Berisha: Rama të japë dorëheqjen nga bashkia
Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje dorëheqjen kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, me argumentin se i është rrëzuar projektbuxheti i bashkisë për vitin 2009. Në një situatë të tillë, Kryeministri i vendit ftoi Ramën të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë, si shenjë e humbjes së shumicës së Këshillit Bashkiak. Deklarata e Kryeministrit Berisha u bë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, po ai la të nënkuptohej se këtë çështje do ta trajtojë sërish në një takim tjetër me median. "Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë, pas rrëzimit të projektbuxhetit të vitit 2009 nga Këshilli Bashkiak i Tiranës", - tha ai. Kreu i qeverisë komentoi vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe shtoi: "Nëse do të më ishte rrëzuar buxheti i qeverisë që unë drejtoj, do të kisha dhënë dorëheqjen". "Nuk di të ketë në planet, një buxhetrrëzuar që nuk gjen përgjegjësinë qytetare të japë dorëheqjen, përveç njërit. Por kjo është çështje e takimeve të tjera me median. Unë vetë do të kisha dhënë dorëheqjen", - theksoi më tej Kryeministri Berisha.
Tri ditë ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës rrëzoi për të dytën herë radhazi projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2009. Projektbuxheti u rrëzua nga votat e këshilltarëve demokratë dhe me abstenimin e këshilltarëve të LSI-së, të cilët e konsideruan atë "të pamotivuar, me mangësi dhe jo të denjë për kryeqytetin". Më parë, ky projektbuxhet ishte rrëzuar gjatë votimit në mbledhjen e datës 19 dhjetor 2008. Për rrëzimin e projektbuxhetit të bashkisë tri ditë më parë, kryebashkiaku Edi Rama akuzoi dy partitë, PD dhe LSI, të cilat sipas tij, bashkuan votat kundër institucionit që ai drejton. Sulmet më të ashpra të Edi Ramës ishin në adresë të Lëvizjes Socialiste për Integrim të Ilir Metës, e cila, në gjykimin e Ramës, nuk ka lidhje me opozitën e majtë, pasi po bën lojën e Berishës në dëm të qytetarëve të kryeqytetit. Pavarësisht kësaj, fakti është se projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin që sapo ka hyrë, tashmë është rrëzuar nga shumica e Këshillit Bashkiak për të cilin Kryeministri Berisha i kërkoi dje Ramës dorëheqjen nga detyra e kreut të Bashkisë së Tiranës.