E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Berisha, agresion bandistesk”

 

Aristir Lumezi

“Berisha sulmon bashkinë për të ruajtur kutitë e votimit”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetari i PS-së Edi Rama akuzoi kryeministrin se, po ushtron presion antiligjor ndaj pushtetit vendor për t’i shmangur hijes së krimit elektoral. Në një reagim për median dje në mesditë kryetari Rama e cilësoi agresion banditesk ndaj një prone të sipërmarrjes private, shkatërrimin e fasadës së tre kateve të para të pallatit të kunatit të deputetit socialist Dashamir Peza, dy ditë më parë.
“Sulmi i djeshëm ishte antiligjor, antinjerëzor dhe me qëllim manipulimin e opinionit publik. E ka të kotë, nuk i ikën dot hijes së krimit elektoral. Nuk do t’i iki dot herët a vonë përballjes me paditë në Prokurori”, u shpreh Rama duke akuzuar më tej kryeministrin se për të mbuluar korrupsionin e familjes së tij ka hapur luftë primitive ndaj pushtetit vendor. “Për të spostuar vëmendjen nga kutitë e mbyllura të krimit elektoral, nga llogaria e hapur me publikun shqiptare për tërmetin e korrupsionit të mashtrimit elektoral në tunelin e Kalimashit. Nga të dhënat përditë e më rrëqethëse që lidhin qartësisht interesat e familjes së tij me qeverisjen e vendit Sali Berisha ka hapur një luftë primitive frontale, duke vënë në shënjestër edhe pushtetin vendor opozitar dhe duke asgjësuar çdo ditë autonominë vendore”, tha Rama. Kreu socialist akuzoi kundërshtarin e tij politik se i është rikthyer praktikave të tij të vjetra të presionit.
“Për të mbuluar gropën e madhe të korrupsionit ku ka rënë pushteti i tij familjar, Sali Berisha i është rikthyer armës së tij të vjetër, dosjeve të fabrikuara të korrupsionit të kundërshtarit dhe po shpërdoron turpshëm shtetin e Policinë e Shtetit, për të vënë në jetë një sulm barbar antikushtetues, antiligjor, antidemokratik, madje edhe antinjerëzor, me qëllim manipulimin e opinionit publik”, u shpreh Rama. Kryetari i Bashkisë më të madhe në vend i përçoi mesazhin kreut të qeverisë se vendorët socialistë janë të vendosur dhe se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Duke i cilësuar si sulme mesjetare të papërfytyrueshme në Evropën e këtyre viteve Rama i bëri thirrje Berishës të hapë kutitë ose të largohet nga pushteti. “E ka më të kotë se kurdoherë. Ne të zgjedhurit vendorë të opozitës na ka përballë më të vendosur se kurrë. I shkreti Sali mendon se do t’ia hedhë, duke bërë sikur nuk dëgjon shqetësimet tona të mëdha dhe në anën tjetër duke inskenuar shfaqje të poshtra si ajo e djeshmja, ku kujton se i tregon dhëmbëve kundërshtarit përmes agresionit banditesk ndaj një prone të sipërmarrjeve private, por në fakt tregon panikun alarmant që e ka mbërthyer e shtyn në sjellje e veprime të dëshpëruara. Këto sulme mesjetare të papërfytyrueshme në mes të Evropës 2009 nxjerrin përditë e më në pah fytyrën e këtij pushteti të vjedhur e të falimentuar, të cilit i kanë mbetur vetëm të hajë vetveten, duke kafshuar me tërbim, Kushtetutën, ligjin dhe qytetarët e pafajshëm të këtij shteti”, u shpreh Rama. Pak ditë më parë kreu i ekzekutivit, Sali Berisha bëri publike një dosje, të cilën e cilësoi korruptive, ku akuzonte deputetë socialistë pranë kryetarit të PS-së, që kanë marrë me leje ndërtimi për mijëra metra katrorë ndërtime në Tiranë. Berisha e cilësoi këtë grup si punisto-mafioz dhe u shpreh i vendosur për ta çmontuar atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›