Berisha: Rama të pyesë Panelën për grevat
Kryeministri Sali Berisha ironizoi dje veprimet e opozitës për bllokimin e bulevardit dhe rrugëve të kryeqytetit. Duke folur në një konferencë për shtyp me kryetaren e Bashkisë së Milanos, Letizia Moratti, kreu i ekzekutivit i kërkoi Ramës të pyesë politikanin e njohur italian, Marko Panela, i cili është një nga personalitetet që ka përdorur më shumë grevën e urisë për të ndërgjegjësuar autoritetet. "Edhe një herë, unë dua të falënderoj zonjën Moratti për ofertën e shkëlqyer dhe jashtëzakonisht të rëndësishme për studimin e trafikut dhe transportit në qytetin e Tiranës. Ndërsa për pjesën e dytë të pyetjes, unë do t'i bëja një kërkesë zotit Rama, që të pyesë kampionin e botës në grevat e urisë, që është Marco Panela, nëse i ka bllokuar ai ndonjëherë rrugët e qytetit të tij me grevat e urisë apo jo? Ai erdhi dhe e vizitoi grevën dhe më thanë se u ka deklaruar se çdo gjë mund të bëni, por rrugën s'duhet ta bllokoni", u shpreh Berisha. Në deklarimin për mediat, Berisha dhe Moratti thanë se dy vendet do të bashkëpunojnë për rregullimin e trafikut në Tiranë. Deklarata e përbashkët u nënshkrua nga Shqipëria dhe Italia, u nënshkrua për pjesëmarrjen e vendit tonë në ekspozitën që do të zhvillohet në Milano në vitin 2015. "Unë mendoj së bashku me zonjën Moratti, se në vitin 2015 do të takohemi në ekspozitën e Milanos me shumë nga idetë dhe projektet tona të realizuara.