve të Bashkisë. Dil në shesh të mejdanit, për të treguar se fundi yt politik është data 28 qershor", tha Kryeministri Berisha duke shprehur bindjen se "kjo do të jetë disfata më e thellë dhe humbja më e madhe që ka njohur ndonjë herë ndokush në zgjedhjet në Shqipëri".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›