Meta i vë kushte Ramës në këmbim të votës për buxhetin
Lëvizja Socialiste për Integrim mund të mos japë sërish votën pro buxhetit për Bashkinë e Tiranës. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje se në rast se nuk merren parasysh kërkesat e këshilltarëve të kësaj partie në Këshillin Bashkiak, atëherë ajo nuk mban përgjegjësi nëse do t’u duhet qytetarëve që të shprehen me votën e tyre për këtë çështje. “Në rast se mungon vullneti dhe reflektimi për propozimet e bëra nga grupi i këshilltarëve tanë, që buxheti të jetë i detajuar në çdo qindarkë të vetën, e cila duhet të ketë destinacion të sigurt dhe mirëpërdorim në funksion të komunitetit, atëherë nuk do të jetë faji ynë që për këtë buxhet do t’u duhet të shprehen qytetarët e Tiranës me votim”, - deklaroi kreu i LSI-së. Meta gjeti rastin të reagojë ndaj qëndrimit të këshilltarëve socialistë. Ai e konsideroi deklaratën e Mimi Kodhelit si fletërrufe të vjetër, që i takon revolucionit kulturor. “Dua t’ju them se përpara se të përdorin atë gjuhë tërë mllef dhe aq të vjetër ndaj Ilir Metës dhe LSI-së, përpara se t’u qajnë hallin qytetarëve të Tiranës, këshilltarët që ishin rreshtuar dje para baskisë, duhet t’u thonë qytetarëve të Tiranës se pse kryetari i bashkisë nuk merr pjesë në mbledhje ku diskutohet buxheti i bashkisë”, - tha ai. Meta sqaroi se nuk ndryshon asgjë në ftesën për dialog që i është bërë PS-së, pavarësisht marrëdhënieve që janë krijuar në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit. Ai vuri në dukje se LSI-ja ka një orientim të qartë për të gjithë drejtuesit e saj vendorë dhe për të gjithë këshilltarët e saj në të gjitha bashkitë dhe komunat e Shqipërisë. “Në rast se devocioni i tyre injorohet për shkak se kryetarët e bashkive kërkojnë të kenë një xhep më vete për fushatë elektorale prej 6 milionë eurosh dhe nuk duan të japin asnjë llogari se ku do t’i shpenzojnë, ky nuk është një problem i këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim”, - nënvizoi kryetari i LSI-së.
Meta shprehu mbështetjen për grupin e këshilltarëve të kësaj partie në Këshillin Bashkiak, ndërsa deklaroi se qytetarët e Tiranës nuk i besojnë më përrallat me modelin e suksesshëm që i bën buxhetet në funksion të karteleve dhe jo të qytetarëve. “Sepse, qytetarët e Tiranës nuk mund të pranojnë më që një rrugë të paguhet tri herë nga Bashkia e Tiranës dhe përsëri të prishet; sepse qytetarët e Tiranës nuk mund të pranojnë që një shkollë të paguhet dy herë me taksat e tyre nga Bashkia e Tiranës dhe tavani i saj përsëri të bjerë dhe të zërë fëmijët e Tiranës”, - deklaroi ai.