“Qytetarët kërkuan largimin e Berishës”
Aristir Lumezi
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha dje se qytetarët shqiptarë nuk mund të presin asgjë nga Kryeministri Berisha. Duke falënderuar qytetarët e pranishëm dy ditë më parë në protestën e opozitës, Meta tha se “qytetarët treguan se opozita duhet të imponojë largimin e kryeministrit, qytetarët shqiptarë treguan se me Berishën kryeministër nuk mund të ketë asnjë reformë, sikurse nuk ka pasur asnjë të tillë deri tani. Qytetarët shqiptarë treguan dje se nga Berisha nuk mund të pritet më shumë drejtësi dhe më shumë siguri në këtë vend”. Kreu i LSI-së duke radhitur të gjitha pasojat negative që vijnë nga qeverisja aktuale e maxhorancës së djathtë, tha se me Berishën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Qytetarët shqiptarë dëshmuan se me Berishën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme dhe ata i treguan të gjithë opozitës, se është detyrë e saj që të bëjë gjithçka për të imponuar sa më shpejt dorëheqjen e Sali Berishës si kryeministër dhe largimin e tij nga pushteti, si e vetmja mënyrë për të zhbllokuar krizën e thellë institucionale, në të cilën ndodhet vendi”, tha Meta. Sipas tij, protesta e të premtes ishte një protestë qytetare me mesazhe të qarta për qeverisjen aktuale. “Dëshiroj të falënderoj të gjithë qytetarët, të cilët morën pjesë dje në një manifestim tepër të rëndësishëm, ku kërkuan largimin e menjëhershëm të Kryeministrit Sali Berisha, si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit dhe si pengesa kryesore midis shqiptarëve dhe aspiratës së tyre, për t’u bërë qytetarë të një vendi evropian”, tha Meta. Sipas kreut të LSI-së, “protesta e djeshme tregoi qartë se qytetarët shqiptarë nuk ushqejnë më asnjë iluzion tek Qeveria e Sali Berishës, përkundrazi shpresat e tyre, për një jetë më të mirë dhe më të sigurt i shohin pa Sali Berishën kryeministër”. Meta u shpreh i vendosur për të kërkuar largimin e Berishës, pavarësisht presioneve që vijnë nga drejtime të ndryshme. “Qytetarët treguan dje se nuk ka autokraci, presion, terror dhe manipulim që mund të thyejë dhe t’i thotë ndal kurajos së tyre, në mënyrë që të mbetet e pacenuar kasta e korruptuar dhe kriminale e Sali Berishës në pushtet”, tha Berisha. Kreu i LSI-së ka qenë mjaft i qartë dhe njëkohësisht i ashpër në fjalën e tij të mbajtur në tubimin e opozitës së ditës së premte. Sipas tij, e keqja e Shqipërisë ikën bashkë me ikjen e Sali Berishës nga pushteti, duke i qëndruar idesë se Berisha duhet të largohet dhe të dorëhiqet.