Drejtori i Fibank: Ulëm interesat për çdo kredi të re
Fibank, ka ulur me 1 për qind normën e interesit për të gjitha kreditë e reja në lekë ose valutë. Në një intervistë, drejtori, Bozhidar Todorov, tregon arsyet e këtij vendimi. “Jemi të bindur se ky është vendimi i duhur dhe impakti i tij do të jetë mjaft pozitiv”
Si e vlerësoni situatën financiare në tregun bankar dhe cili është pozicioni i bankës suaj?
Klima e përgjithshme ekonomike është përmirësuar dhe ky faktor që ka ndikuar në përmirësimin e aktivitetit ekonomik botëror, uljen e primeve të rrezikut dhe qëndrueshmërinë e tregjeve financiare globale. Masat e mara nga qeveritë dhe bankat qendrore nëpërmjet programeve stimuluese kanë dhënë rezultatin e pritur në një kohë më të shkurtër se ajo e parashikuara. Tregu bankar monitorohet në vazhdimësi në këtë situatë financiare dhe në kuadër të këtij monitorimi të vazhdueshëm Fibank po shfrytëzon avantazhet e mundësisë së vendimmarrjes së shpejtë, fleksibilitetin në ofertat dhe procedurat e vazhdueshme në mënyrë që të ndjekë më shpejtësi dhe efeciencë çdo lloj tendencë të pasqyruar në treg. Strategjitë kanë të bëjnë kryesisht me forcimin e monitorimit të riskut në të gjitha aspektet, si dhe përshtatje e të gjitha produkteve me kërkesat e tregut dhe të klientëve në klimën e krijuar.
A ka ndikuar kriza në tkurrjen e kredisë dhe në cilat sektorë është orientuar tani më shumë?
Fibank është proaktive në procesin e kredidhënies në ekonominë shqiptare, duke konsideruar faktin që ky është roli kryesor i sistemit bankar dhe një mbështetje për rritjen e aktivitetit të të gjitha kompanive tregtare dhe prodhuese. Periudha e shtrëngimit të kredidhënies nga sistemi bankar duket se po kalon në favor të individëve, bizneseve, ekonomisë dhe natyrisht edhe të bankave, duke i fokusuar këto të fundit në rolin e tyre primar. Ka mjaft sektorë të ekonomisë shqiptare që paraqesin potenciale të mëdha për zhvillim si shërbimi, tregtia, etj.
A e ka reflektuar FIB kërkesën e Bankës së Shqipërisë për uljen e interesave të kredisë?
Po, Fibank ka reduktuar me 1% normat e interesit për të gjitha kreditë e reja në Lekë dhe në Euro, për Individë dhe Biznese. Jemi te bindur se ky është vendimi i duhur dhe impakti i tij do të jetë mjaft pozitiv. Vendimet e marra nga Banka e Shqipërisë po vijnë në kohën e përshtatshme për të dhënë impulset e duhura në nxitjen e aktivitetit ekonomik në përgjithësi dhe atij bankar në veçanti.
Cilat janë ambiciet e bankës suaj në këtë situatë të re dhe cili është fokusi i bankës në treg?
Në jemi një bankë e orientuar ndaj klientit. Fokusi ynë është të ofrojmë produkte dhe shërbime me cilësi shumë të lartë, duke marrë gjatë gjithë kohës në konsideratë faktorët e tregut dhe sidomos kërkesat dhe nevojat e klientëve në çdo situatë. Ulja e normave të interesit për kreditë tregon përsëri ambiciet e bankës sonë për rritjen e numrit të kredive ndaj klientëve individë dhe biznese, duke ndjekur me kujdes parametrat e mirëmbajtjes së këtyre kredive, por pa lënë mënjanë edhe ofertat e veçanta në depozita. Fibank kryen një monitorim të vazhdueshëm të tendencave të tregut, të sjelljes konsumatore, të dëshirave dhe kërkesave të klientëve, duke ndjekur politikat e prurjeve inovatore, për të qenë të parët në lançimin e produkteve të reja dhe të shërbimeve tepër cilësore.