E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Ramës: Mos ki frikë nga humbja, se edhe ajo për burrat është

Kryeministri përqëndron fushatën me sulme ndaj kreut të opozitës
Kryeministri Sali Berisha njëkohësisht dhe kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi një miting elektoral në qytetin e Kuçovës, ku deklaroi se katër vitet e ardhshme nën qeverisjen e tij, zhvillimi i vendit do të vazhdojë akoma dhe më tej. Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha falënderoi qytetarët e Kuçovës për mbështetjen që ata i kanë dhënë këto katër vjet PD-së dhe qeverisë që ai drejton, dhe ju kërkoi që ata së bashku me qeverinë e tij të vazhdojnë rrugën e nisur, rrugën që ka sjellë dhe ndryshimin e Shqipërisë. "Katër vitet që vijnë janë vite vendimtare për projektin tonë të dytë madhor të shekullit të 21-të, Shqipëria në Evropë. Le të vazhdojmë së bashku rrugën që kemi nisur. Unë ju bëj thirrje të bashkohemi, pavarësisht nga bindjet, për të  vazhduar ndryshimin, për të vazhduar rrugën  tonë drejt horizontit të ri, rrugën drejt Shqipërisë evropiane. Në këtë rrugë, në këtë përpjekje për ne nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë të përjashtuar. Përkundrazi, ftesa jonë është të vazhdojmë së bashku, sepse të gjithë ne meritojmë Kuçovën evropiane, Shqipërinë evropiane", tha Berisha. Gjatë fjalës së tij ai bëri një rezyme të punës dhe të arritjeve që ka pasur Shqipëria nën drejtimin e Partisë Demokratike dhe nën qeverisje e tij, duke ju premtuar qytetarëve të Kuçovës, se qeveria e tij gjatë katër viteve të ardhshme do të dyfishojë rrogat dhe pensionet dhe do të krijojë shumë vende të reja pune, ku sipas tij punësimi është dhe një nga prioritetet e kësaj qeverie. Berisha deklaroi se qeveria e tij në 4 vitet e ardhshme do të vazhdojë të investojë në infrastrukturën e vendit, dhe në mandatin e dytë të qeverisë së tij do ta bëjë Kuçovën një qytet evropian, sepse do të shtrojë çdo rrugë dhe rrugicë të këtij qyteti dhe të fshatrave përreth, gjithashtu ju siguroi se ky qytet do të ketë ujë 24 orë gjatë mandatit të dytë të qeveris së tij. Ndër të tjera Berisha foli dhe për aksin rrugor Kuçovë-Belsh-Cërrik. "Këtu, ka nisur me shpejtësi rruga Kuçovë-Belsh-Cërrik, segment i rëndësishëm i boshtit të jugut, bosht që e shndërron Beratin dhe Kuçovën në një nyje jashtëzakonisht të rëndësishme të qarkullimit dhe transportit në vend", deklaroi Berisha. Gjatë fjalës së tij ai ju bëri thirrje banorëve të kësaj zone dhe të gjithë shqiptarëve që të pajisen me kartat e identitetit sepse letërnjoftimet e reja janë dëshmi e identitetit, dhe janë të njëjta me të gjitha vendet e zhvilluara në botë. Me letërnjoftimin e ri, qytetarët e Kuçovës dhe të mbarë Shqipërisë kanë me vete dokumentin më modern të identitetit në Evropë. Merrni letërnjoftimet që të votojmë të gjithë dhe ti shndërrojmë këto zgjedhje në festën e madhe të besimit tonë tek vetja, tek njeri-tjetri, tek e ardhmja dhe tek Evropa. Thirrja ime vëllazërorë për ju dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, është që ta shndërroni këtë javë të fundit në javën e përgjegjësisë tuaj maksimale qytetare, tha Berisha. Ndërkohë, kryeministri Berisha përsëriti gjatë këtij takimi thirrjen për kreun e PS-së, Edi Rama, ku i kërkonte këtij të fundit që të ishte dhe ky pjesë e këtyre zgjedhjeve por jo si një vëzhgues por si një lojtar i tyre, sepse edhe fitorja edhe humbja janë për burrat, dhe u shpreh i gatshëm që të mblidhte parlamentin dhe të ndryshonte ligjin vetëm për të parë kreun e socialistëve në listën e kandidatëve në zgjedhjet elektorale të 28 qershorit. I bëj thirrje edhe një herë kryetarit të Partisë Socialiste çlirohu nga kompleksi i humbjes, sepse edhe humbja, edhe fitorja për burrat janë. Eja dhe regjistrohu në listë, në përputhje me parimin më themelor të pluralizmit, sepse nuk mund të nisësh në betejë mbështetësit e tu dhe vetë tia mbathësh, kjo nuk pranohet, ndaj dil në krye të listës, deklaroi gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›