Berisha: Rama, vetëm vizitor në zyrën time
Kryeministri Sali Berisha ka komentuar dje mitingun e opozitës një ditë më parë para Kryeministrisë. Duke marrë pjesë në disa inaugurime në komunat e Shijakut, kreu i qeverisë e krahasoi mitingun e partive të majta me revolucionin kinez të vitit 1967. Sipas tij, “kur unë jam në inaugurime, nuk mund të merrem me kinezërira. Ju e patë mbrëmë protestën e opozitës, që të kujtonte revolucionin kulturor kinez. Ata të kujtonin marshimet e vitit 1967. Aty pashë vetëm lejfenë. Përsa u përket protestave që vjen dhe bën para zyrës time, le të vijë dhe në zyrën time, por në karrige nuk ka shanse të ulet, sepse shqiptarët nuk e votojnë”. Berisha theksoi para banorëve të komunës së Hilë Priskës se kreu i opozitës ka bërë një zgjedhje fatale, duke u ngujuar në muze. Sipas tij e ardhmja e Ramës tashmë ka marrë një tjetër drejtim. “Opozita, kryetari i saj ka bërë një zgjedhje fatale, zgjedhja e tij është unike në planet, ngujimi në muze. Ti nuk mund të mburresh me lavdinë e të tjerëve, sepse lavdia e të tjerëve në fund të fundit është monolog me të shkuarën. Sado që të mund të fanepsin objektet muzeale, e ardhmja është krejtësisht dhe duhet të jetë e destinuar krejt tjetër”, theksoi më tej kreu i qeverisë. Sipas Berishës, lideri i opozitës, Edi Rama, flet i shkëputur nga realiteti shqiptar. “Nxjerr megafonët e tij të mashtrimit dhe thotë se kjo s`ka ndodhur kurrë. Po në qoftë se nuk ka ndodhur, më gjej një mësues të vetëm që të thotë se nuk ka ndodhur kjo. Lëre mënjanë teorinë e hurit të kuq, se shqiptarët as kanë qenë as bëhen ndonjëherë hunj të kuq, por nga inteligjenca janë të njohur dhe të shquar. Prandaj mos u servir mashtrime e trillime përditë! Dil nga muzeumi dhe njihu me realitetin! Kjo është thirrja ime për kryetarin e opozitës”, u shpreh kreu i qeverisë. a.sh