Dilema: Qeveria e re, ekspertë apo politikanë
PD-ja ka arritur në cakun e preferuar. Ekspertë të kualifikuar në Perëndim dhe politikanët më të spikatur të PD-së janë gjeografia e re politike e partisë në pushtet. Ata janë ndërthurja e qeverisë së re “Berisha”. Ekspertët do të jenë në krye të qeverisjes. Elita demokrate në krye të vendit, për të udhëhequr shqiptarët përgjatë 4 viteve që vijnë. Teknicienë, tashmë zbatues politikash, por me synimin e qartë për të sjellë më shumë cilësi në kabinetin e ri qeveritar.
Një përvojë 4-vjeçare që i shërbeu të sotmes. Këtë herë edhe të ardhmes pasi la shtegun e hapur për mandatin e ri qeverisës. Një praktikë e suksesshme ku PD-ja ka arritur në cakun e preferuar. Ekspertë të kualifikuar në Perëndim dhe politikanët më të spikatur të PD-së janë gjeografia e re politike e partisë në pushtet. Ata janë ndërthurja e qeverisë së re “Berisha”. Ekspertët do të jenë në krye të qeverisjes. Elita demokrate në krye të vendit, për të udhëhequr shqiptarët përgjatë 4 viteve që vijnë. Teknicienë, tashmë zbatues politikash, por me synimin e qartë për të sjellë më shumë cilësi në kabinetin e ri qeveritar. Në mjediset e brendshme të PD-së ka entuziazëm për fitore, derisa përmenden edhe emra konkretë se cilët janë ata që do të bëhen pjesë e qeverisë së re. Lista e re e demokratëve i ka të gjithë brenda dhe përzgjedhja nuk do të jetë e lehtë për lidershipin e partisë në pushtet. Por jo më kot është tentuar drejt juristëve, ekonomistëve, inxhinierëve, doktorëve, të cilët dominojnë qartazi listën e gjatë prej 140 kandidatësh që do të garojnë më 28 qershor. Por prej tyre do të përzgjidhen ata që dinë të bëjnë punë të mira dhe vendin e kanë në qeveri. Të garantuar duket se janë emrat e spikatur të politikës aktuale të qeverisë, suksesi i të cilëve përgjatë 4 viteve si anëtarë të kabinetit ka bërë që ta kenë të sigurt karrigen e ministrit edhe në mandatin e dytë, në rast fitoreje të PD-së. Të tillë janë ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, zgjedhja më e spikatur e liderit Berisha, 4 vjet më parë. Basha i dha një dimension të ri diplomacisë shqiptare në arenën ndërkombëtare. I sigurt në qeverinë e re është edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani. Po ashtu flitet për emrin e ministrit të Mbrojtjes Gazmend Oketa dhe atij të Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi. Një vend të sigurt në ekzekutiv duket se ka dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku, i futur në qeveri vetëm një muaj më parë. Për pjesën tjetër të stafit qeveritar nuk mund të thuhet me siguri për faktin pasi do të jenë figurat e reja të sapoardhura në PD që mund të përfshihen direkt në kabinetin e ri qeveritar. Përmenden emrat e juristit Viktor Gumi, ekonomistes Jorida Tabaku, këshilltares së Kryeministrit Berisha, Vjollca Vokshi, këshilltarit tjetër, Myqerem Tafaj, apo kryetarit të ri të Forumit Rinor të PD-së, Gerti Bogdani. Kandidatët për në qeveri janë të shumtë, ashtu siç ishin edhe për përfshirjen në listën e kandidatëve për deputetë. Kryeministri Sali Berisha gjatë prezantimit të tyre në mjediset e “Sheratonit” nuk ngurroi të publikonte shifrën e 1400 kandidatëve për 140 vendet në Kuvendin e ri të Shqipërisë. E rëndësishme është përpjekja e liderit Berisha për të injektuar sa më shumë ekspertë në qeverisje. Dhe ka rastin për të përzgjedhur mes më të mirëve. Është sikur të jetosh në botën e Huxley dhe triumfin e ekspertizës shkencore. Një gjë të tillë, me një ekip të hollë ekspertësh nga fushat kryesore, e “eksperimentoi” suksesshëm ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush. Kjo i dha mundësinë të qeveriste gjatë popullin amerikan i cili e votoi atë dy herë radhazi. PDSH-ja e Berishës nuk ka si t’i shpëtojë frymës së Perëndimit as në këtë rast. Ajo kërkoi ekspertë të mirëfilltë dhe i gjeti duke krijuar kështu kompleksitetin e strukturës së saj politike në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare përmes të cilave synon mandatin e ri qeverisës. Bërthama e saj është e shëndoshë, ndaj tani është koha të bashkëvendosë pasi ka përgatitur kështu “kinse ekspertë” të zgjedhur nga fushat më të spikatura, për të bërë nesër reforma dhe ligje të rëndësishme dhe me cilësi. Por, gjithnjë duke ruajtur balancat brenda PD-së, pasi ata që sot janë politikanë të suksesshëm, fillimisht erdhën si ekspertë në këtë parti. U ftuan të tillë dhe u bën politikanë të mirëfilltë. Ata shkojnë drejt pushtetit bashkë me ekspertë të rinj, intelektualë, akademikë, përfaqësues të grupeve të interesit e shumë e shumë kontribuues të tjerë, të cilët kanë ofruar përvojën e zgjidhjeve për një mori problemesh që nuk janë probleme të politikës, por probleme të të gjithë shqiptarëve pa dallime partiake. Vizioni I tyre i përbashkët për një Shqipëri ndryshe e ka pasuruar PD-në me vlera të reja dhe bashkë me ato që gjetën në PD, do të duhet t’i japin dorën njëri-tjetrit për të vazhduar përpara drejt rrugës së ndryshimit, atij të një Shqipërie evropiane.
Qeveria e re, një mal me detyra
Një paketë e gjerë premtimesh, të cilat duhet të realizohen nga qeveria e re “Berisha” përgjatë 4 viteve që vijnë. Pjesa më e madhe e tyre janë vijimësi e reformave të nisura, por të tjera i janë shtuar programit të ri qeverisës të PD-së. Në krye të tyre qëndron premtimi për Shqipërinë evropiane dhe heqjen e vizave për shqiptarët në zonën “Shengen”. Vitet 2009-2013 do të jenë vitet e Shqipërisë të ndryshuar, gati për t'u bërë anëtare e BE-së. Shqipëria do të çelë negociatat për marrëveshjen e anëtarësimit, do të negociojë çdo nen dhe çdo kapitull të saj dhe do ta shndërrojë në realitet të prekshëm për çdo shqiptar. Lëvizja e lirë brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës dhe Shqipëria në Evropë, në vitin 2013, Shqipëria do të jetë gati për verdiktin final të 27 vendeve anëtare të BE-së. Shqipëria evropiane është zotimi dhe projekti i madh, vrapi ynë në ngjitje, i lodhshëm, lartësues, fisnik dhe shpresëdhënës. Diplomacia shqiptare do të shndërrohet në diplomaci ekonomike. Trajtimi i minoriteteve dhe përfaqësimin e tyre në institucione. Respektimi i të drejtave dhe lirive njerëzore për komunitetin egjiptian dhe atë rom. Respektimi i komuniteteve fetare. Shqipëria do të njohë një zhvillim të madh në mandatin e ardhshëm, duke lënë pas madje disa vende të Bashkimit Evropian. Duart e pastra të Sali Berishes do ta çojnë Shqipërinë shumë përpara. Në mandatin e dytë, një qeveri edhe më e vogël se qeveria e dietës. Thellim balancës së pushteteve, pavarësisë së institucioneve të pavarura. Reforma të thella në sistemin gjyqësor, shteti ligjor do të njohë një nivel të ri në Shqipërinë evropiane. Standardet do të dominojnë mbi çdo gjë. Procedurat do të dixhitalizohen. Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Deri në 2010 asnjë qytetar me ndihmë ekonomike. 160 mijë të rinj do të punësohen për 4 vitet e ardhshme. Rritje njëqind për qind të pagave dhe pensioneve. Barazim të pensioneve të fshatit me ato të qytetit. Lufta kundër korrupsionit nuk do të ketë të ndalur dhe se në qendër të punës së qeverisë do të jetë puna e ndershme dhe transparente ndaj publikut. Do të hiqet korrupsioni në hipoteka, në shëndetësi dhe në të gjitha ato institucione që janë në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Vazhdimin e reformave ekonomike, rritje të mëtejshme të saj dhe se Shqipëria do të mbetet vendi me barrën fiskale më të ulët në Evrope dhe gjithashtu edhe vend lider i investimeve të huaja. Luftë kundër varfërisë ku çdo qytetar të mos ndihet i përjashtuar. Turizmi, një përparësi madhore e qeverisë. Ndryshim agjencisë së investimeve të huaja. Zgjerim i akseve deri në komunat më të thella dhe lidhjet e reja me fqinjët e Shqipërisë, si Greqia, Mali i Zi, Maqedonia dhe pa diskutim me Kosovën, për të afruar distancat mes dy vendeve të një kombi. Mbështetje projekteve të fermerëve për shtimin e prodhimit. Shqipëria do të japë mijëra hektarë për të ndërtuar 400 hidrocentrale me koncesion, ku do të punësohen mijëra shqiptarë. Do të përdoren të gjitha format e energjisë për ta shndërruar Shqipërinë në një superfuqi energjitike në rajon. Qeveria do të bëjë ç’është e mundur deri në zgjidhjen finale të çështjes së pronave. Qeveria do të heqë taksat për 5 vjet për familjet e varfra. Do të ndërtohen akse të shkurta për të dalë në rrugë kombëtare. Katër vitet e ardhshme do të ketë lidhje të re tërësisht të re rrugore me fqinjët, Greqinë, Maqedoninë dhe Kosovën, Malin e Zi. Sondat shpuese të rrugës kombëtare Durrës-Kukës bashkohen mesditën e së dielës, duke hapur kështu tunelin e korridorit shqiptar. Shqipëria, një vend plot ujëra, do të ketë 24 orë ujë në çdo shtëpi dhe po ashtu edhe drita. Çdo ish-i përndjekur politik do të dëmshpërblehet për vitet e burgut etj.
“Aleanca për ndryshim”, torta që do të ndajë PD-ja
Një tortë e madhe pushteti që detyron PD-në ta ndajë me aleatët. PD-ja ka mundur të krijojë koalicionin më të madh parazgjedhor që nga krijimi i saj. Dhe kjo, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. “Aleanca për ndryshim” emërtimi i koalicionit që drejtohet nga lideri i mazhorancës, Sali Berisha, ka në përbërjen e tij 16 parti politike. Jo domosdoshmërisht pjesa më e madhe e tyre do të bëhen pjesë e qeverisjes së re, në nivelet e para dhe të dyta. Por partitë aleate tradicionale të demokratëve tashmë kanë të siguruar nga një vend në stafin e ri qeveritar. Kjo, për faktin se mes PD-së dhe partive të djathta ka marrëveshje përkatëse bashkëpunimi të cilat do të zbatohen sapo PD-ja të fitojë zgjedhjet e 28 qershorit. Thuhet se vendet e sigurta në qeverinë e re të pas 28 qershorit do ta kenë republikanët, aleatët më besnikë të PD-së, agrarët e Xhuvelit dhe legalistët. Mendohet që pjesa tjetër e partive aleate të përfaqësohet në qeverisje në nivelet e dyta të saj, ndërkohë që partitë që kanë hyrë rishtas në aleancë me Partinë Demokratike do të përfaqësohen në nivele të treta apo duke drejtuar disa nga drejtoritë kyçe të qeverisjes së djathtë. Gjithsesi, aleanca e madhe e 28 qershorit duket se do t’u marrë demokratëve më shumë vende në qeveri, me të cilët duhet të ndajnë tortën e madhe të pushtetit. Ajo që thuhet me siguri të plotë, është se ministritë kryesore dhe të rëndësishme, demokratët do t’i mbajnë për vete, duke vënë në krye të tyre pikërisht njerëzit e PD-së. Bëhet fjalë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë të Punëve të Jashtme, Ministrinë e Financave, dikasterin e Punëve Publike dhe Transporteve, Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.