Pesë pikëpyetjet e vdekjes së Trebickës
Ferdinand Dervishi
Po, nëpër ecurinë e hetimit të çështjes “Kosta Trebicka” kanë mbetur disa pika të errëta. Edhe pse vendngjarja ku humbi jetën dëshmitari më kryesor i aferës së fishekëve me Afganistanin, flet më së shumti për një aksident të mirëfilltë, specialistë të ndryshëm, nisur nga ata që kanë ndjekur nga afër zhvillimet, në disa pika janë ende dyshues. Dhe paqartësia nis mbështetur në analizë të fortë të të dhënave, që nga pamja fillestare që iu dha publikut për ngjarjen. Dhe pikëpyetja e parë kërkonte një përgjigje për pyetjen: përse duhet të ndodhte pikërisht në atë pikë të zonës përmbi Voskopojë? Më tej, një tjetër dyshim i fortë ka lindur edhe për shkak të vendosjes së kufomës së Kosta Trebickës, e cila me fytyrën nga qielli, dhe e pozicionuar shulaz në mes të rrugës, kishte pamjen sikur të ishte rregulluar me duar. Nisur nga këtu, të njëjtët specialistë kanë vënë re se grupi hetimor nuk ka kërkuar të kryhet ekspertiza e mbetjeve të makinës, të gjetura në plagën që i ka shkaktuar vdekjen, për të vërtetuar vendin në mjet nga ato janë shkëputur. Një moment diskutimi që ka shkaktuar edhe mendime për pazotësi të treguar. Por më shumë pikëpyetje, sipas të njëjtëve, ngrihen pas pyetjes se cilat rrethana e shkaktuan aksidentin, nëse Trebicka mund të kishte konsumuar ushqime të dyshimta një natë më parë, një dyshim që mund të provohet, por edhe përjashtohet pas nxjerrjes së analizave të gjakut apo përmbajtjes së stomakut të viktimës. Po kështu të njëjtët specialistë janë të dyshuar edhe për dëshmitarët, të cilët në momentet kyçe të ngjarjes, në asnjë rast, nuk janë më shumë se një person.
Vendngjarja e dyshimtë
Momenti kur ngrihet ky dyshim ka nevojë për njohuri për vendngjarjen. Thuhet se Kosta Trebicka është nisur për gjah në orën 05:00 dhe është kthyer rreth orës 12:00. Të gjitha gjasat thonë se në këtë orar një gjahtar e ka përfunduar seancën e tij. Pra është duke u kthyer pas një “misioni” të përmbushur, për më tepër që Kosta Trebicka ka pasur me vete edhe disa zogj që përbënin një gjah goxha të mbarë. Dhe kur një gjahtar kthehet dhe gjendet në afërsi të fshatit, në një zonë të rrahur, ku nuk fluturon më asgjë, për më tepër në mesditë, ai nuk e ka mendjen të futet në një rrugë paralele dytësore me qëllim që të shohë mos qëllon sërish në shpendë. Pra nisur nga kjo analizë, Kosta Trebicka s’kishte përse të futej në një rrugë dytësore. Mbërritur këtu, një tjetër moment që e bën dyshues aksidentin është edhe fakti se makina gjendej në “afole”, pra e paingranuar në marsh. Po të shohësh me kujdes relievin, asnjë shofer nuk do të ishte i pakujdesshëm në drejtimin e mjetit, për më tepër nuk do e linte makinën të paingranuar, pasi aty ishte një tatëpjetë, dhe në të tillë reliev rregulli i parë i çdo shoferi, qoftë edhe instikti, e këshillojnë që makina të jetë në marsh.
Kufoma e lëvizur?
Me fytyrën nga qielli, me plagë nga pas kokës, dhe e vendosur nga e majta në të djathtë, kufoma e Kosta Trebickës mbart në vetvete të tjera pikëpyetje. Së pari një kufomë e shtypur nga makina duhet të ketë një vendosje sipas një lëvizjeje imagjinare dinamike. Pra duke marrë të mirëqenë mendimin e hetimit se makina ka bërë një rrotullim të plotë nga e majta (ana e shoferit) në të djathtë, mund të imagjinohet se shoferi në momentin që makina ka nisur rrotullimin, të jetë mbajtur të paktën me një dorë në timon. Graviteti mund të ketë bërë që pjesa e poshtme e trupit të tij të ketë lëvizur duke e vendosur paralel me makinën, me kokën pranë timonit dhe këmbët pranë sedijes së pasagjerit. Kështu që në momentin kur makina ka bërë rrotullimin e plotë dhe ka rrëzuar përtokë shoferin, vendvendosja e trupit me më shumë gjasa duhet të ishte në të kundërt të vendvendosjes së kufomës së Trebickës. Pra në rastin me të keq këmbët të ishin aty ku ai kishte kokën, në më të mundshmin horizontalisht me rrugën dhe në rastin më të rrallë në atë pozicion që u gjet. Për më tepër që Trebicka ishte goditur nga pas kokës, një plagë që mbase nuk të lejon të bësh asnjë lëvizje më tepër, dhe është gjetur me fytyrë nga qielli. Pra nëse thuhet se makina e ka goditur pas koke, mund të dyshohet se kufoma ka lëvizur, përndryshe me vendosjen që u gjet, plagët e shtypjes nga makina duhet të ishin në fytyrë.
Analiza e pakryer
Një tjetër moment i dobët i çështjes është konsideruar fakti përse grupi hetimor nuk ka kërkuar të kryhet ekspertiza e mbetjeve të makinës, të gjetura në plagën që i ka shkaktuar vdekjen Trebickës, për të vërtetuar vendin në mjet nga ato janë shkëputur. Ekspertët thonë se kjo lloj procedure quhet analizë transologjike, se është shumë e njohur dhe se në këtë rast shërben për të bërë lidhjen e pjesëzave të bojës së makinës të gjetur në plagën e sipër veshit me atë pjesë të makinës që e ka shkaktuar këtë plagë. Për më tepër që në disfavor të hetimit, në makinë nuk janë gjetur ende pika gjaku, gjurmë lëkure apo të tjera mbetje të trupit të të ndjerit. Gjithsesi duket në këtë pikë ka të ngjarë që të ketë hapësirë për diskutim edhe paaftësia e grupit të hetimit. Një paaftësi që nis edhe prej faktit se edhe një ditë më pas nga vendngjarja nuk ishin marrë e administruar si prova pjesë të tjera të stukos apo bojës së makinës që gjendeshin pranë gjurmëve të gjakut të viktimës.
Pse humbi drejtimin?
Që të gjitha palët e pranojnë se vdekja e Trebickës mund të ketë ardhur si pasojë e një aksidenti, por pikëpyetja logjikisht ka mbetur te shkaku: përse? Përse një njeri i stërvitur për gjueti, përse një shofer i vjetër të humbë drejtimin e makinës dhe të shkaktojë një aksident kaq banal? Në këtë moment shumë pikëpyetje ngre gjendja fizike e shoferit. Një moment për të dyshuar se njeriut që dihet se udhëtonte shumë dhe në këtë rast i vetëm, i kanë dhënë me anë të ushqimit një ilaç, solucion e të tjera të ngjashme dhe kjo mund të ketë ndodhur një ditë më parë. Në këtë pikë marrin vlerë informacionet për njerëzit dhe ambientet që Trebicka ka frekuentuar një ditë më parë. Gjithsesi ky është një moment që mund të sqarohet me mbërritjen e analizave të gjakut dhe të ushqimit të marrë nga stomaku i viktimës.
Dëshmitarët jo bindës
Një tjetër moment i dyshimtë për specialistët ka mbetur edhe fakti se në pikat kyçe të vërtetimit të lëvizjeve më të rëndësishme të Trebickës ka nga një dëshmitar të vetëm. Kështu mbërritjen e tij në Voskopojë një ditë para aksidentit e vërteton vetëm një banor i zonës, të cilin Trebicka e ka pyetur për vendndodhjen e ish-kampit të pionierëve, në një kohë që tabela në hyrje të fshatit është e stërmadhe dhe e qartë për të shpjeguar shkuarjen në këtë destinacion. Për më shumë Trebicka ishte nga Korça dhe duket nuk e kishte për herë të parë këtë Voskopojën. Po kështu për daljen e tij herët në mëngjes për gjah ka sërish vetëm një dëshmitar. Të gjitha këto detaje, pavarësisht seriozitetit të hetimit, lënë mundësi për të ngritur pikëpyetje. Fundja Kosta Trebicka ishte mbase i vetmi personazh në Shqipëri që kishte dijeni më shumë se të gjithë të tjerët për aferën më të madhe me të cilën po përballet aktualisht drejtësia shqiptare. Që të mos ngrihen të tilla pikëpyetje, të paktën ai, Trebicka, nuk duhet të kishte vdekur në të tilla rrethana.
Makina e Trebickës kthehet në vendin ku vdiq dëshmitari kyç
TIRANE – Në rrethana krejt të ndryshme nga lëvizja e parë në zonën e Lekasit në Korçë, makina e Kosta Trebickës pritet të rikthehet përsëri në vendin ku ndodhi ngjarja enigmatike. Grupi i ekspertëve, të cilët konstatuan se makina është në gjendje të rregullt pune, ka vendosur ta transportojë atë për një eksperiment në vendin ku u gjet i vdekur Kosta Trebicka. Duke përdorur një shofer tjetër, ekspertët do t’i kërkojnë atij të lëvizë me të njëjtën shpejtësi si ajo me të cilën besohet se ka qenë duke ecur Kosta Trebicka. Makina do të drejtohet të përshkojë të njëjtin itinerar në vendin e ngjarjes, për të parë mënyrën e sjelljes së saj, mundësinë e batimit dhe drejtimet që ajo do të marrë në këtë rast. Pas konstatimit të gjendjes së mirë të automjetit të dëshmitarit kyç të çështjes “Gërdeci”, ekspertët e cilësojnë eksperimentin me makinën si një nga veprimet më të rëndësishme që do të ndihmojë në zbardhjen e enigmave të kësaj ngjarjeje. Hetuesit dhe ekspertët do të vëzhgojnë me vëmendje mënyrën e sjelljes së automjetit në terrenin që sipas shenjave, ajo ka përshkuar mesditën e 12 shtatorit kur biznesmeni shqiptaro-amerikan u gjet pa jetë në mes të rrugës, në zonën malore të Lekasit. t.s