E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier: Koalicioni i vëzhguesve vendorë trajnon vëzhguesit e qendrave të votimit

Koalicioni i vëzhguesve vendorë, nisi seminari trajnues të vëzhguesve të qendrave të votimit në ambientet e bashkisë së Fierit, me sloganin Së bashku për një votë- të lirë, të ndershme e të barabartë. Qëllimi i këtij seminari ishte trajnimi profesional për një gjykim të paanshëm dhe objektiv të vëzhguesve të qendrave të votimit. Sipas trajnueses Nevila Jahaj, përvoja e fituar në vitet e fundit në vëzhgimin e proceseve zgjedhore, ka treguar se një nga faktorët kryesorë, nga ku varet dhe suksesi i një procesi të vëzhgimit, është zhvillimi i kapaciteteve profesionale të vëzhguesve . Në këto zgjedhje trajnimi merr edhe më shumë rëndësi, pasi janë zgjedhjet e para që zhvillohen pas ndryshimit të sistemit zgjedhor, në një sistem të pastër proporcional rajonal, tha znj. Jahaj. Sipas saj, Shoqëria civile ka dhe duhet t'i njohë vetes përgjegjësi të mëdha në të gjitha punët që duhen bërë për të realizuar procese zgjedhore demokratike, prej të cilave të gjenerohen pushtete të pakontestueshme, që sa më realisht të shprehin vullnetin e shumicës. Vëzhguesit u njohën konkretisht me bazën ligjore, me të drejtat që u njeh Kodi Zgjedhor, me detyrat konkrete që kanë në këtë proces. Atyre iu shpërndanë formularë aplikues, ku nëpërmjet pyetësorëve specifikohej detyra e tyre. Numri i vëzhguesve në qytetin e Fierit është 78, ndërkohë që në shkallë qarku arrin në 409, sipas qendrave të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›