Berisha: Shqipëria hapa para
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka dhënë një përgjigje direkte për skeptikët në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë vitin që vjen në NATO. Gjatë vizitës së djeshme në Shkodër, në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”, Berisha tha se vendi po fiton besim çdo ditë e më shumë dhe se rruga e anëtarësimit për në NATO dhe në BE, nuk do të ketë kthesë prapa. Ky reagim vjen vetëm dy ditë pas kritikave të forta në media të një diplomati amerikan, i cili theksonte se Shqipëria po bën hapa prapa. “Miqtë e Shqipërisë po shtohen çdo ditë e më shumë. Shqipëria, jo që nuk do të bëjë hapa prapa, por do të bëjë shumë hapa përpara. Ky është zotimi im para shqiptarëve, para partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë dhe para të gjithë atyre që e duan dhe e mbështesin në rrugën e integrimit euroatlantik”, - tha Berisha si përgjigje në lidhje me kritikat e diplomatit të SHBA-së. I shoqëruar nga dhjetëra qytetarë të thjeshtë shkodranë, Berisha zgjeroi deklaratën e tij duke u dhënë më tej përgjigje disa shqetësimeve të fundit. Ai tha se institucionet e pavarura, janë më të pavarura se kurrë ndonjëherë. Kryeministri tha më tej se ka pasur një debat të gjerë, i cili vendosi standarde më transparente, por edhe më të mira. “Në gjykimin tim, institucionet nuk kanë qenë kurrë më të pavarura. Debatet janë debate, janë konstante të demokracisë. Standardet janë standarde dhe për këtë qeveria është e vendosur që të vendosë standardet më të mira. Debatet janë konstante e pandryshueshme e një shoqërie të lirë, por nga debati tek standardi janë dy gjëra të ndryshme. Standardi ka qenë dhe është qëllim madhor i kësaj qeverie. Çdo gjë do të ketë standard”, - tha Kryeministri. Në fjalën e tij Berisha përmendi shembullin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas tij, e gjithë përplasja institucionale solli frute dhe krijoi një procedurë transparente. “Për shembull, pati debate dhe përplasje për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, por ky debat solli një procedurë bilaterale, siç ua paralajmërova, më transparente dhe Parlamenti shqiptar votoi si një nga parlamentet më të mira dhe futi seancën e dëgjimit. Presidenti bëri hapat e tij dhe futi një proces transparent para qytetarëve”, - tha Berisha.
Turi
Vizita e Kryeministrit Berisha në Shkodër pati si pikësynim inaugurimin e disa investimeve të përfunduara në këtë zonë. Kryeministri inauguroi përfundimin e asfaltimit të rrugës rurale Dajç - Pentar me gjatësi 5 km, stacionin e pompave të ujësjellësit të fshatit Trush në komunën e Velipojës etj. Në fjalën e tij Berisha tha se këto investime ishin dikur premtime të cilat u mbajtën nga qeveria. Pas prerjes së shiritit të inaugurimit, Kryeministri Berisha siguroi kryetarin e komunës Dajç se së shpejti do të nisin edhe disa projekte të tjera. Berisha tha më tej se një mandat i dytë për qeverinë e tij do të bëjë të mundur realizimin e shumë projekteve. “Do të bëjmë çmos që brenda vitit të parë të mandatit të dytë të qeverisë, në rast se mençurisht shqiptarët zgjedhin Sali Berishën dhe qeverinë e tij, të asfaltojmë të gjitha rrugët e kësaj komune, e cila ka një bimësi dhe bujqësi jashtëzakonisht të fuqishme. Gjatë këtyre tre viteve të fundit këtu janë asfaltuar 13 km rrugë”, - tha më tej Berisha. Kreu i qeverisë, i pyetur edhe nga media, tha se turi i tij nuk ka qëllime fushate elektorale, por ka si qëllim të tregojë se qeveria e tij mban premtimet.