Nishani: Qytetarët që aplikojnë deri në 15 qershor, do të pajisen me kartë
Në kuadrin e procesit të pajisjes së qytetarëve më kartat e identitetit, ministri i Ministrisë së Brendshme, Bujar Nishani, deklaroi se të gjithë shtetasit pa pasaportë që aplikojnë deri më 15 qershor, do të pajisen me letërnjoftimin e ri dhe si rrjedhojë do të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet e qershorit.
Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij, ministri i brendshëm, Nishani u shpreh se deklaroi se deri më tani, 1.253.360 qytetarë kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, duke nënvizuar se deri dje të paktën 767.190 qytetarë kanë tërhequr letërnjoftimet elektronike. Duke i kushtuar vëmendje mbarëvajtjes së këtij procesi, Ministri i Brendshëm, Nishani bëri të ditur për përfaqësuesit e medias edhe ndryshimin e orarit të punës në zyrat e aplikimit. Nga e hëna, orari i zyrave për aplikim dhe tërheqjen e letërnjoftimeve elektronike në të gjithë vendin, do të jetë nga ora 08.00 e paradites, deri në orën 22.00 të mbrëmjes, në të gjitha ditët e javës, përfshirë edhe të dielën, tha ai, duke vlerësuar gjithashtu edhe kompaninë ALEAT, e cila ka ofruar të gjitha kapacitetet. Nisur nga kapacitetet që ka ofruar kompania "ALEAT", Ministri i Brendshëm garantoi qytetarët se ekzistojnë të gjitha kapacitete e duhura për të pajisur qytetarët me letërnjoftimin elektronik, duke kërkuar domosdoshmërish edhe interesimin e tyre. Ministri Nishani i bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë pa pasaportë që të paraqiten pranë zyrave për të aplikuar, si dhe kërkoi që të gjithë të tjerët, që kanë aplikuar dhe nuk e kanë tërhequr letërnjoftimin elektronik, të paraqiten sa më shpejt pranë zyrave të aplikimit për t'a marrë atë. Lidhur me pyetjen e medias mbi mundësinë e dublimit të emrave në listën e zgjedhësve të bërë publike në faqen zyrtare të ministrisë së Brendshme, ministri Nishani sqaroi se të gjitha rastet që mund të identifikohen, do të jenë objekt verifikimi. Në përfundim të procesit të aplikimit dhe prodhimit të letërnjoftimeve elektronike, informoi Nishani, lista e të gjithë qytetarëve pa pasaportë dhe që nuk kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, do ti dërgohet komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Çdo ditë, nga kompania "Aleat", merret lista e numrit të qytetarëve që kanë aplikuar dhe pas të gjitha procedurave, verifikohet emri i aplikuesit nëse disponon pasaportë, apo e kundërta, u shpreh ministri i Brendshëm. Nisur nga afati kohor prej dy javësh i mjaftueshëm për prodhimin e letërnjoftimit elektronik, Nishani sqaroi se afati i fundit për mundësinë e aplikimit të shtetasve pa pasaportë, është data 15 qershor. Ministria e Brendshme, si zbatuese e këtij procesi, ka siguruar të gjitha kapacitetet e mundshme për çdo qytetar për të aplikuar, ndërsa nuk ka munguar as informacioni për çdo qytetar të vendit, pavarësisht vendbanimit të tij lidhur me mënyrën dhe vendin e aplikimit, bëri të ditur ministri Nishani. Nga eksperienca e mëparshme, në Shqipëri marrin pjesë jo më shumë se 1.380 000 votues, ndërkohë që numri i aplikimit me letërnjoftimin elektronik po shkon drejt shifrës 1.400 000 bëri të ditur kreu i ministrisë së Brendshme, Bujar Nishani.