Ligji, nëse buxheti s’miratohet për 3 muaj, zgjedhje të reja
Nëse buxheti i paraqitur nga kryebashkiaku Edi Rama nuk miratohet edhe në mbledhjen e ardhshme, Tirana rrezikon të përballet me zgjedhje të reja vendore. Sipas ligjit për funksionimin e qeverisjes vendore, nëse këshilltarët nuk e votojnë as herën e tretë, atëherë Këshilli Bashkiak shpërndahet për t’u rizgjedhur një tjetër, i cili duhet të miratojë buxhetin në fjalë. "Këshilli Komunal ose Bashkiak shpërndahet para kohe me vendim të Këshillit të Ministrave, kur nuk arrin të marrë vendim për miratimin e buxhetit brenda tre muajve nga data e përcaktuar", - thuhet në ligj. PD e LSI e lanë dje të nënkuptuar një mundësi të tillë, ndërsa këshilltarët socialistë e kryebashkiaku Rama duket se nuk tërhiqen nga qëndrimi i tyre për të mos marrë parasysh propozimet e këshilltarëve të Metës. Në pamje të parë, duket se Rama nuk e rrezikon postin e tij, pasi qytetarëve do t’u duhet të votojnë vetëm për këshilltarët e Këshillit Bashkiak. Por, zgjedhjet e reja për këtë strukturë do të thotë që kryebashkiaku mund të humbasë shumicën në Këshill dhe si e tillë, edhe vendimmarrjen për qeverisjen e Tiranës. Edhe pse e parë më larg, Rama mund të ketë edhe përfitime. Nga ky proces zgjedhor kryebashkiaku mund të arrijë të minimizojë numrin e këshilltarëve të Metës, por edhe të rikthejë postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak që momentalisht mbahet nga Sokol Dervishaj i LSI-së në duart e socialistëve.