E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveri me arkë të sigurt kursimesh



Të jesh në pushtet dhe luksin mund të mos mund ta shijosh. Demokratët do t’ia heqin vetes së tyre këtë mundësi. Dhe kjo nuk është për të ulur kokën...

Përkundrazi, i ndal rrugën abuzimit me pushtetin dhe mbron paratë e qytetarëve shqiptarë në një arkë të sigurt kursimesh. Qeveria e re do të jetë më e sfumuar për shkak se do të ketë shkrirje të disa portofoleve ministrore. Një mandat i dytë për demokratët, por që do u shtrëngojë “rripin” qeveritarëve. Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar se gjatë mandatit 2009-2013 do të shtrëngojë edhe më tepër dietën e qeverisë. Një qeveri e vogël, me më pak shpenzime, por shumë herë më funksionale. Sepse “Duart e pastra” të Sali Berishës do ta çojnë Shqipërinë shumë më përpara. Në këtë rast, Kryeministri bëri të qartë se tashmë i kemi lënë pas qeveritë e babëzisë dhe kemi qeveri të dietës dhe dieta katër vitet që vijnë do të jetë shumë më e rreptë. Ky është një nga premtimet e z. Berisha përgjatë kësaj fushate elektorale. Dhe duket se skema e tij në këtë rast është gati. Burime pranë stafit të tij bëjnë të ditur se portofolet që rrezikojnë shkrirje janë Ministria e Mjedisit, e cila mendohet të bashkohet me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit. Por nga ana tjetër, flitet për një rëndësi shumë herë më të madhe të dy ministrive që kanë të bëjnë me diplomacinë shqiptare dhe atë të integrimit, e cilat pritet të kurorëzojë momentin e heqjes së vizave të shqiptarëve drejt zonës “Shengen” dhe më pas atë të anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Burimet sqarojnë se ministritë respektive do të pësojnë shkurtime për sa i përket personelit të brendshëm, duke mbrojtur kështu buxhetin e shtetit nga harxhimet e tepërta. Por të kushtëzuar nga privilegjet nuk do të jetë vetëm qeveritarët, por edhe parlamentarët e rinj, të cilëve do t’u hiqen veturat, më pak tarifa telefonash, si dhe shërbime të tjera, të cilat i kanë mbajtur deri para pak ditësh kur dhe u mbyll legjislatura e fundit parlamentare e 2005-2009. Synimi i Kryeministrit Berisha është një qeveri sa më funksionale pavarësisht se më e vogël në numër. Më shumë cilësi dhe më pak harxhime. Kjo është një ndër kartat me të cilën lideri i mazhorancës aktuale kërkon votat e qytetarëve shqiptarë për një mandat të ri qeverisës. Abuzimi me pushtetin me një Kryeministër si Sali Berisha duket se do të jetë shumë i vështirë, për faktin se ai është ai që ka vënë në jetë “Duart e pastra” kur erdhi në pushtet më 3 korrik të vitit 2005 dhe është po ai, që do të jetë mbrojtësi më i madh i parave të taksapaguesve shqiptarë, duke i ndalur rrugën çdo zyrtari apo funksionari abuziv dhe batakçi, që tenton të përfitojë nga karrigia e pushtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›