E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhduket kompjuteri i gjendjes civile në Fier, alarmohen bashkia dhe prefektura

Zhduket papritur kompjuteri, nisin polemikat mes institucioneve. Ka qenë pikërisht një nga kompjuterat që kryente procedurat e aplikimit të kartave të identitetit, i cili gjithashtu posedonte informacion për shtetasit që kanë aplikuar për karta identiteti. Në fillim ishin 5 zyra që u vunë në dispozicion për aplikimin e kartave të identitetit në  ambientet e gjendjeve civile në Fier, por tani çuditërisht kanë mbetur vetëm 4. Largimi i njërit prej kompjuterave, ka sjellë reagime të dyanshme si nga bashkia ashtu edhe nga prefektura e Fierit. Largimi i kompjuterit së bashku me pajisjet e tjera ndihmëse është bërë në orë e natës dhe jo ditën. Është absurd fakti, që një kompjuter së bashku me pajisjet e tjera të largohen befas nga njëra prej 5 zyrave të aplikimit për karta të identitetit. Tashmë nga 5 operatorë mbeten 4, është shprehur koordinatori i politikave të jashtme pranë Bashkisë së Fierit, Myzelejen Hoxha. Sipas Hoxhës, pas interesimit që ai ka kryer, punonjës të zyrave të firmës që kanë marrë përsipër prodhimin dhe pajisjen e popullatës me karta identiteti, kanë bërë të ditur se kompjuteri ka qenë me defekt dhe është dërguar për tu rregulluar, por vetë Hoxha nuk e beson një fakt të tillë. Nuk mund të besohet, pasi për tu rregulluar dërgohet vetëm motherboard-i i kompjuterit dhe jo ai së bashku me pajisjet e tjera. E dyta përse është larguar natën dhe jo ditën. Këto janë disa dyshime që na lënë të kuptojmë se diçka po përgatitet për të mos pajisur gjithë qytetarët në kohë me karta identiteti", ka vijuar më tej ai. Por kjo nuk ka patur se si të mbetej jashtë vëmendjes së institucionit të prefektit në Fier. Nga ky i fundit është deklaruar se kompjuteri është larguar nga këto zyra për tu ardhur në ndihmë të tjerave njësi vendore të cilat kanë nevojë. Duke parë që në disa komuna ka mungesë aparaturash dhe dyndje të banorëve për karta identiteti, firma duke biseduar me persona përgjegjës ka menduar që të largojë një operator së bashku me pajisjet për tu shkuar në ndihmë, pasi në bashkinë e Fierit ka rënë fluksi i qytetarëve që duan të pajisen me karta identiteti. Firma ka menduar që të ndihmojë shtetasit që të pajisen me karta identiteti në zona të tjera, të cilat në këtë kohë kanë mbetur shumë prapa me procesin e aplikimit të kartave të identitetit, bëjnë të ditur burimet, ndërsa kanë hedhur poshtë mundësinë e  manipulimit me këtë proces të rëndësishëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›