E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Ramës: Nuk do prishësh dot dasmën e demokracisë



Kryeministri Sali Berisha i bëri dje thirrje Edi Ramës që të harrojë se në Shqipëri do të mund të rikthehet e shkuara komuniste. Që nga qyteti i Korçës, Berisha i bëri apel kryetarit të PS-së, që të heqë dorë nga prishja e festës së demokracisë shqiptare, sepse do të turpërohet me votën e tyre më 28 qershor. Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në Qarkun e Korçës, Kryeministri teksa e quajti një shpirtzi që s’e ka shokun, i kërkoi Ramës që të regjistrohet në krye të listës së PS-së dhe nëse e bën një gjë të tillë, qeveria do të ndryshojë ligjin elektoral. Berisha iu drejtua atij: “Zoti Edvin, ti po tregon se je një shpirtzi i pashembullt në historinë e këtij vendi. Je një shpirtzi që nuk ke shok askund. Ti nuk kandidove, sepse do t’ia prishësh shqiptarëve dasmën e demokracisë, por unë të jap fjalën ty se do të përfundosh në arkivat e turpit të historisë dhe ne do ta ndërtojmë Korçën evropiane dhe Shqipërinë evropiane”.

Kryeministri i bëri të ditur kryetarit të PS-së se “në rast se të ka mbetur dhe qoftë edhe një miligram i përgjegjësisë qytetare, ndaj të gjithë qytetarëve, ndaj shqiptarëve, shko dhe regjistro veten në krye të listës. Shko regjistrohu dhe unë jam gati që nesër, që të mbledh Parlamentin dhe të ndryshoj ligjin, por mos mendo se do t’ua kthesh fëmijëve dhe qytetarëve të Korçës të shkuarën si të ardhme. Asgjë s’e ndal shikimin e tyre drejt së ardhmes. Ne do t’i japim vendin zgjedhjet më të bukura dhe më dinjitoze në historinë e tij”. Berisha u paraqiti dje korçarëve emrat e kandidatëve për deputetë, z. Ridvan Boden, z. Gjergji Papa, znj. Ledina Aliolli, z. Edmond Spaho, z. Fatbardh Kadilli, z. Ismail Hoxha, z. Elfrida Zefi, z. Jonela Spaho, z. Eduart Ypi, z. Alfred Gega, z. Nikolla Dudo dhe Zinet Shaholli. Duke kërkuar votat për ta, Kryeministri foli për objektivat e qeverisë së re ndërsa përmendi punësimin e 160 mijë shqiptarëve gjatë mandatit të ri.

Kryeministri Sali Berisha nga Korça fton qytetarët shqiptarë që ta kthejnë fushatën elektorale në festën evropiane, pasi projekti më madh i qeverisë së PD-së është anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Berisha ishte dje në zonat e Korçës nga ku bëri thirrje që korçarët t’i bashkëngjiten PD-së për një të ardhme të sigurt evropiane. Por kreu i qeverisë kërkoi mirëkuptimin e tyre për të dhënë kontribut në goditjen e korrupsionit, ndërsa u pohoi banorëve se gjatë mandatit të ri, do t’ua shtrëngojë “rripin” qeveritarëve. Me premtimin e një qeverie të vogël, Berisha kërkoi prej tyre që të dënojnë aktet korruptive të zyrtarëve dhe pushtetarëve, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbrohen paratë e taksave të tyre. “Ju duhet të ngriheni të parët kundër çdo praktike korruptive, sepse shtëpia nuk bëhet e pasur kur ke para, por bëhet e pasur nga mënyra se si i përdor paratë që ke. Kjo vlen edhe për shtetin. Për këtë ju garantoj. Prandaj le të ulemi bashkërisht, të përcaktojmë mënyrën se si t’ju ndihmojmë për naftën, duke mos humbur asnjë qindarkë”, - deklaroi z. Berisha. Sipas tij, në themel të të gjitha këtyre arritjeve qëndron përpjekja e vendosur për të luftuar korrupsionin. Ai apeloi se sërish do të ngushtohen hapësirat për abuzime deri në shembjen e murit të korrupsionit. Berisha premtoi para banorëve korçarë se paratë e taksave të tyre do të shkojnë për rritjen e pagave e pensioneve, për shtrimin e rrugëve, ndërtimin e shkollave, ujësjellësve, dritave dhe shërbimet e tjera jetësore. “Unë zotohem këtu se sërish do të ngushtojmë hapësirat për abuzime, sepse në rast se nuk ia “shtrëngon rripin” të parës qeverisë, nuk ka menaxhim në vend. Por për këtë, do të më ndihmoni edhe ju, në mënyrë që ne të kemi të gjitha paratë që na duhen për të sjellë ujin në çdo familje, për të asfaltuar çdo pëllëmbë rrugë, për të rindërtuar çdo shkollë të vendit, për të krijuar shërbimet më të mira, për të ndërtuar kopshtet më të mira dhe për të vendosur ato standarde që na mungojnë dhe që janë standarde evropiane, me të cilat sot jemi më afër se kurrë”, - u shpreh z. Berisha. Kryeministri u ndal gjatë tek investimet në infrastrukturën e vendit, ndërsa kujtoi: “Diku kemi investuar 10 herë më shumë, diku tjetër 7 herë më shumë, por ka edhe vende të tjera ku kemi investuar 15 herë më shumë. Dua t’ju them se unë kisha premtuar në 4 vjet ndërtimin e 4 mijë km rrugë, por sot vij këtu me krenari të madhe sepse kemi asfaltuar 6 mijë kilometra rrugë”. “Kontrata e re e qeverisë sime të ardhshme, - shtoi ai, - me shqiptarët parashikon ujë të pijshëm në çdo familje, rrugë të asfaltuara për çdo prag dere, shërbime njësoj si në qytet”. Berisha siguroi se nuk ka asgjë që ta ndalojë pa bërë që fshatrat e Shqipërisë të jenë njëlloj si lagjet e qyteteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›