Fleta e votimit; Për votim, një letër “gjigande”
Miratohet fleta e votimit, me të cilën qytetarët do të votojnë ditën e zgjedhjeve. Kjo fletë do të ketë përmasat më të mëdha që ka qenë ndonjëherë, por do të jetë me cilësorja. Në të, krahas emrit të partive, do të jetë edhe emri i kryetarit të partisë me gërma të mëdha, logoja e partisë me ngjyra. Këto kërkesa duket se do të rrisin koston e fletës së votimit më shumë se ç’ishte menduar fillimisht.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje fletën e votimit me të cilën qytetarët do të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Kësaj radhe, qytetarët do të kenë vetëm një fletë votimi, por ndryshe nga herët e tjera, përmasat e fletës së votimit do të jenë të stërmëdha. Ajo është e ngjashme me një fletë A3 dhe përmasat janë detyruar për shkak të numrit të madh të partive që garojnë në këto zgjedhje. Fleta e votimit do të jetë e ngjashme, por vetëm Tirana do të ketë një ndryshim. Në të gjitha qarqet e tjera janë 35 parti, por në Tiranë u regjistrua një kandidat i pavarur. Ndryshe nga eksperiencat e para, ku partitë politike ankoheshin për ngatërresa në votim, siç ishte rasti i vitit 2001 mes PD-së dhe PDR-së së drejtuar nga Pollo, kësaj here një gjë e tillë nuk do të mund të ndodhë, pasi fleta e votimit është shumë herë më cilësore dhe pa ngatërresa të këtij lloji.
Komisioni mori dje mendimet e partive politike në lidhje me fletën e votimit. Ndryshe nga herët e tjera, në fletën e votimit, krahas emrit të partisë, do të jetë edhe emri i kryetarit të partisë përkatëse me shkronja të mëdha, si dhe në cepin e djathtë do të jetë logoja e partisë me ngjyra, ndërsa në cepin e djathtë do të jetë kutia bosh me ngjyrë të bardhë, ku qytetarët mund të vendosin shenjën x për partinë që dëshirojnë të votojnë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri dje me dije se për shkak të përmasave të fletës së votimit, por edhe për cilësinë e saj, do të negociohet me kompaninë e prodhimit të fletëve të votimit për të plotësuar këto kushte. Kryetari i KQZ-së tha se kompanisë do t’i kërkohet që të plotësojë të gjitha kushtet që janë kërkuar nga KQZ-ja.
Në fakt, disa nga këto kushte u kërkuan nga dy forcat e mëdha, PD dhe PS, por që u pranuan edhe nga LSI-ja. Një nga këto kushte është që emri i kryetarit të partisë të jetë me shkronja të mëdha kapitale, si dhe kërkuan logon e partisë me ngjyra më fletën e votimit. Fleta e votimit do të ketë ngjyrë gri, ndërsa vetëm me të bardhë do të jetë kuadrati ku vendoset shenja x e votimit.
Lista e partive
Koalicioni i Partisë Demokratike do të jetë i pari në këtë fletë votimi. Partia Demokratike do të jenë me numrin rendor 10 në listë. Më pas, i dyti në renditje është Poli i Lirisë. Më pas vjen në renditje koalicioni i drejtuar nga LSI-ja. I fundit i koalicioneve është ai i drejtuar nga PS-ja, e cila është e renditur me nr. 33 në listën e partive. Në fletën e votimit në Tiranë, vjen më pas kandidati i pavarur Abdulla Omuri dhe dy partitë e fundit që janë në fletën e votimit është partia e Spartak Ngjelës dhe Partia e Punës e Rinovuar.