E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Do të mbulojmë rritjen e çmimeve për familjet në nevojë

Ministri i Financave Ridvan Bode raportoi ditën e djeshme në Komisionin parlamentar të Ekonomisë për mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave në buxhetin shtesë. Ai tha se qeveria ka të gjitha fondet e mjaftueshme dhe po mbulohet rritja e çmimeve për buxhetorët në nevojë. “Ne kemi pasur kontigjenca në fillim të vitit dhe ju e dini shumë mirë që kontigjencat kanë qenë sa 1.5% e PBB–së dhe kjo shumë prej 6 miliardë lekësh që ne kemi përdorur tashmë me ndryshimin që bëmë me aktin normativ, e kemi përdorur për rritje pagash e pensionesh dhe 1 miliard për të rritur asistencën. Pra, tashmë është shpërndarë si fond”, - tha Bode përpara deputetëve. Ministri Bode u shpreh se ky buxhet ka të veçantë se prezantohet në një kohë kur po zbatohet niveli më i ulët i taksës së sheshtë, kundrejt vendeve të tjera, në masën 10%. Sipas ministrit Bode, ka pasur një miradministrim dhe një përpjekje të biznesit për t'u shkëputur nga taktikat e fshehjes së vlerës të informalitetit dhe evazionit fiskal. Më tej, Bode shtoi se përveç këtij buxheti ne kërkojmë t'i hapim rrugë përdorimit të të ardhurave nga privatizimet e mëdha, që ato të mund të financojnë projektet e mëdha të investimeve publike. “Ne nuk kemi përfshirë si pjesë të buxhetit të ardhurat që vijnë nga privatizimet, por i kemi kërkuar Kuvendit autorizimin për përdorimin e këtyre të ardhurave në masën 50% për të pakësuar borxhin publik të vendit dhe pjesën tjetër për të financuar projektet e mëdha të infrastrukturës", - tha Bode. Në buxhetin shtesë prej 270 milionë dollarësh, nuk përfshihen të ardhurat e ARMO-s dhe privatizimeve të tjera, por vetëm të ardhurat e krijuara si rezultat i disiplinës financiare. Projektligji mbi këtë buxhet shtesë paraqet të ardhurat dhe shpenzimet si për buxhetin qendror dhe atë lokal, ashtu dhe të ardhurat nga zërat e tjerë. Të ardhurat 303 783 milionë lekë, shpenzimet 360 207 milionë lekë dhe deficiti 56 424 milionë lekë. Të ardhurat nga fondi i konsoliduar janë 237 142 milionë lekë, Shpenzimet 293 566 milionë lekë. Për buxhetin e pushtetit vendor, të ardhurat janë 31 646 milionë lekë, nga të cilat, granti i pakushtëzuar nga buxheti qendror 16 064 milionë lekë. Fondi i kontigjencës, i cili përdoret për rritje pagash dhe pensionesh, do të jetë prej 2 miliardë lekësh në 6-mujorin e dytë të vitit 2008.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›