Trebicka, ekspertët po hetojnë ndërhyrje njerëzore në ngjarje
Trazhgim Sokolaj
Ekspertët që kanë marrë në dorë hetimin për vdekjen e biznesmenit, Kosta Trebicka, së bashku me prokurorin e Korçës dhe drejtorin e Hetimit të Krimeve në Policinë e Shtetit, raportuan dje para Proku-rores së Përgjithshme, Ina Rama. Kjo e fundit ka kërkuar në raport gjithë grupin hetimor, i cili rreth orës 10:30 është paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme. Raportimi tek Kryeprokurorja Ina Rama ka zgjatur rreth dy orë dhe më pas, eksperti amerikan është ulur në kompjuter në një nga zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme dhe ka filluar hartimin e raportit për ekspertizën e makinës së Kosta Trebickës, vendin e ngjarjes dhe gjithë elementët që përfshijnë rindë-rtimin e skenës në të cilën humbi jetën biznesmeni shqiptaro-amerikan. Qëndrimi i grupit hetimor në Prokurorinë e Përgjithshme ka vazhduar për rreth katër orë, deri në 14:30 kur zyrtarët e Prokurorisë dhe policisë, madje edhe vetë Kryeprokurorja Ina Rama kanë dalë nga organi qendror i akuzës. Një ekspert amerikan, Kevin Teter, nga Virxhinia dhe dy autoteknikë shqiptarë po përpiqen t’i japin përgjigje dilemave që ekzistojnë për mënyrën se si doli nga rruga makina e Kosta Trebickës, rrethanat në të cilat ajo përfundoi 43 metra larg kufomës së biznesmenit, madje në drejtim të kundërt me trupin e tij dhe një sërë pikëpyetjesh të tjera mbi ngjarjen.
Vrasje apo aksident
Hetimi zyrtar për rrethanat në të cilat vdiq Kosta Trebicka ka hyrë në një rreth hermetik. Prokurorët, punonjësit e policisë, madje as mjekët ligjorë, të cilët pak ditë më parë deklaruan me nxitim idenë për një aksident automobilistik, tani nuk preferojnë të japin deklarata. Megjithatë nga burime zyrtare të grupit të hetimit, mësohet se eksperti amerikan i mbërritur të enjten nga Virxhinia, po përpiqet t’u japë përgjigje dy dilemave, që kanë të bëjnë me ngjarjen ku humbi jetën denoncuesi 52-vjeçar i skandalit ndërkombëtar të tregtisë së fishekëve Shqipëri-Afganistan. “Eksperti amerikan dhe dy autoteknikët shqiptarë po analizojnë çdo element të ngjarjes, filmimet dhe fotot e bëra në zonën ku u gjet kufoma, deklaratat e dëshmitarëve për pozicionin e makinës dhe trupit të pajetë, si dhe relievin e sipërfaqes në të cilën ka lëvizur makina me qëllim që të saktësojnë shkencërisht nëse në gjithë këtë skenë kemi të bëjmë me një aksident, apo në mënyrën si ka ndodhur ngjarja, mund të ketë ndërhyrje njerëzore”, konfirmuan dje burimet zyrtare nga hetimi i çështjes. “Konkretisht po shikohet nëse drejtimi, shpejtësia e makinës dhe terreni kanë mundësuar një lëvizje të tillë të makinës dhe mbetjen e kufomës e sendeve të tjera në ato pozicione që u gjetën. Në rast se nuk provohet se kjo mund të ndodhë në ato kushte, atëherë hetimi do të drejtohet në mundësinë e ndërhyrjes njerëzore në këtë skenë të komplikuar”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, pavarësisht deklaratave të nxituara nga autoritetet shqiptare, eksperti amerikan nuk është mjaftuar me këqyrjen paraprake të makinës, por ka kërkuar analizë më të thelluar në të gjithë elementët e saj, përfshi edhe analizën e gjurmëve e provave në vendin e ngjarjes.
“Rezultatet dalin pas pesë ditësh”
TIRANE – Grupi i ekspertëve, që po hetojnë vdekjen e Kosta Trebickës së bashku me anëtarët e grupit të hetimit, do të rikthehen përsëri në Korçë për të bërë verifikime të tjera shtesë mbi makinën, me të cilën udhëtonte biznesmeni Kosta Trebicka. Ekspertëve do t’u vihen në dispozicion edhe materiale nga dosja që shpjegojnë skenën e vendit të ngjarjes, pozicionin e kufomës, makinës, të sendeve personale dhe provave të tjera që u gjetën aty. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, ekspertiza e plotë mbi këtë ngjarje dhe ballafaqimi i saj me të dhënat e tjera si tabulatet e telefonit të biznesmenit, apo të dhëna të tjera të hetimit, pritet të konkludojnë javën e ardhshme, të paktën pas pesë ditësh kur mund të krijohet një ide më e qartë mbi atë që ka ndodhur me Kosta Trebickën.
Raporti amerikan në dosjen “Gërdeci”: Ishte aksidentale
TIRANE – “Shpërthimi i ndodhur në fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec ka ndodhur si pasojë e një aksidenti. Punonjësit që po kryenin brenda punishtes dhe pranë predhave, saldimin e karrocave që transportonin barut, pa dashje kanë aktivizuar ndezjen e zjarrit që shkaktoi tragjedinë. Prokuroria e Përgjithshme ka administruar në dosjen e tragjedisë së Gërdecit, raportin voluminoz të hartuar për këtë ngjarje nga gjashtë agjentë të Byrosë Federale ATF, të cilët qëndruan për një javë në Tiranë duke kryer hetime në kraterin e shpërthimit. Një raport shkencor me mbi 720 faqe dhe i shoqëruar me foto shpjeguese për secilën etapë të mekanizmit të tragjedisë, i hartuar nga gjashtë agjentët e Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve (ATF), ka hyrë së fundi në dosjen “Gërdeci”. Sipas burimeve zyrtare, në raportin e tyre agjentët amerikanë pasi verifikuan për një javë vendin e ngjarjes dhe më pas analizuan në hollësi të gjitha provat e mbledhura, janë shprehur se shpërthimi i Gërdecit është aktivizuar aksidentalisht. Pra, punëtorët që po saldonin karrocat metalike 11 metër larg portës hyrëse të punishtes, kanë ndezur pa dashje nga një shkëndijë barutin e shumtë që ishte grumbulluar përtokë, i cili më pas aktivizoi predhat e kalibrit të madh që goditën kontejnerët e grumbulluar në të djathtë të portës hyrëse të punishtes. Sipas burimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, shkaktarët e ngjarjes, pra ata që po kryenin saldimin e karrocave pësuan dëmtime fizike ndërsa nuk ekzistonte asnjë specialist apo mbikëqyrës që mund t’i ndalonte ata të kryenin veprimin, që më pas shkaktoi katastrofën.