Berisha, Ramës: Ndërtimet në Tiranë, amulli e plotë
Kryeministri Sali Berisha i tërhoqi dje vëmendjen kryebashkiakut Edi Rama për çështjen e lejeve të ndërtimit duke e akuzuar atë për amullinë e krijuar në Tiranë. Shefi i qeverisë iu referua shifrave të publikuara në një raport të Bankës Botërore për situatën ekonomike në Shqipëri që e cilëson Tiranën si një qytet problematik për sa i përket klimës së biznesit në kryeqytet, më konkretisht, bllokimit që i është bërë prej kohësh dhënies së lejeve të ndërtimit. “Në këtë aspekt, në qoftë se në studimin e Bankës Botërore Shkodra dhe Vlora kanë sërish vende të lakmueshme, e para renditet e 7-ta dhe e dyta e 9-ta, Tirana, për fat të keq, renditet në vendin e 17-të në rajon. Për numrin e procedurave për leje ndërtimi, Tirana renditet e 18-ta”, - sipas Berishës. Gjithashtu, sipas Kryeministrit, Tirana është problematike në regjistrimin e pasurive. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri kritikoi gjendjen në kryeqytet që e etiketoi si "amulli të plotë të situatës së ndërtimeve në Tiranë”. Ai nuk kurseu edhe ironinë për rivalin e tij politik, kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama. “Nëse Shqipëria ka një gjë që nuk shkëlqen, janë lejet e ndërtimit. Të shkurtojmë afatet për lejen e ndërtimit”, - tha ai. Gjatë mbledhjes, z.Berisha i kushtoi koment të gjatë sektorit të ndërtimit duke vënë theksin mbi atë që duhet proceduar me shpejtësi në ligjin për urbanistikën. “Së pari, ne duhet të shkurtojmë afatet dhe së dyti, të vendosim konceptin “heshtja, është miratim”. Ky parim duhet të vendoset në çdo procedurë, pasi ai i vë burokratit kufi, i jep një goditje shumë të rëndë korrupsionit dhe zhduk varësinë”, - u shpreh z.Berisha. Në një situatë të tillë, Kryeministri kërkoi që të procedohet sa më shpejt me ligjin e urbanistikës. Raporti i Bankës Botërore “Të bësh Biznes në Evropën Juglindore” krahason 22 qytete në rajon lidhur me lehtësimin e të bërit biznes dhe është cilësuar nga Berisha si dëshmi e politikave qeverisëse. Sa i përket afrimit të periudhës elektorale, Kryeministri shfrytëzoi rastin për t’u kërkuar që tani shqiptarëve një mandat tjetër katërvjeçar me bindjen e plotë se besojnë tek qeveria e tij. Kryeministri bëri premtimin e parë elektoral se nëse shqiptarët e votëbesojnë edhe për një mandat tjetër, vendi do të njohë një rritje shumë herë më të lartë ekonomike sesa ajo që është shënuar në katërvjeçarin që po mbetet pas.
Berisha, Mustafaj: Shqipëria, hapa të sigurtë integrues
Kryeministri Berisha pati dje një takim me drejtorin ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, z. Avni Mustafaj. Kryeministri e njohu z.Mustafaj me zhvillimet në Shqipëri duke u ndalur veçanërisht në reformat e ndërmarra në fushën politike dhe ekonomike, krijimin e klimës së favorshme për biznesin, uljen e barrës fiskale, reduktimin e barrierave burokratike, vendosjen e taksës së sheshtë 10% dhe aplikimin e one-stop-shop për regjistrimin e biznesit. Gjithashtu, Kryeministri e njohu drejtorin ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan me ecurinë e reformës në sistemin e drejtësisë dhe reformën zgjedhore. Nga ana e tij, drejtori ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, z. Avni Mustafaj, pasi falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, vlerësoi hapat e mëdhenj e të sigurtë që Shqipëria ka bërë drejt zhvillimit dhe prosperitetit gjatë tre viteve të fundit.