Gripi i derrave, gjashtë persona ne gjendje të rëndë
Gjashtë persona në gjendje të rëndë nga gripi i derrave. Katër prej tyre po marrin trajtim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe i përkasin moshave të reja, ndërsa dy të tjerë janë shtruar në Sanatorium. Gjithçka e konfirmon Ministria e Shëndetësisë. “Në vëmendje të ekzaminimeve janë analizimi i mostrave për personat me komplikacione apo në gjendje të rëndë. Janë ulur ekzaminimet e rasteve të zakonshme. Aktualisht kemi edhe gjashtë persona në gjendje të rëndë, të cilët po marrin ndihmë të specializuar”, u shpreh drejtori i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë Pëllumb Piper. Ka qenë Instituti i Shëndetit Publik, që ka konfirmuar se të sëmurët janë të prekur nga gripi i derrit. Virusi A/H1N1 po përhapet ndjeshëm në të gjithë vendin, bashkë me atë të gripit të zakonshëm, të favorizuar edhe nga sezoni. Nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, janë plot 300 persona të regjistruar si të infektuar, ndërkohë që të prekurit nga gripi i zakonshëm janë në mbi 17 mijë persona brenda një jave. Me kombinimin e dy viruseve, që qarkullojnë epidemitë masive nuk përjashtohen aspak. Gripi sezonal e ai i derrave kanë thuajse të njëjtat shenja. Simptomat e para të tyre janë temperatura e lartë, kolla, zakonisht e thatë, dhembje koke, dhembje muskujsh, artikulacionesh, dobësi, rrjedhje të hundëve. Në raste të caktuara personat e prekur nga gripi kanë ethe dhe brenda një jave kanë probleme, nëse nuk trajtohen. Koha e inkubacionit të virusit të gripit të zakonshëm është dy ditë. Vaksina e premtuar brenda datës 10 dhjetor nuk ka mbërritur ende.