E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhihani e Bylykbashi gola në Ukrainë

 

Parid Xhihani, sulmuesi shqiptar që luan te ukrainasit e Zorias ka shënuar golin e tij të pestë në ndeshjen që skuadra e tij fitoi me rezultatin 3-2 në transfertë kundër FC Kharkivit. Sulmuesi 25, vjeçar që u transferua në kampionatin ukrainas gjatë verës që shkoi ka kaluar skuadrën e tij në avantazh në minutën e 7-të të ndeshjes dhe ka qenë padyshim një ndër më të mirët në skuadrës së tij. Nëse vazhdon me këtë ritëm 25-vjeçari nga Kavaja mund të shpallet kryegolashënues, sepse në 7 ndeshje kampionati ka shënuar 5 gola. Aktualisht ekipi i tij renditet në vendin e 6 të me 12 pikë të grumbulluara. Ndërkaq edhe mesfushori Dorian Bylykbashi është treguar vendimtar për skuadrën e tij Krivbasin, e cila mori një barazim 1-1 kundër Tavria Simferopolit. Ish-kapiteni i Partizanit ka shndërruar në gol një penallti të akorduar në favor të skuadrës së tij në minutën e 51-të dhe ka kaluar ekipin e Krivbasit në avantazh, por skuadra e tij pësoi gol në minutën e 72-të, duke mos mundur të merrte një fitore. Ky ishte goli i tretë për Bylykbashin në këtë sezon. Ervin Bulku, mesfushori i Kombëtares shqiptare që luan gjithashtu te skuadra e Krivbasit ka luajtur vetëm 10 minutat e fundit të këtij takimi. Për sa i përket lojtarëve që luajnë në Bundesligë, Skela ka luajtur dje gjatë gjithë takimit në barazimin 1-1 që Kotbusi mori kundër Bohumit të Mërgim Mavrajt. Ky i fundit nuk luajti asnjë minutë në këtë ndeshje. Skela është ndëshkuar edhe me karton të verdhë në këtë takim, teksa skuadra e tij mori pikën e dytë në këtë sezon. Edmond Kapllani nuk do të jetë i gatshëm për derbin e sotëm kundër Shtutgartit. Sulmuesi kuqezi që luan te Karlsruhe ka pësuar një dëmtim dhe do të mungojë në transfertën e vështirë kundër Shtutgartit, ndeshje që do të fillojë më 17.00. Ndërkaq media italiane ka bërë të ditur se ka shumë pak gjasa që Erjon Bogdani ta nisë si titullar ndeshjen e sotme kundër Sampdorias.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›