E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers tek Topi për shkarkimin e Biberajt, KE pezullon Shqipërinë

 

Raportet e Shqipërisë me Këshillin e Evropës pas kërkesës së Kuvendit për të ndryshuar kreun e delegacionit, janë diskutuar dje mes presidentit Bamir topi dhe Ambasadorit Amerikan në Tiranë, Xhon Uidhwrs. Kreu i shtetit është takuar dje kokë më kokë me ambasadorin Uidhërs, pasi ky i fundit mori pjesë në një tryezë të organizuar nga Ministria e Jashtme, me temë “Politika e jashtme Amerikane; Administratë e re, Doktrinë e re”. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Presidencës, “Hapat e domosdoshme për anëtarësim në NATO, zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme, të qershorit 2009, zhvillimet e fundit politike në vend si ligji për pastërtinë e figurës dhe raportet e fundit të Shqipërisë me Këshillin e Evropës, ishin pjesë e bisedës midis Presidentit Topi dhe Ambasadorit Uithërs”. Gjithashtu bëhet e ditur se kreu i shtetit i shprehu ambasadorit Uithwrs urimet për Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe besimin se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve do të intensifikohen e forcohen më tej, nën drejtimin e Presidentit Obama. Presidenti Topi i ka shprehur Ambasadorit amerikan vendosmërinë për angazhimin e tij për të qenë gjithnjë partner i vendosur përkrah SHBA në të gjitha sipërmarrjet e saj, në funksion të thellimit të reformave demokratike, të ruajtjes së stabilitetit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. “Shqiptarët i mbeten mirënjohës SHBA për mbështetjen në të gjitha proceset demokratizuese por edhe integruese të vendit tonë”, - ka thënë Presidenti Topi gjatë takimit. Kryetari i Shtetit ka nënvizuar se kjo miqësi historike mes dy vendeve i nxit shqiptarët që të punojnë akoma më shumë në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që kërkon integrimi euroatlantik. “Nga ana e tij ambasadori Uithwrs e ka siguruar Presidentin Topi për vazhdimësinë e mbështetjes dhe vëmendjes të administratës Obama për hapat që Shqipëria po ndërmerr për forcimin e demokracisë, mbrojtjes e respektimit të Kushtetutës, institucioneve të pavarura, luftës kundër korrupsionit dhe funksionimit të shtetit ligjor”, thuhet më tej në njoftim.

KE ngrin kredencialet e Shqipërisë

Aristir Lumezi

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka ngrirë kredencialet e delegacionit shqiptar në Strasburg. Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku mësohet se do të shihen rregullat se si janë bërë zëvendësimet e anëtarëve të delegacionit shqiptar në këtë asamble. “Kredencialet e delegacionit shqiptar të Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës janë përballur në baza procedurale në ditën hapëse të sesionit në Strasburg. Ai që ka bërë këtë përballje ishte Mátyás Eörsi (Hungari), i cili drejton grupin ALD: “Ne kemi arsye të besojmë se një nga anëtarët e Asamblesë nga Shqipëria është hequr në një mënyrë, e cila i thyen rregullat e aplikimit”, thuhet në faqen zyrtare të Asamblesë së Përgjithshme. Duket se çështja e zëvendësimit të kryetarit të delegacionit shqiptar në këtë Asamble, Aleksandër Biberaj me Ilir Rusmalin, ka fokusuar debatin në seancën e djeshme në Strasburg. Duke hedhur dyshime për rregullsinë e anës procedurale nga ana e Parlamentit shqiptar, vota e delegacionit shqiptar gjatë punimeve të Asamblesë gjatë këtyre katër ditëve do të jetë e ngrirë. “Komiteti i Rregullores së Asamblesë do të përgatisë një raport mbi këtë çështje dhe Asambleja do të marrë një vendim përfundimtar mëngjesin e të enjtes. Delegacioni i ri shqiptar do të ulet në mënyrë provizore në vendet e Asamblesë deri të enjten, me të drejtë vote dhe fjale, por nuk mund të votojë mbi kredencialet e tyre”, shprehet në njoftimin zyrtar të saj Asambleja Parlamentare e KE-së. Ndërkaq në faqen zyrtare të Asamblesë së Përgjithshme është pranuar propozimi i kryetares së Kuvendit, Topalli, që Ilir Rusmali të kryesojë delegacionin shqiptar. Kështu Rusmali prezantohet si kryetar i delegacionit shqiptar në këtë Asamble, ndërsa anëtarët mbeten të njëjtë, Kastriot Islami, Paskal Milo dhe Lajla Përnaska, por dhe zëvendësuesit e tyre Taulant Dedja, Vangjel Dule, Diana Çuli dhe Arenca Trashani.    
Reagimet
Anëtarja e delegacionit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme, Lajla Përnaska tha dje për gazetën se, “sot në orën 9 mblidhet Komisioni i Rregullave dhe Procedurave, i cili do shqyrtojë kontestimin e ish-kryetarit të delegacionit, Biberaj. Secila palë është e ftuar të paraqesë versionin e vet dhe komisioni do hartojë raportin e tij për këtë çështje”, tha Përnaska. Sipas saj, “deputeti Islami do bëjë avokatinë e Biberajt në këtë çështje, pasi ai është futur si anëtar në këtë komision”. Anëtari i delegacionit shqiptar, socialisti Kastriot Islami tha se pritet të vijnë në Shqipëri dy raporterë për të marrë në vend procedurat që ka ndjekur Parlamenti shqiptar për zëvendësimin e Biberajt. “Ky komision i ka të gjitha të drejtat nëse ai është i bindur për dhunimin e procedurave në Parlamentin shqiptar. Ai mund të marrë çdo lloj vendimi, i cili më pas i propozohet seancës plenare të Asamblesë. Ka shumë shanse që dy raporterët që janë të përcaktuar për Shqipërinë të vijnë në një vizitë rrufe për të trajtuar dy çështje, atë të ligjit të lustracionit dhe çështjen e zëvendësimit të Biberajt nga ana e përmbajtjes”, tha Islami.

PS: Topalli e Berisha, njollë Shqipërisë në Asamblesë e KE

Partia Socialiste shprehu dje keqardhje duke e konsideruar çështjen Biberaj njollë që Sali Berisha e Jozefina Topalli i vunë Shqipërisë në sytë e botës, vendimin e Asamblesë Parlamentare të KE-së për ngrirjen e votës së delegacionit shqiptar në Strasburg. Në një prononcim për median, zëdhënësja e kryesisë socialiste, Mimi Kodheli tha se ky vendim është haraçi që Shqipëria po paguan për shkak të mendësisë komuniste të kryeministrit Berisha. “Vendimi i sotëm i Komisionit të Rregulloreve dhe Procedurave të Këshillit të Europës për të kaluar në një fazë tranzitore të quajtur ‘pezullim’ mes Këshillit të Evropës e Shqipërisë dhe për t’i hequr delegacionit të vendit tonë të drejtën e votës për vendime që kanë të bëjnë me Shqipërinë, në këtë këshill, është çmimi që ne të gjithë i paguajmë mendësisë komuniste që mishëron politika e vjetër primitive e Sali Berishës dhe shpurës së tij. Është hera e parë që kjo ndodh për një vend anëtar i Këshillit të Evropës”, tha zëdhënësja e kryesisë. Sipas saj, “vendimi i sotëm i Asamblesë Parlamentare është një thirrje për të gjithë popullin shqiptar, që më 28 qershor të bashkohen të gjithë për të votuar ndryshimin”. “Sali Berisha dhe Jozefina Topalli na treguan edhe një herë se do të mbeten deri në fund udhëheqësit që nuk meritojmë, politikanët që nuk na duhen, njerëzit që për interesat e përfitimet e tyre personale dhe larjen e hesapeve të tyre klanore sakrifikojnë çdo interes të vendit e të qytetarëve pa dallim, duke na turpëruar të gjithëve në sytë e mbarë Evropës”, tha Kodheli.

PD: Rusmali, përfaqësues dinjitoz i maxhorancës
Partia Demokratike reagoi dje ndaj akuzave të PS-së për ndryshimin e kreut të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në një deklaratë për shtyp, PD-ja bëri të ditur se është e drejtë e saj të zëvendësojë krerët e delegacioneve, ndërkohë që vlerësoi kryetarin e ri të këtij delegacioni, Ilir Rusmalin, si një ndër përfaqësuesit e saj më dinjitozë. “Sot Edi Rama nxori si zëdhënëse zonjën që ndërron emrin në çdo dekadë dhe po bëhet gati ta ndërrojë për të pestën herë emrin Kodheli, për t’i treguar PD-së se si dhe me çfarë duhet të përfaqësohet. Me këtë rast i bëjmë me dije zotit Rama se kompetencat e Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të maxhorancës janë ekskluzivitet i tyre që s’mund të përvetësohen nga askush, se në Strasburg është dërguar përfaqësuesi ndër me dinjitozët dhe të merituar të maxhorancës aktuale”, thuhet në deklaratën për shtyp të PD-së.

KE pranon zëvendësimin,Rusmali kryeson delegacionin

ADI SHKEMBI

Ilir Rusmali është zyrtarisht kryetari i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Deputeti i Partisë Demokratike, njëherësh edhe kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvend është pranuar nga asambleja e KE-së dje gjatë punimeve të ditës së parë në këtë sesion të ri parlamentar. Kjo u vendos pikërisht në pikën e tretë të rendit të ditës, kur pas progres raportit të byrosë së asamblesë, u verifikuan mandatet e delegacioneve. Asambleja e këtij organizmi pranoi pjesërisht kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për të zëvendësuar Aleksandër Biberajn me Ilir Rusmalin, në postin e kreut të delegacionit. Kërkesa u pranua pjesërisht, pasi do të vendoset sot përfundimisht kur të diskutohen kontestimet e Biberajt dhe të palës tjetër të përfaqësuar nga Ilir Rusmali. Ndërkohë faqja zyrtare në internet e Këshillit të Evropës ka njohur menjëherë ndryshimet në delegacionin shqiptar. Kështu, nëse hyn në faqen elektronike të këtij organizmi dhe shkon te përbërja e delegacionit shqiptar shihet që Rusmali mban postin e kreut të delegacionit dhe anëtarë të tij janë Kastriot Islami, i Partisë Socialiste, Paskal Milo i Partisë Demokracia Sociale dhe Lajla Përnaska e Partisë Demokratike. Ndërkohë që si anëtarë rezervë janë regjistruar Diana Çuli e PSD-së, Taulant Dedja i PS-së, Vangjel Dule i PBDNJ-së dhe Arenca Trashani e PD-së. Në këtë mënyrë, delegacioni shqiptar do të ketë Ilir Rusmalin kryetar të tij të paktën deri në mbledhjen e parlamentit të ri. 
Reagimi
Pas formimit të delegacionit shqiptar, anëtarët e tij kanë marrë pjesë në mbledhjen e Partive Popullore Evropiane që është zhvilluar dje pasdite. Anëtarja e këtij delegacioni, deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska, e ka konsideruar si një procedurë krejt normale atë të zëvendësimit të anëtarëve. E kontaktuar nga gazeta “Panorama”, pak pas përfundimit të mbledhjes së PPE-ve, Përnaska tha se “është ndjekur një procedurë normale që nga Parlamenti shqiptar dhe më pas iu propozua Parlamentit të Këshillit të Evropës. Këto procedura janë rutinë, këtu ndërrohen vazhdimisht emra njerëzish dhe kryetarë delegacionesh. Se çfarë emrash vendosen është çështje e vullnetit të grupeve politike në parlamentet nacionalë. Këtu asnjë nuk është i përjetshëm, dhe të gjithë zgjidhen ose rizgjidhen. Procedura rutinë e verifikimit të delegacioneve është po pjesë e këtij normaliteti”. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dërgoi një javë më parë një letër në sekretariatin e Këshillit të Evropës, ku kërkonte pikërisht ndryshimin e Aleksandër Biberajt si kryetar i delegacionit shqiptar me Ilir Rusmalin. Pas kësaj letre, deputeti Biberaj akuzoi kreun e Kuvendit se ka shkelur rregulloren e këtij institucioni, pasi nuk ka informuar seancën parlamentare për ndryshimin që kishte ndërmarrë. Nga ana tjetër zyra e shtypit e Kuvendit publikoi disa dokumente ku Biberaj kishte marrë në emër të Kuvendit disa bileta avioni, për të cilat Parlamenti nuk ishte në dijeni. Të dielën në mesditë delegacioni shqiptar u nis me dy kryetarë në Strasburg, duke shënuar një ngjarje të paprecedentë në historinë e këtij institucioni.

Koçi: Pushteti personal mbi atë parlamentar

Drejtuesi i PS ’91 e konsideroi çështjen Biberaj si një mbivendosje dhe mungesë kontrolli të pushtetit personal mbi atë institucional parlamentar. “Politika e përjashtimit e kthyer tashmë në sistem edhe në kartën themelore të shtetit apo në kodin politik sundues në vend po sjell rrënimin e parametrave të demokracisë dhe imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Modeli politik i përjashtimit sjell vetëm regres demokratik dhe konsolidim të autoritarizmit. Teknologjia Berisha e zbatuar në rastin Biberaj mbetet një teknologji e rrezikshme, pavarësisht autorit apo partisë ku kjo teknologji përdoret”, tha Koçi. Sipas tij, “fryma e përjashtimit që sa vjen e zgjerohet në sistemin politik të vendit duhet nxjerrë nga skena me kurajo nga vetë qytetarët”.

Leskaj: Topalli të ikë
Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, u deklarua kundër kryeparlamentares në lidhje me çështjen “Biberaj”. “Ky është precedenti i parë që ndodh në KE, që një delegacion futet në status trancito”. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së akuzoi Topallin se me veprimin e saj e ka vënë Shqipërinë në një pozitë shumë të vështirë dhe qesharake përballë botës. “Ju nuk mund të përdorni Parlamentin dhe Këshillin e Evropës për të zgjidhur ironitë tuaja personale. Ju keni shkelur rregulloren e Parlamentit. Nëse nuk jeni në gjendje ta bëni, lëreni karrigen” – ka thënë Leskaj gjatë fjalës së saj.

Topalli: PS të mos mashtrojë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i kërkoi PS-së që të mos mashtrojë në lidhje me çështjen “Biberaj” dhe me vendimin mbi ngrirjen e Shqipërisë nga Asambleja e KE-së. Ajo i cilësoi si të pavërteta qëndrimet e opozitës. “Zonja Leskaj, ju kërkoj që të mos mashtroni as ju, si një nga anëtarët e delegacionit në KE. Sipas rregullores është konsultuar me kryetarin e grupit parlamentar të maxhorancës”, deklaroi Topalli. Ajo ka bërë të ditur se “Shqipëria do të vazhdojë proceset e bashkëpunimit dhe të integrimit të mëtejshëm. Dua t’ju bëj me dije se Parlamenti slloven pritet të ratifikojë protokollin e anëtarësimit të NATO”.

Patozi: Zgjodhëm Rusmalin, përfaqësimi i Parlamentit në KE duhet të jetë dinjitoz
“Përfaqësimi i Kuvendit shqiptar duhet të jetë dinjitoz dhe për këtë arsye u propozua në krye të delegacionit, Ilir Rusmali, një ish-zv.kryeministër dhe një ish-ministër i Drejtësisë”. Kështu deklaroi kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi, në lidhje me debatin e ngritur në seancën e mbrëmshme për shkarkimin e deputetit Aleksandër Biberaj. Ai sqaroi se kërkesa e Topallit është bërë në bazë të nenit të rregullores që bën fjalë për kompetencat e kryetarit. Sipas tij, kjo është një e drejtë ekskluzive e kryeparlamentares dhe nuk mund të kundërshtohet nga askush. “Keni tre ditë që merreni me një temë që nuk është e juaja, kemi shumë probleme për të zgjidhur, në vështirësi për të gjetur tema ju vazhdoni të merreni me këtë temë. Shqipërinë e kanë turpëruar ministra që kanë pasur bodigardë si killera në vizitat që kanë kryer jashtë shtetit” - deklaroi Patozi. Sipas tij, maxhoranca ka të drejtë të bëjë të gjitha ndryshimet dhe zëvendësimet e nevojshme, duke e shtuar se po bëjnë një tjetër përfaqësim dinjitoz në Asamblenë Parlamentare të KE-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›