E Diel, 1 Nëntor 2026

Uidhers: Obama, mik i Shqipërisë

 

BLEDAR HOTI

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë mike të Shqipërisë dhe gjatë Presidencës së Barak Obamës. Ambasadori i SHBA-së, Xhon Uidhers ka deklaruar se “ju siguroj, siç kam siguruar të gjithë shqiptarët, me të cilët kam biseduar, që Presidenti Obama do të jetë një mik i madh i Shqipërisë, sipas traditës së gjatë të presidentëve amerikanë dhe që shkon deri tek Presidenti Uillson. Nuk ka pse të keni kurrfarë dyshimi për këtë”. Një qëndrim të tillë Uidhers e ka mbajtur në seminarin e zhvilluar nga MPJ-ja me temë “Politika e Jashtme e SHBA, Administrata e re, Doktrinë e re-Prespektiva rajonale”, në të cilin ishin prezent kryeministri Sali Berisha dhe lideri i PS-së, Edi Rama. Diplomati i lartë amerikan në të njëjtën kohë duke përfituar rastin se kanë qenë prezent dy drejtuesit kryesor të partive politike PD dhe PS nuk kanë ngurruar të japë edhe mesazhe të qarta për forcimin e respektimin e demokracisë. “Kemi edhe pritshmëritë e shpalosura nga vetë Presidenti Obama. Dhe këto pritshmëri, thënë thjesht, janë pritshmëritë që Presidenti Obama ka edhe për veten e tij: respekt për kushtetutën, përpjekje të ripërsëritura për të luftuar korrupsionin, dhe, me afrimin e anëtarësimit në NATO, një përkushtim ndaj parimeve e veprimeve demokratike që të jenë mbi çdo dyshim. Ndërkohë që Shqipëria ecën përpara drejt këtyre synimeve, duhet të dini që Presidenti Obama do të jetë një mik”, deklaroi Uidhers. Ai theksoi se “politikat tona ndaj këtij rajoni dhe ndaj Shqipërisë do të bazohen mbi shpresat dhe pritshmëritë. Shpresat tona për këtë rajon janë të larta dhe optimiste.  Dhe parimet e politikave tona mbeten të paprekura”. “Nën drejtimin e Presidentit Obama, parashohim një Shqipëri në qendër të një rajoni ballkanik që ka stabilitet dhe paqe. Shohim një Shqipëri që jeton, bashkëpunon dhe ndihmon fqinjin e ri të pavarur – Kosovën – siç ka bërë për gjithë këto vite. Parashohim me pritshmëri të madhe dhe gëzim të madh përfshirjen e Shqipërisë në aleancën më të fuqishme, pjesë e së cilës ka qenë edhe Amerika, në Aleancën e NATO-s në prill.  Me pak fjalë, përpara shtrihen ditë të mira për Amerikën dhe Shqipërinë”, theksoi Uidhers. Ndërsa ka cilësuar si pjesën kulmore marrëdhëniet me SHBA-në gjatë kohës së Presidentit Bush. “Shqipëria nuk ka pasur mik më të mirë se sa Presidenti Xhorxh U. Bush.  Nën drejtimin e tij, marrëdhënia mes vendit tim dhe Shqipërisë arriti majën. Bashkëpunimi mes dy vendeve tona nuk ka qenë kurrë më i mirë. Z. Kryeministër, marrëdhënia juaj me Presidentin Bush kishte rëndësi me ndikim në përparimin e kësaj miqësie dhe ngrohtësie” iu drejtua Berishës.

“Obama mik i çmuar i shqiptarëve”
Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet e tij maksimale gjatë tryezës së djeshme për Presidentin e Barak Obama dhe siguroi se qeveria e tij mbetet thellësisht e vendosur për një bashkëpunim të ngushtë dhe intensiv në ndërtimin e vlerave të demokracisë. “Unë kam bindjen më të thellë se tek Presidenti Barack Obama, shqiptarët kanë dhe do të kenë një nga miqtë më të çmuar dhe se në administratën e tij punojnë miqtë më të mirë të kombit shqiptar; zëvendëspresidenti Joe Biden, ish-senatorja Hillary Klinton, tani Sekretare e Departamentit të Shtetit, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare James Johns, por edhe shumë personalitete të tjera në të gjitha nivelet e kësaj administrate. Ndaj në perspektivën dhe në mendimin tim, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara do të njohin dimensione të reja të fuqishme”, u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›