E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Sali Berishën do ta mundim me zgjedhje të lira

 

Aristir Lumezi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu dje stra-tegjinë e kësaj partie për të larguar Berishën nga pushteti. Gjatë një konference për shtyp në Partinë Socialiste, Rama u shpreh i vendosur për të bërë opozitë brenda sallës së Kuvendit dhe jo jashtë saj. Sipas tij, “vetëm ndryshimi i kuadrit ligjor që do garantojë zgjedhjet e lira dhe imponimi për të ndryshuar ligjin për Prokurorinë, do të largojnë Kryeministrin Berisha nga qeveria”. “Kemi detyrim të madh që në këtë Parlament të hartojmë një kuadër ligjor për të patur zgjedhje të lira e të ndershme, me të cilat jo vetëm do mundim politikën e vjetër të Sali Berishës, por ç’ka është më e rëndësishme do ndryshojmë Shqipërinë”, u shpreh Rama. Kryesocialisti Rama pohoi se me pjesëmarrjen në Parlament, Partia Socialiste do të imponojë ndryshimin e ligjit të Prokurorisë, i cili “do ta çlirojë një herë e mirë Prokurorinë nga kthetrat e politikës dhe nga trysnitë e Sali Berishës, i cili është i dyshuari i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve për çka ndodhi në Gërdec dhe që i trembet drejtësisë dhe së vërtetës”.
Kreu socialist nuk la pa komentuar dhe ballafaqimin mes banderolave dhe flamujve të dy partive kryesore opozitare, PS dhe LSI, në protestën e ditës së premte para Kryeministrisë. “Jam për të falënderuar qytetarët dhe qytetaret e Tiranës dhe ata që erdhën nga shumë anë të vendit dhe i dhanë të gjithëve fuqinë për të besuar se në Shqipëri ekziston jo vetëm kurajoja, por edhe energjia për të përballuar një situatë dramatike në vend. Dua t’u kërkoj ndjesë atyre dhjetëra-mijëra qytetarëve e qytetareve, që PS-ja i ftoi në një manifestim pa flamuj dhe pa slogane e banderola partiake dhe u bezdisën nga shfaqja e këtyre shprehjeve të vjetra të ambicies së pjesshme, ndërkohë që ajo që ne duam është të mishërojmë një ambicie të të gjithëve. Ata që sot janë të rrezikuar nga pasiguria në punë, në jetë dhe në festë, janë shqiptarë dhe shqiptare pa dallim”, tha Rama. Sipas kryetarit të selisë rozë, protesta e dy ditëve më parë tregoi se opozita e sotme shqiptare është më e madhe se partitë politike, duke mbështetur në këtë mënyrë tezën e tij për krijimin e aleancave “përtej të majtës dhe të djathtës”. “Opozita sot në Shqipëri, siç e tregoi edhe protesta e djeshme, është shumë e madhe sesa disa grupime, shkon shumë përtej kufijve të vjetër të partive, kërkon shumë më tepër zëra dhe energji se sa mund të prodhojnë disa grupime me mendësitë e tyre, me sjelljet e tyre. Pra, nuk duhet të mbetemi peng i stereotipit të një opozite të kufizuar në një parti të madhe socialiste dhe në disa grupime të vogla, por duhet të kalojmë tek shprehja e asaj që pamë dje dhe tek transformimi i kësaj shprehje në një politikë të re konkrete dhe të prekshme, përmes një bashkimi të ri që nuk është bashkimi i kryetarëve, por i qytetarëve. Është shumë e rëndësishme ta tejkalojmë këtë moment”, tha Rama. Kreu socialist e konsideroi  “tallje me qytetarët komentet, sipas të cilave qëndrimi i PS-së nuk bën të mundur largimin sot të Kryeministrit Sali Berisha, është një tallje e madhe për përfitime të vogla dhe për interesa personale në funksion të një lufte të vjetër për pushtet personal dhe klanor. Rama ka bërë të ditur se qëndrimi i PS-së për këtë çështje buron nga fakti se ky vend nuk i përket as kryeministrit dhe as një grushti ministrash, por ai është një vend që ka nevojë të flasë dhe të dëgjohet nëpërmjet opozitës në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›