E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Kemi nevojë për politika inkurajuese për investimet direkte

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani mori pjesë në konferencën “Ballkani Perëndimor: Kalimi i krizës – nga bashkëpunimi rajonal në integrimin evropian” organizuar në Bruksel. Nevoja urgjentet e hartimit të politikave inkurajuese për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe të flukseve jobankare ka qenë një ndër pikat që Guvernatori ka theksuar si primare për të rritur bashkëpunimin rajonal. Në mbështetje të kësaj ai theksoi  se modeli i rritjes së rajonit duhet të jetë më i sigurt në vetvete, duke e vënë theksin tek kursimet vendase, tek mobilizimi më i mirë i burimeve të punës dhe tek roli më i madh i sektorit të mallrave të tregtueshëm, si lokomotivë e rritjes. Guvernatori theksoi se teksa ekonomia globale është  në procesin e arritjes së një ekuilibri të ri, përpjekjet aktuale stimuluese duhet të zëvendësohen nga politika të shëndosha dhe afatgjata të natyrës makroprudente. “ Për këtë arsye, sfida për ekonomitë tona në periudhën afatgjatë është adresimi i problemeve aktuale dhe të atyre të trashëguara, mbi një model të ri rritjeje, i bazuar mbi rritjen e kursimeve dhe të investimeve, duke synuar arritjen e një niveli të përmbajtur konsumi, i cili është i barabartë me nivelin e prodhimit vendas, flukset hyrëse të vazhdueshme të investimeve të huaja direkte, të orientuara drejt sektorëve të tregtueshëm, si dhe bashkëpunimin rajonal” tha ai. Në këtë pikë Fullani vuri në dukje të tjera nevoja që lindin me bashkëpunimin. “Duhet të krijohet një bazë ligjore, që të mbështesë këtë bashkëpunim ndërkombëtar, i cili duhet të udhëhiqet nga parime të konsoliduara dhe të rëndësishme për gjithë rajonin” theksoi ai. Po kështu guvernatori tha se procesi i bashkëpunimit, kërkon politika zhvillimi dhe politika makroekonomike, që shmangin rrezikun, gërshetim të  bashkërenduar politikash, bashkëpunim më të fuqishëm me vendet e tjera për rritjen e cilësisë së reformave strukturore. “Reformat strukturore për përmirësimin e mjedisit të biznesit, do të ndihmojnë në rritjen e flukseve të reja hyrëse të kapitalit dhe do të çojnë drejt një rritje të fuqishme dhe të qëndrueshme”, përfundoi Fullani në fjalën e tij në konferencën e Brukselit. Kjo e fundit organizohej nga Komisioni Evropian dhe Presidenca Suedeze e Bashkimit Evropian.                 n.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›