E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Vota e qershorit lë Ramën në opozitë

Berisha prezanton kandidatët për Qarkun e Korçës. Media nuk lejohet të ndjekë nga afër mitingun


KORÇË- Kryeministri Sali Berisha ishte dje në qytetin e Korçës, ku fillimisht ka inauguruar disa projekte në disa komuna të Korçës, për ta përfunduar agjendën e takimeve pasdite, përmes një mitingu të përqendruar tek kinema "Millenium".


Ndryshe nga çdo herë tjetër, gazetarët dhe operatorët janë përjashtuar të kryejnë punën e tyre në këtë takim elektoral, duke i mbajtur larg. Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit, përveç arritjeve, që, sipas tij, ka realizuar kjo mazhorancë, ka kërkuar votën e shqiptarëve për ato që PD-ja do bëjë në katër vitet e ardhshme.


Kryetari i PD-së, Berisha, edhe pse kishte premtuar se nuk do të merrej me kryetarin e opozitës, dje, gjatë mitingut të zhvilluar, i ka kërkuar këtij të fundit që të jetë pjesë e listës së deputetëve.


"Edi Rama nuk kandidon se do t'ua prishë shqiptarëve bastin e demokracisë. Ai nuk do zgjedhje të lira, ndaj dhe nuk ka kurajën të kontribuojë, duke u votuar në këto zgjedhje. Unë nuk do të lejoj që ai t'ua kthejë shqiptarëve të shkuarën në të ardhme.


Përgjigja e tyre do të jetë më 28 qershor me votën që do ta lërë atë përherë në opozitë",- tha Berisha.


Nga kryeqendra e juglindjes, Berisha ka nënvizuar se investimet në rajonin e Korçës dhe në të gjithë Shqipërinë, gjatë mandatit të dytë, do të jenë të jashtëzakonshme, ndërsa prioritet do të jetë lufta ndaj korrupsionit.


Ai ka premtuar se shqiptarët janë në prag të lëvizjes së lirë në Evropë. "Kjo,- ka theksuar Kryeministri,- është sfida jonë më e madhe".


Në mitingun e zhvilluar në qytetin e Korçës, kreu i mazhorancës ka prezantuar zyrtarisht kandidatët e këtij qarku, duke nisur me Ridvan Boden, i cili kryeson listën e PD-së për këtë qark e duke vijuar me Gjergji Papën, Ledina Alihollin, Fatbardh Kadillin, Ismail Hoxhën, Elfrida Zefin, etj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›