Selami dhe Pesha u rikthjenë rrugën banorëve të lagjes së Burgut të Ri
Kandidatët për deputetë në Qarkun e Vlorës, Shkëlqim Selami dhe Besjan Pesha kanë inspektuar dje nga afër punimet për rregullimin e rrugës së lagjes pranë Burgut të Ri. Përpara disa ditësh, Selami dhe Pesha ishin në një takim me banorët e kësaj zone, ku një nga problemet kryesore që ata shtruan ishte mungesa e rrugës, e cila kishte 20 vjet që nuk merrte asnjë lloj investimi, qoftë nga pushteti qendror apo ai lokal.
Selami u premtoi banorëve në atë takim se do të angazhonte një firmë ndërtimi që të bënte një rregullim të rrugës, kështu që banorët të kishin mundësi të lëviznin dhe të mos ishin të izoluar. Dje, Selami dhe Pesha u takuan sërish me banorët e zonës, të cilët nuk rreshtin së falënderuari LSI për kontributin e menjëhershëm dhe për veprimin e shpejtë në dobi të komunitetit të tyre. Kemi 18 vjet që dëgjojmë vetëm fjalë, vijnë këtu na thonë do tju bëjmë rrugën e do të rregullojmë kanalin, por vetëm sa na marrin votat e nuk bëjnë asnjë gjë. Ju dalloni si nata me ditën me këta të pacipë që na qeverisin sepse ju menjëherë e përmbushët zotimin tuaj. Do ju mbështesim në zgjedhje sepse na mbështesni e kemi besim tek ju, tha një nga banorët. Ndërsa Selami, gjatë bisedës me banorët shprehu habinë se si deputetët aktualë, qofshin të majtë apo të djathtë vijnë në këtë zonë kërkojnë votën, ndërkohë që nuk kanë bërë asnjë për këta banorë, gjatë mandatit të tyre. Ne jemi për veprim dhe në veprim për të zgjidhur çdo problem. Unë jam këtu mes jush dhe do të jem gjithnjë mes jush dhe halleve dhe problemeve tuaja kështu që të mundësoj jo vetëm një lagje më të mirë dhe të banueshme për të gjithë ju, por mbi të gjitha një të ardhme më të sigurt dhe të shëndetshme për këta fëmijë u shpreh ndër të tjera Selami. Ndërsa Pesha e ka konsideruar kontribut modest shtrimin e rrugës pranë burgut. Ne mund dhe do të bëjmë më shumë, kështu që jo vetëm kjo lagje, por e gjithë Vlora të ketë rrugë moderne dhe kushte jetese të mira. Është absurde që ndërsa ju jetoni këtu pa rrugë, Berisha thotë që ju ka ndërtuar autostrada, është shprehur Pesha, i cili ka siguruar se në mbledhjen e ardhshme të këshillit bashkiak do të kërkohet që kësaj zone ti hiqet taksa ironike e pastrimit, për shkak të mungesës së infrastrukturës.