E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënder Gjinushi: Duhet një opozitë më agresive

“Opozita duhet të bëjë jetë më agresive”. Ky është qëndrimi i aleatit më të ngushtë të Partisë Socialiste, kreut të PSD-së, Skënder Gjinushi. Duke komentuar zërat brenda selisë rozë, sipas të cilave është zbehur tempi opozitar ndaj qeverisë, Gjinushi deklaroi se dështimi i qeverisë e bën të konstatojë se

se ka nevojë për një zë opozitar më agresiv. E megjithatë, kreu i PSD-së nuk ngurron aspak duke ia “përplasur në fytyrë”, aleates së tij se nuk e ka mbështetur në qëndrimin për të larguar sa më parë qeverinë “Berisha”. Që këtu ai justifikon zërat kundër opozitës së butë në Partinë Socialiste. “Prandaj ka dhe zëra për opozitë të butë apo të fortë, sepse të gjithë këta bashkohen me vlerësimin që ka bërë PSD-ja qysh një vit më parë kur ishte rasti i zgjedhjes së Presidentit që zgjidhje për Shqipërinë ishte largimi i qeverisë së Berishës”, - tha ai. Gjinushi nuk preferoi të bënte komente të veçanta për partitë në opozitë, për mënyrën që ato kanë zgjedhur për të bërë opozitë. Megjithatë, ai nuk fshehu kënaqësinë se sipas tij, koha ka treguar se ka pasur të drejtë kur ka qenë mjaft radikal me këtë qeverisje. Por duket se opozitën e butë të Partisë Socialiste, Gjinushi ia fal vetëm në momentin e marrjes së ftesës për në NATO. “Prandaj janë dhe parti të ndryshme, sepse ka diferenca midis partive dhe aleatëve, madje ka diferenca edhe brenda partive, pra ka kah më të fortë, kah më të moderuar, por duhet kuptuar që ka një moment, ku opozita moderimin e saj e justifikonte me marrjen ftesës në NATO”, - tha ai. Ndërkohë, ai justifikon qëndrimet që ka mbajtur vetë në atë kohë duke e vlerësuar kritikën e tij ndaj qeverisë si të bazuar. “Shoh me kënaqësi që janë vërtetuar qëndrimet tona. Vjet, në këtë kohë, po të flisje kështu me qeverinë, kishte që të quanin radikal, tani e kanë kuptuar që miopia ka qenë nga të tjerët dhe jo nga PDS-ja”, - deklaroi më tej kreu i PSD-së. Ai e radhiti forcën që ai drejton ndër ato parti që nuk kanë hequr dorë nga krahu i fortë opozitar. “Qeveria ka dështuar dhe vendi ndodhet në krizë”, - thotë Gjinushi, arsye këto që e bën të konstatojë se ka nevojë për një zë opozitar më agresiv. Ndërkaq, zërat që kërkojnë opozitë më agresive në selinë rozë janë ende të pakët. Në prag të një “shpërthimi” të mundshëm ndaj opozitës së butë të kryetarit të PS-së, zhvillimet e Asamblesë Kombëtare duket se u kanë dhënë fund atyre. Së pari, Rama i bëri të qartë kujtdo prej drejtuesve të selisë rozë që mundësitë për të qenë në krye të listave për deputet janë të pakta, për të thënë zero, ndërsa në krye të tyre do të jenë të rinjtë. Edhe një herë tjetër t]ë vjetrit e PS-së e panë veten të ndarë me politikën e re të kreut të PS-së, duke marrë kështu një mesazh të qartë se konfigurimi i tyre në Parlamentin e ardhshëm varet edhe nga qëndrimi i brendshëm në parti. “E keqja, natyrisht është kalimtare, mund të bëni për pak kohë këto, derisa të zgjohet nga gjumi masiv dhe më i fundit që duhet të jetë i pari, e që tani mendon se t’u tregosh shqiptarëve të vërtetën mbi abuzimet tuaja është destruktive, se të përballesh me abuzimet tuaja të humb vota, se të heshtësh përballë jush, ju bën më shumë këmbëngulës sesa ne të opozitës, se të flesh i trazuar, është më mirë se të jetosh e të luftosh e të keqen”, - ishte deklarimi i Erion Braçes një javë më parë në Kuvend, duke pranuar se është vetë kreu i PS-së, Edi Rama që kërkon opozitë të butë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›