Krujë, dështon procesi i kartave, punonjësit bëjnë pushim
Asnjë banor në komunën e Bubqit në rrethin e Krujës nuk ka mundur të aplikojë këtë të shtunë për kartën e identitetit. Punonjësit e zyrës së aplikimit në këtë komunë kanë vendosur të pushojnë këtë të shtunë edhe pse nga Ministria e Brendshme është deklaruar se punonjësit e Gjendjes Civile duhet të vazhdojnë punën edhe në ditë pushimi.
Zyrat duhet të jenë të hapura edhe të shtunën edhe të dielën. Banorë të komunës Bubq janë paraqitur sot pranë këtyre zyrave por nuk kanë mundur të aplikojnë. Komuna e Bubqit në Krujë ka regjistruar mjaft probleme me procesin e aplikimit për letërnjoftime elektronike, si mungesa e energjisë apo funksionimi i një aparature të vetme aplikimi, duke krijuar kështu radhë të gjata në procesin e aplikimit për karta identiteti.