E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e dosjeve, deputetët kërkojnë më shumë kohë

Komisioni i Ligjeve ka shtyrë ditën e djeshme shqyrtimin e projektligjeve për pastrimin e figurave të zyrtarëve. Deputetët relatorë Aldo Bumçi nga PD-ja, si dhe Arben Isaraj nga PS-ja kanë kërkuar më shumë kohë për të hartuar një variant konsensual në lidhje me këtë çështje. Kryetari i Komisionit të Ligjeve u kërkoi deputetëve Bumçi dhe Isaraj që të sillnin një variant të përbashkët, ku të përfshinte brenda të pesë propozimet, në mënyrë që në Kuvend të kalojë sa më shpejt një projektligj për hapjen e dosjeve. “Do të ishte mirë që ne të dilnim me një ligj të përbashkët dhe të mbështetur nga të gjitha palët, në emër të zhvillimit të mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri, por në pamundësi të kësaj, atëherë nesër do të diskutohet dhe do të votohet nen për nen mbi të tre variantet e paraqitura nga grupet parlamentare, si dhe mbi propozimet e sjella nga deputetët individualë”, - ka thënë Beja. Duket se situata nuk ka qenë e lehtë siç mendohej, pasi palët kanë kërkuar më shumë kohë. Afati i fundit duket se do të jetë ditën e premte, kur do të jetë mbledhja e radhës së Komisionit të Ligjeve. Në rast se palët nuk do të arrijë një konsensus për këtë çështje, atëherë Komisioni i Ligjeve do të diskutojë të gjitha projektligjet një për një. “Në pamundësi për të pasur një tekst të përbashkët të integruar, komisioni është i detyruar që të marrë një tekst bazë dhe mbi të, të përfshihen edhe amendamente nga tekstet e tjera”, - është shprehur Beja. Shqyrtimi i projektligjeve në mënyrë individuale do të bëhet që miratimi i një projektligji të ndodhë vetëm në muajin shtator për shkak se koha nuk është e mjaftueshme. Vetëm 15 ditë na ndajnë nga mbyllja e punimeve të Kuvendit ku më pas do të fillojnë pushimet 40-ditore për deputetët.

Kuvendi i jep “ok” dyfishimit të trupave në Irak

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi ditën e djeshme aktin normativ të qeverisë për të dërguar në Irak 95 ushtarë shqiptarë shtesë, çka do të thotë dyfish trupa. Nënshkrimi i Protokollit për Anëtarësimin në NATO ka krijuar një besim më shumë për Shqipërinë e cila tashmë do të ofrojë më shumë ndihmë për Koalicionin e Luftës në Irak. Kontigjenti shtesë prej 95 trupash ushtarake shqiptare pritet të shkojnë në Gjirin Persik, ku do të qëndrojnë për një periudhë 6-mujore në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit. Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në unanimitet, edhe me votat e opozitës, aktin normativ për vënien në dispozicion të hapësirës tokësore, detare e ajrore dhe dërgimin e një kontingjenti ushtarak në rajonin e Gjirit Persik, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit. “Është një kontigjent shtesë me 95 trupa, i cili do të qëndrojë për një periudhë kohe prej 6 muajsh në një bazë ushtarake, që ndodhet 130 kilometra larg Osurit. Misioni i këtij kontigjenti është ruajtja e kësaj baze ushtarake, e cila do të operojë nën komandën amerikane”, - tha ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa i cili ishte i pranishëm në komision. Deputetët e opozitës patën një kërkesë e cila shprehej se qeveria duhej të përgatiste një projektligj në lidhje me dërgimin e këtyre trupave dhe jo një akt normativ. Ministri Oketa shpjegoi për mediat se qëllimi i këtij akti normativ ishte që ai të kalonte sa më shpejt në Kuvend, brenda muajit korrik, në mënyrë që në muajin shtator, 95 trupat shqiptare të nisen në Irak ku do të shërbejnë për flamurin shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›