Dade: OSBE dhe ODIHR premtuan më shumë vëmendje për zgjedhjet
Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme dhe Sekretarja Ndërkombëtare e PSSH-së, Arta Dade, zhvilloi një takim me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares.
Nënkryetarja e Komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme dhe Sekretarja Ndërkombëtare e PSSH-së, Arta Dade, po ndjek punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që po mbahet në Toronto, Kanada, në cilësinë e anëtares së delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Shqipërisë pranë kësaj Asambleje. Gjatë këtij takimi, Dade bëri një ekspoze lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend dhe për vonesat lidhur me përgatitjet e infrastrukturës zgjedhore, dhe konkretisht përgatitjen e regjistrit të votuesve dhe kartave të identitetit, duke i kërkuar Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe ODIHR-it një vëmendje më të madhe, si dhe të rrisin impenjimin e tyre lidhur me zgjedhjet në Shqipëri. Nga ana e tij, Presidenti i AP-së së OSBE-së, Joao Soares, premtoi për një vëmendje më të madhe nga kjo asamble, duke deklaruar se do të vendosë kontakte me personat përgjegjës për zgjedhjet dhe do të krijojë një mision të Asamblesë Parlamentar, që do të ndjekë në vazhdimësi përgatitjet për zgjedhjet deri në administrimin dhe vëzhgimin e tyre, si zgjedhje të rëndësishme edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. Gjatë punimeve të AP-së së OSBE-së u mbajt një debat urgjent për krizën e fundit në Gjeorgji. Në fjalën e saj gjatë këtij debati, deputetja Arta Dade shprehu pozicionin e Shqipërisë përballë kësaj krize. “Shqipëria e ka përkrahur që në fillim demarshin diplomatik evropian, duke shprehur mbështetjen e plotë për sovranitetin e Gjeorgjisë dhe integritetin e saj territorial, si dhe duke ftuar palët që të shmangin konfliktin e armatosur dhe t’i kthehen zgjidhjes paqësore të krizës”, tha Dade.