PD, Mustafaj kundër Topallit
ADI SHKEMBI
“Topalli ka shkelur detyrimet e saj, duke mos i paguar deputetit Biberaj shpenzimet e udhëtimeve, si dhe nuk ka njoftuar seancën për shkarkimin e tij”. Një ditë pasi delegacioni shqiptar u nis me dy kryetarë drejt Asamblesë Parlamentare të KE-së, del zëri i parë kundër brenda Partisë Demokratike. Besnik Mustafaj, ish- Ministër i Jashtëm, tha dje në një prononcim për mediat se Kryetarja e Kuvendit nuk ka zbatuar rregulloren e Kuvendit, teksa nuk ka bërë publik zëvendësimin e kreut të këtij delegacioni, Aleksandër Biberaj me Ilir Rusmalin. “Topalli ka shkelur rregulloren e Kuvendit, kur e ka bërë fakt të kryer përjashtimin e zotit Biberaj nga delegacioni, pa e paraqitur më parë në seancë plenare. Njëri nga baballarët e demokracisë evropiane në shekullin XX, Çurçill, thotë se në demokraci, shkelja e procedurave është simptomë e rrezikut për të shkelur vetë rendin demokratik. Unë i besoj kësaj porosie të Çurçillit”, tha Mustafaj. Sipas deputetit demokrat, Kryeparlamentarja ka nëpërkëmbur edhe personalitetin e deputetit, duke ia paraqitur disa udhëtime si abuzime financiare. Ish-kreu i diplomacisë shqiptare në dy vjet e gjysmë tha se Biberaj gjatë këtyre tre vjet e gjysmë në krye të delegacionit shqiptar ka pasur përgjegjësi të larta që nuk i ka pasur deputet tjetër shqiptar më parë. “Ai është tashmë një nga personalitetet e spikatura politike të Partisë Demokratike dhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka çuar vlerat më të mira të demokratëve, gjë që është shpërblyer me besimin që i kanë dhënë kolegët përfaqësues të 47 parlamenteve evropiane”, vijoi më tej Mustafaj. Në të njëjtën kohë, sipas deputetit të PD-së, shkarkimi në këtë mënyrë i kreut të delegacionit cenon imazhin e vendit por edhe të maxhorancës përpara faktorit evropian. Në fund kandidati për kreun e PD-së së Tiranës, vlerësoi edhe figurën e kreut të ri të delegacionit shqiptar në KE, Ilir Rusmali. “Dëshiroj gjithashtu të shpreh vlerësimin tim edhe për zotin Rusmali, i cili i ka cilësitë e plota për ta kryer detyrën që i është ngarkuar. E gjithë kjo histori pa shije nuk ka asnjë lidhje me ndonjë rivalitet Biberaj-Rusmali”, vijoi më tej Mustafaj. Ish-kreu i diplomacisë shqiptare është i pari zyrtar i maxhorancës që flet publikisht lidhur me këtë çështje, ndërkohë që deputetët e tjerë të grupit të PD-së nuk kanë preferuar ta komentojnë.