Bosch harron draftin: Zgjidhni krizën
ADI SHKEMBI
Ambasadori i Preze-ncës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch bëri mbrëmë apel për zgjidhjen e krizës në përputhje me transparencën dhe kornizën ligjore. Në një prononcim për mediat, diplomati i huaj tha se "kam vërejtur numrin e madh të komenteve publike të bëra pas përgjigjes që i dhashë medias, të premten e kaluar, në lidhje me situatën politike aktuale. Theksoj edhe njëherë se, pas nëntë muajsh të gjatë, klasa politike shqiptare duhet të gjejë pa humbur më kohë një zgjidhje për të cilën bien dakord të dyja palët". Sipas tij "çdo zgjidhje e tillë duhet të jetë në përputhje me parimin e transparencës dhe me kornizën ligjore shqiptare". Por në deklaratën e shpërndarë mbrëmë për mediat, ambasadori Bosch nuk ka përmendur ekzistencën e një drafti, për të cilin fundjavën e kaluar tha se ndodhet në tryezën e Kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama.
Topi
Presidenti Bamir Topi tha dje se vendi ka instrumentet e duhura ligjore për të zgjidhur krizën politike. Këtë deklaratë, kreu i shtetit e bëri në përfundim të veprimtarisë së organizuar sot në Teatrin e Operas dhe Baletit, me rastin e Ditës Kombëtare të Jetimëve. Topi hodhi poshtë mundësinë që ai po bën negociata për zgjidhjen e krizës, teksa i bëri apel klasës politike të gjejë gjuhën e përbashkët. "Në zyrën time jo, por mund t'ju them që kam demonstruar në mënyrë të vazhdueshme, po ndjek me shumë vëmendje dhe inkurajoj dialogun politik. Kjo është një çështje që sigurisht po krijon një lloj situate jo të këndshme, sepse njerëzit padyshim janë të ndjeshëm, institucionet kanë nevojë që të funksionojnë në tërë dimensionet e veta". Sipas tij "gjithsesi çelësi i suksesit është dialogu politik, afrimi i dy palëve; së pari për të ri-instaluar dialogun; pastaj për t'u futur në ato terma, të cilat mbi të gjitha janë mekanizma ligjorë. Pra sot ne nuk jemi në një moment kur kemi mangësi strukturash institucionale dhe mungesë dijesh. Unë mendoj që janë të gjithë instrumentet për të shkuar drejt zgjidhjes së një krize, e cila së paku për mekanizma ligjore dhe institucionale nuk mungon. Pra duhet edhe vullneti dhe i inkurajojmë". I pyetur nëse vetë kreu i shtetit mund të vërë në lëvizje Komisionin e Venecias, nëse këtë ia kërkon Partia Socialiste, Topi tha se për këtë çështje i duhet referuar Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese. "Problemi është më se i qartë. Këtu nuk është problemi nëse jua kërkojnë, është problemi që ekzistojnë të gjitha mundësitë e institucioneve, e partive politike, e 28 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Lexoni Kushtetutën, lexoni ligjet sesi mund të vihet në lëvizje Gjykata Kushtetuese dhe pastaj për të kaluar në Komisionin e Venecias dhe si mund të vihet në lëvizje ky Komision. Pra janë gjëra shumë të qarta, mjafton t'i studioni dhe t'i interpretoni mirë", theksoi kreu i shtetit. Presidenti Topi ka qenë mjaft aktiv ditët e fundit në takimet e tij me diplomatët perëndimor, për të gjetur një formulë për zgjidhjen e krizës. Gjatë ditëve të kaluara, ai ka pasur takime me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uidhërs dhe Ambasadorin e Spanjës, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së, Montobio. Por në të njëjtën kohë, Presidenti ishte i pari që tha pak orë pas deklaratës së Ambasadorit Bosch, që në tryezën e tij nuk ka draft që t'iu jetë paraqitur edhe forcave politike.