E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Ramës: Ke fyer banorët e fshatit

Gjatë vizitës së tij në Shkodër dhe veçanërisht në komunën Dajç, Kryeministri Sali Berisha ka ironizuar edhe kryetarin e PS-së, Edi Rama. Berisha tha se disa ditë më parë, kur kishte inauguruar asfaltimin e disa rrugëve në Xhafzotaj, banorët i ishin shprehur atij se me sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve, ndiheshin si në Tiranë, pavarësisht se kryetari i Bashkisë së Tiranës i cilëson ata banorë të fshatit. “Unë, nga këtu, i them kryetarit të Bashkisë së Tiranës: Ki kujdes me fshatin sepse ke një borxh të vjetër ndaj tij. Prandaj mos lësho mufka të tjera se nuk është mirë”, - tha Berisha. Kryeministri ka ironizuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës Rama, edhe gjatë vizitës së tij në komunën Bushat. Ai inauguroi rrugën e re prej 7 kilometrash. “Me këtë rrugë prej 7 kilometrash, që lidh dy fshatrat Rranxë e Melgush me superstradën Tiranë - Shkodër, në Bushat asfaltohen 15 kilometra nga 36 kilometra rrugë që janë gjithsej, ndërkohë që janë dhe 5 kilometra të tjerë në asfaltim e sipër. Brenda vitit 2008 do të sistemohet rreth 60 për qind e infrastrukturës, ndërsa në vitin 2009 do të asfaltohen të gjitha rrugët e kësaj komune. Kryetari i komunës së Bushatit ka asfaltuar 40 për qind më shumë sesa banori i Tiranës, meqenëse atij i pëlqen që komunarët t'i quajë banorë. Ai edhe për Kasharin tha se u ndeshën katër banorë dhe doli i katërti”, - u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›